Buxheti ska fonde për rrugët e reja
Në ditën kur njoftoi shkurtimin e shpenzimeve të buxhetit me 25 miliardë lekë, Kryeministri Berisha tha se qeveria nuk do të tërhiqet nga tri projektet e mëdha infrastrukturore, Rruga e Arbrit, autostrada Tiranë-Elbasan dhe ajo Berat-Tepelenë. Sipas deklarimeve të herëpashershme, por ende pa konfirmuar zyrtarisht një shifër, qeveria parashikon që ndërtimi i rrugës Berat-Tepelenë të kushtojë rreth 410 milionë euro, segmenti tjetër i Boshtit të Jugut, Tiranë-Elbasan e ka koston e përafërt rreth 170 milionë euro dhe po kaq do të kushtojë segmenti me një tunel të Rrugës së Arbrit. Pra një parashikim që tenton të kapë shifrën prej rreth 1 miliard eurosh dhe afati fundor i paracaktuar për përfundimin e tyre është viti 2013. Por çështja tashmë shtrohet se ku do të gjenden paratë për financimin e tyre. Me gjithë premtimet e qeverisë për të mos i prekur këto projekte, në buxhetin e shtetit ende nuk është përcaktuar se sa do të jenë fondet që qeveria do të japë në vitin 2010 për to. Buxheti aktual nuk të jep asnjë sinjal se financimet e parashikuara aty në zërin e investimeve kapitale do të jenë të mjaftueshme për këto tri vepra të mëdha. Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit, në vitin 2010 fondi për ndërtimin e rrugëve ka rënë me 30 për qind dhe nga 52.7 miliardë lekë që ishte vitin e kaluar është ulur në 36.9 miliardë lekë, duke përfshirë edhe financimet e huaja. Me këto shifra edhe nëse qeveria do t’i përqendrojë të gjitha paratë e investimeve në këto tri projekte, sërish nuk do t’ia dalë t’i financojë ato brenda afateve. Ndaj në këtë pikë, shpresa e vetme mbeten sërish kreditë nga donatorët, të cilat do të lehtësonin disi koston e buxhetit, por duket e vështirë tashmë që Shqipëria nuk përfiton dot më nga kreditë e buta dhe nuk e ka më luksin për të rritur borxhin, që është sakaq në nivelet më të larta.
#