E Diel, 1 Nëntor 2026

Publikohen karikatura, ambasadat franceze në alarm

Ministri francez i Punëve të Jashtme, Laurent Fabius, kritikoi lëvizjen e revistës si provokim dhe njoftoi se ka urdhëruar rritjen e sigurisë në ndërtesat diplomatike franceze jashtë vendit.

“BBC” raporton se edhe ministrat e tjerë të qeverisë franceze u shprehën të shqetësuar lidhur me publikimin e karikaturave nga “Charlie Hebdo” por mbrojtën lirinë e shprehjes.

Ambasadat franceze, konsullatat, qendrat kulturore dhe shkollat ndërkombëtare franceze në më shumë se 20 vende do të mbyllen të premten si masë paraprake sigurie ndaj protestave të mundshme pas faljes së xhumasë.

Forca policie të shumta dhe të përgatitur për protesta të dhunshme kanë rrethuar zyrat e revistës në Paris.
Revista ka konfirmuar se uebsajti i saj në internet është sulmuar dhe nuk ishte i disponueshëm mëngjesin e së mërkurës.

Zyrat e “Charlie Hebdo” në Paris u sulmuan në muajin nëntor, pasi publikoi disa karikatura të turpshme të Profetit. Në vitin 2005, publikimi i disa karikaturave nga një gazetë daneze solli shpërthimin e një vale dhune anekënd botës myslimane, nga e cila humbën jetën 50 persona.

Publikimi i karikaturave vjen në një kohë që ende bota zien nga trazirat që ka shkaktuar filmi fyes “Pafajësia e Myslimanëve”.

Për myslimanët është i papranueshëm çdo lloj paraqitjeje Allahut dhe Profetit Muhamed./Start/ F. P/

                                                                                             2012-09-19 14:25
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›