E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia nuk vdes kurrë

Nga Athina, RAMADAN BIGZA

Një homogjen grek, Savidhis, i premton ekipit 1 milion euro shpërblim

Ky është një nga titujt më interesantë të botuar menjëherë pas fitores së Greqisë me Rusinë. Greqia nuk vdes kurrë është një titull, që ndoshta si asnjëherë nuk ka hyrë aq natyrshëm në jetën e helenëve teksa në Greqi zhvillohen zgjedhjet, që mund të ndajnë dy epoka.

Ndërsa sytë e Europës janë drejtuar në Athinë, mesazhi i grekëve në Europian është mëse i qartë. Të duket se fitorja dhe kualifikimi i mëtejshëm i tyre në kampionatin europian është si të thuash ajo çfarë mund të prodhojë fushata zgjedhore.

Me metal të epokës së Oto Rehagel, me një Fernando Santos maestro në pankinë, me shënues Jorgos Karagunis, i cili arriti shifrën 120 të pjesëmarrjeve dhe me të gjithë lojtarët me pasion të tepërt, kombëtarja greke fitoi 1-0 ndaj asaj të Rusisë, mori rezultatin që donte dhe u kualifikua në 8-tëshen e Euro 2012, ku ndoshta gjen në rrugën e saj Gjermaninë, më 22 qershor në Gdansk.

Homogjeni grek Savidhis premtoi 1 milionë euro shpërblim

Një ekstra prim fituan lojtarët e kombëtares greke pak orë para ndeshjes kritike me Rusinë. Kush është ai? Përgjigjja vjen nga Selaniku dhe PAOK-u. Lojtarët e Fernando Santos dhe i gjithë formacioni grek u njoftuan se kandidati investues i PAOK-ut, Ivan Savidhis jap prim 1 milion euro në rast kualifikimi në 8-tëshen e Euro 2012.

Jap 1 milionë euro si shpërblim për kombëtaren greke në rast se do të fitojë dhe do të kualifkohet në fazën tjetër të Euro 2012, – ishte deklarata e Ivan Savidhis, e dhënë zyrtarisht nga zyra e shtypit e PAE PAOK. Eshtë e dukshme se Savidhis ka dëshirë që të merret dhe të luajë rol aktiv në futbollin grek.

Eposi i Polonisë

Me një gol-dinamit të Jorgos Karagunis në kohën shtesë të pjesës së parë, Greqia arriti atë që dukej e paarritshme. Fitoi 1-0 ndaj Rusisë në Varshavë dhe kaloi në 8-tëshen e Euro 2012.

Ariu që dukej favorit  i padiskutueshëm për kualifikim u eliminua para kohe. Kombëtarja greke bëri lojën më të mire në turne dhe tashmë pret kundërshtarin e radhës të saj, që sipas çdo mundësie është Gjermania.

Greqia hyri fort në lojë dhe u përpoq të mos pësonte gol, ndërsa shpesh herë ndodhej në zonën kundërshtare dhe përpiqej të shënonte. Mbrojtja luajti shkëlqyeshëm dhe objektivi i parë u arrit. Dukej se pjesa e pare do të përfundonte barazim 0-0, por diku atje goditi Karagunis, që në ndeshjen e 120-të të tij shënoi golin e vetëm dhe e çoi kombëtaren greke në fazën e ardhshme të Euro 2012.

Në pjesën e dytë Greqia ishte shumë e kujdesshme dhe me mbrojtje të shtrënguar eliminoi çdo kërcënim të rusëve, por edhe u përpoq të shënonte edhe një gol të dytë.

Fërshëllima e përfundimit i gjeti lojtarët grekë duke festuar edhe një tjetër sukses shumë të madh. Pikërisht me të njëjtat arritje si ato të Euro 2004 (1 fitore, 1 barazim, 1 humbje), kombëtarja greke u kualifikua në çerekfinale.

Santos, strategu portugez i Greqisë

Greqia nuk mund të fitonte ndaj Rusisë dhe të kualifikohej për më tej, nëse skuadrën helene nuk do ta drejtonte një strateg si trajneri Fernando Santos. Ai e drejtoj mjeshtërisht skuadrën, duke qenë ai njeriu i fitore. Santos fitoi një betejë taktike ndaj Advokat, trajnerit holandez të Rusisë.

Askush nuk e besonte se skuadra e drejtuar prej tij do të fitonte e të kualifikohej, madje kur vetë Santos foli para disa ditësh për një objektiv të tillë, pak kush e mori si të vërtetë. Por Santos me fitoren e arritur tregoi se është një strateg, që mund ta drejtojë skuadrën greke drejt shtigjeve të pashkelura.

Festa e fitore nuk kishte atmosferën e festës

Greqia fitoj ndaj Rusisë, madje kualifikimi i mëtejshëm i saj kishte aromën e fitores së Euro 2004, por kjo festë i mungoi kryeqytetit grek. Në Athinë nuk u dëgjuan si herë të tjera të shtënat as fishekzjarret e shumta, as boritë e zakonshme në ngjarje të gëzueshme sportive.

Grekët, si asnjëherë ndoshta në jetën e tyre po përjetojnë ditët e vështira të krizës. Kriza u ka ngrirë buzëqeshjen, kriza u ka bërë që edhe gëzime të tilla të mbeten vetëm gëzime.

Goli i Karagunis, fitorja e vështirë dhe e bukur e grekëve ndaj Rusisë, kualifikimi i mëtejshëm i tyre në Euro 2012 dhe entuziazmi i 3500 grekëve në stadiumin e Varshavës, nuk arritën të sjellin në Athinë, buzëqeshjen karakteristike greke.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›