E Diel, 1 Nëntor 2026

KRENARIA E KARAGUNISIT: E dashur Merkel, tani meritojmë respekt!

Përgatiti: DENIS HAKANI

Lideri i kombëtares helene i ka dhënë një shkelm krizës që ka mbërthyer Athinën dhe ia ka kushtuar fitoren popullit të tij: Një dhuratë për njerëzit tanë në këto orë të vështira

Zonja Kancelare, e dini që në çerekfinale Gjermania juaj mund të përballet me Greqinë? Anxhela Merkel, që në Athinë në këto kohë është po aq simpatike sa një faturë dritash, e kishte thënë: Bëjmë të gjithë tifozllëk për Samaras.

Ajo fliste për Antonis, lideri konservator i partisë Neo Demokratike, ajo që pasi e ka çuar Greqinë buzë greminës, sot po mundohet ta mbajë gjallë falë oksigjenit të Europës.

Heroikë - Nuk e dinte, Kancelarja, se ka edhe një tjetër Samaras, më i ri, më i gjatë, më i pashëm, nga dita e shtunë edhe më popullor, se homologu i tij politik. Askush nuk e priste një ndeshje të tillë nga Giorgos.

E mbushur me krenari dhe zemër, shpërthime dhe djersë. Ka dhënë shumë goditje dhe ka marrë po aq. Si shokët e tij të skuadrës, si kapiteni i tij, ai Karagunis, Giorgos edhe ai, që të shtunën është bërë lojtari me më shumë ndeshje i të gjithë kohërave në kombëtaren helene, ka shënuar golin e kualifikimit dhe pas vërshëllimës së fundit, me vështirësi, ka përmbajtur lotët e gëzimit.

Ai, hero i një ndeshjeje që do të mbetet në sytë dhe në zemrat e çdo greku për shumë kohë. Ka qenë një mbrëmje shumë e rëndësishme për vendin tonë, – ka thënë ai, – donim ti bënim një dhuratë popullit tonë në këtë moment kaq të vështirë.

Jam shumë i emocionuar, ka qenë me të vërtetë ndeshja më e bukur e karrierës sime, ndoshta e dyta pas fitores së Europianit në 2004-ën.

Leksion rusëve – Të shtunën në mesditë, e ka thënë edhe kryeministri italian Mario Monti: Europa ka besim te Greqia. Pikërisht, Greqia e Karagunis dhe Samaras dje është kthyer të votojë,

por pa perspektiva të mëdha: nëse fiton blloku konservator, mbetet në Eurozonë duke derdhur lot dhe gjak tjetër; nëse mbizotëron Siriza e Tsipras, ndoshta do të kthehet dhramia dhe në atë pikë askush nuk mund të thotë se si do të përfundojë?

Ndërkohë, të shtunën Greqia ka mbijetuar në mënyrë heroike në Euro 2012. Kemi eliminuar rusët e pasur…, ka thënë Karagunis. E di mirë se grekët nuk arrijnë më të paguajnë faturat dhe ndërmarrjet e gazit dhe elektricitetit nuk dinë më si ti paguajnë furnizimet e kompanisë ruse Gazprom. E ardhmja mbetet një vrimë e errët, por të paktën të shtunën ka ardhur një gëzim…

Sulm dhe mbrojtje – Ka qenë një ndeshje epike, një futboll antik: një gol i gjetur rastësisht dhe pjesa tjetër e ndeshjes në mbrojtje për të ndalur sulmin rus. Fernando Santos, portugez me fytyrë greku për shkak të atij trishtimi në sy, ka thënë me krenari:

Unë ndihem grek dhe do të doja ti thoja Merkelit se nuk ka popull më antik dhe demokrat se ky. Meritojmë respekt. Në lidhje me ndeshjen, ka thënë vetëm se: Zoti ka qenë me ne.

Rusia që është kthyer në shtëpi me lojtarët e saj të llastuar dhe trajnerin mendjemadh, meriton vetëm pak rreshta. Kemi pasur shumë raste për të shënuar, – ka thënë Advokat, – ata thjesht janë mbrojtur. Kështu e ka futbolli, Dik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›