Ledio Koçi, në planet e Lushnjës dhe Pogradecit
Sulmuesi ka pasur kontakte me drejtuesit e këtyre dy skuadrave, por thotë se gjithçka do të bëhet me ndërmjetësinë e klubit gramshiot
Sulmuesi gramshiot, Ledio Koçi, i cili u rendit në 5-shen më të mirë në listën e golashënuesve për kampionatin e fundit, ku shënoi 15 gola, duket se është një nga më të kërkuarit në merkaton verore.
Ky lojtar mësohet se ka oferta konkrete nga disa skuadra të njohura në vend. Lushnja është e para që ka nisur kontaktet me sulmuesin e talentuar, por sinjale për të kanë lëshuar edhe drejtuesit e Kukësit, që sezonin e ri do të jetë pjesë e Superligës.
Vetë bomberi pohon se është telefonuar edhe nga një zyrtar i klubit pogradecar, por sqaron se gjithçka do të zhvillohet me ndërmjetësimin e klubit gramshiot, sepse më parë ofertat duhet ti gjykojë edhe skuadra mëmë.
”E vërteta është se jam kontaktuar nga Lushnja dhe nga Pogradeci, ndërsa sa i takon Kukësit, është më tepër dëshira e një shokut tim, që aktualisht është lojtar i kësaj skuadre.
Gjej rastin ti falënderoj në mënyrë të përzemërt të gjithë ata që më vlerësojnë, por dua që ofertat ti kalojnë zyrtarisht klubit gramshiot, që më pas ne të arsyetojmë dhe ti bëjmë llogaritë ashtu si duhet. Duke qenë se jam banor i Gramshit dhe titullar në ekip, gjykoj se përgjegjësitë dyfishohen, aq më tepër që edhe nga pikëpamja financiare jam trajtuar në mënyrë korrekte.
Mendoj se këto oferta kanë anën pozitive, teksa më motivojnë për të ardhmen dhe më bëjnë më të përkushtuar në stërvitje dhe në ndeshje”, – u shpreh për Sportin shqiptar sulmuesi gramshiot, Ledio Koçi.
Nga ana tjetër, mësohet se sulmuesi Koçi, por edhe disa lojtarë të tjerë gramshiotë, siç janë Trashi, Marishta dhe portieri Koçi, kanë nisur seancat stërvitore në mënyrë individuale, duke i paraprirë qëndrueshmërisë së formës së mirë fizike.
Ndërkaq, grupi i lojtarëve është në pritje të shqlyerjes përfundimtare financiare, pasi ka për të marrë edhe një rrogë të prapambetur. Pas likujdimit të plotë, mendohet se një pjesë e lojtarëve të Gramshit mund të ”shtegtojnë” në skuadra të tjera, ndërsa pjesa më e madhe e titullarëve duhet të rinovojnë kontratat edhe për një sezon.Nga burime brenda klubit sqarohet se ka nisur procedura nga zyra e financave pranë bashkisë për dhënien e rrogës së majit për lojtarët.
