E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi shqiptar i propozon qeverisë paketën antikrizë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, pas konsultimeve me përfaqësues të shoqatave të ndryshme dhe specialistë të ekonomisë, ka hartuar një paketë masash për t'ia propozuar qeverisë.

Sipas DHTI-së, kjo paketë do të çonte në zbutjen dhe përballimin e krizës dhe në mbrojtjen e bizneseve.

"Kjo paketë do të ndihmojë drejtpërsëdrejti kompanitë më të goditura dhe rrezikuara, të cilat kanë aktivitetin e tyre në sektorët më të prekur nga ethet e krizës", thuhet në deklaratën për shtyp të DHTI-së.

Komuniteti i biznesit i kërkon qeverisë negocim me sistemin bankar të nivelit të dytë për të marrë në konsideratë situatën e marrëdhënieve me klientët e tyre në zbutjen e kushteve dhe kritereve të vendosura për likuiditet, një amnisti e plotë fiskale si dhe legalizim të aseteve.

"Për të gjithë është i qartë fakti i përkeqësimit të disa treguesve makro dhe mikroekonomike, të cilët janë shprehësit e drejtpërdrejtë të gjendjes ekonomike në vend, si ulja e ritmit të rritjes ekonomike, vëllimit të eksporteve, fluksit të parave apo dobësimi i lekut kundrejt euros", behet e ditur nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›