E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia numëron orët, të hënën Eurogrup vendos për ndihmën

ATHINE - Vështirësitë që ekzistojnë ende në gjirin e Eurogrupit për miratimin e kredisë së re për Greqinë, ishin në qendër të takimeve që kryeministri grek, Lukas Papadhimos zhvilloi me liderët e PASOK-ut dhe Demokracisë së Re, Jorgos Papandreu dhe Antonis Samaras.

Papadhimos i informoi dy liderët politikë të partive që mbështesin qeverinë, për telekonferencën e Eurogrupit dhe qëndrimin e partnerëve të Greqisë. 

Sipas zëdhënësit, qeveria greke i ka plotësuar të gjitha angazhimet që iu kërkuan, që janë të mëse të mjaftueshme. "Janë përmbushur gjithë kushtet dhe presim që të hënën çështja të mbyllet pozitivisht", deklaroi ai.

Zëdhënësi e bëri të qartë se nuk është artikuluar asnjë pretendim i ri nga partnerët. 

Çështja e llogarisë së posaçme që është shtruar në tavolinë, mbetet ende e hapur, dhe përderisa bisedimet nuk kanë përfunduar, qeveria nuk bën asnjë koment.

Lidhur me kohën e mbajtjes së zgjedhjeve, zëdhënësi Kapsis deklaroi kategorikisht se nuk u diskutua në takimet e kryeministrit me liderët partiakë. 

Sipas disa informacioneve, Gjermania, Holanda, Luksemburgu dhe Finlanda, ndonëse e kanë pranuar gjithë programin ekonomik, vazhdojnë të kenë rezerva serioze dhe janë mosbesuese nëse Greqia do të mundë ta zbatojë programin. 

Sot në mesditë, kancelarja gjerane Merkel, kryeministri grek Papadhimos dhe ai italian Monti, zhvilluan një telekonferencë, para mbledhjes vendimtare të Eurogrupit të hënën. "Në fund të kësaj bisede, tre pjesëmarrësit shprehën besimin e tyre se Eurogroup të hënën do të jetë në gjendje të arrijë marrëveshje mbi Greqinë," tha në një deklaratë qeveria italiane.

Ndërkaq në mbrëmje erdhi një tjetër deklaratë. "Jemi shumë larg nga objektivi për uljen e borxhit grek në 120 % të PBB", tha kreu i Eurogrup Jean-Claude Juncker, vetëm disa orë para se të fillojnë në Eurogrup diskutimet kritike për çështjen greke. "Shpresoj që zyrtarët e eurozonës të gjejnë një mënyrë për të afruar objektivin deri në mbrëmje të dielën", tha Junker, duke shtuar megjithatë se shumë punë mbetet për t'u bërë.

Deklaratat e Juncker dobësojnë optimizmin e kryeministrit grek Papadhimos, atij italian Monty dhe kancelares Merkel, sot gjatë një videoconference.

Lidhje te tjera Ministri gjerman Schäuble: Ne nuk jemi të pashpirt

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›