E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia pa qeveri. Shansi i fundit tek presidenti Papulias

ATHINE - Presidenti Karolos Papulias është duke u përgatitur të zhvillojë bisedime me liderët e partive parlamentare greke, në përpjekjen e fundit për të krijuar një qeveri emergjence.

PASOK u bë partia e tretë, pas ND dhe SYRIZA, që dështoi në bisedimet për qeveri koalicioni dhe udhëheqësi i saj i ktheu sot mandatin presidentit. Venizelos e informoi presidentin për rezultatet e negociatave të tij, duke vënë në dukje se përpjekjet duhet të përqëndrohen tani te SYRIZA, PASOK, ND dhe DIMAR, por theksoi se duhet një angazhim i qartë veçanërisht nga SYRIZA, për një qeveri me mandat dy-vjeçar, me kusht qëndrimin e Greqisë në euro dhe përmirësim të madh të Memorandumit. 

Presidenti do të thërrasë ndoshta që nesër për konsultime kryetarët e ND, SYRIZA dhe PASOK, ndërsa me krerët e tjerë politikë do të ketë kontakte individuale. Kushtetuta parashikon që në konsultime të ftohen të gjithë liderët e partive që kanë arritur të hyjnë në parlament, duke përfshirë kështu edhe neonazistin Nikolaos Mihaloliakos, por sipas konstitucionalistëve, presidenti nuk është i detyruar t'i ftojë të gjithë pa përjashtime. "Unë e shoh pjesëza optimizmi, por gjërat janë të vështira dhe përpara kemi ngjarje të rëndësishme. Të hënën mblidhet ECOFIN dhe Eurogroup dhe javën e ardhshme është samiti i BE dhe NATO", tha Papulias.

Nëse oferta e presidentit dështon, një tjetër proces zgjedhor do të duhet të zhvillohet, ndërkohë që të dielën e shkuar, votuesit e shpërndanë votën mes palëve, që bien ndesh, në mënyrën sesi duhet të trajtojnë marrëveshjen e borxhit, e cila kërkon shkurtime të thella buxhetore. 

Duket se në rast të përsëritjes së zgjedhjeve, qytetarët do të jenë më të kthjellët për të drejtuar votën e tyre. Sipas sondazheve të fundit paszgjedhore, rezulton se SYRIZA e Aleksis Cipras del forcë e parë me 128 vende në parlament. Në vend të dytë Demokracia e Re dhe e treta sërish PASOK. 

Në anën tjetër, paralajmërimet e Brukselit e Berlinit për Greqinë, sa vijnë e ashpërsohen dhe mediat ndërkombëtare bëjnë parashikime gjithmonë e më të errëta.
Lidhje te tjera SYRIZA e Agimi i Artë, dy forcat që tronditën skenën politike greke Greqi, sondazhi: Nëse përsëriten zgjedhjet, SYRIZA del forcë e parë Brukseli e Berlini: Eurozona mund t'ia dalë dhe pa Greqinë BE, Van Rompuy: Drejtuesit grekë më shumë përgjegjësi kombëtare SHBA, shqetësim dhe shpresë për zhvillimet në Greqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›