E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia për Greqinë, shtyhet mbledhja e Eurogrupit

Shtyhet mbledhja e Eurogrupit e cila do të shqyrtonte sot vendimet përfundimtare për dhënien e kredisë së re të Greqisë. Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke të cilat theksojnë se mbledhja është shtyrë pasi Greqia nuk ka dhënë shpjegime në kohë se si do t`i zbatojë masat e kursimit. Në këtë mbledhje pritej të paraqiteshin edhe angazhimet me shkrim të liderëve politikë, ndoshta me anë të një letre, siç kërkojnë partnerët europianë, pas votimit të programit të ri nga ana e parlamentit grek
 

Ndërkaq, të premten fillon edhe zyrtarisht procedura e reduktimit të borxhit grek. Si "javët e djallit" i cilësoi tre javët e ardhshme për ecurinë e materializimit të marrëveshjes për kredinë e re dhe PSI, zëdhënësi i qeverisë, Pandelis Kapsis. Zëdhënësi u pyet edhe për periudhën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. "Në fund të marsit përfundon puna konkrete e qeverisë dhe që nga prilli hapet rruga për zgjedhje" theksoi ai.
 

Ndërsa më herët zëdhënësi i komisionerit për financat i KE, Olli Rehn, Amadeu Altafaj, ka theksuar se Eurozona kërkon angazhimin e qartë nga partitë që marrin pjesë në qeveri, nisur nga fakti se formati i programit të ri kërkon konsensus të fuqishëm politik para se vendi të hyjë në një periudhë paraleketorale. Altafaj shënoi se angazhimet kanë të bëjnë edhe me liderin e opozitës greke, Antonis Samaras, i cili sa vetë, aq edhe deputetët e tij, e votuan masivisht programin e ri.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›