E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia nuk përjashton ndihmën nga FMN-ja

Ministri Jorgos Papakonstantinu theksoi se, edhe pse Greqia respekton parimet e zonës euro për t'u vetëpërballur me vështirësitë fiskale, megjithatë ajo nuk përjashton mundësinë për të kërkuar një ndihmë financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

"Nëse BE-ja jep shenja të qarta për mekanizmin që mund të zbatohet për të ndihmuar Greqinë, ndoshta nuk do të nevojitet një shpëtim urgjent", theksoi Papakonstantinu.

Deklarata e ministrit grek të Financave, vjen pas asaj të kryeministrit Papandreu, i cili theksoi se Greqia nuk kërkon ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian, por vetëm ndihmë politike.

Sipas disa vlerësimeve, Greqia këtë vit duhet të tërheqë kredi me një vlerë prej 53 miliardë eurosh, prej të cilave 20 miliardë duhet të merren deri në fund të prillit. BE-ja është e shqetësuar për faktin se problemet e Greqisë mund të ndikojnë negativisht ndaj gjithë zonës euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›