Greqia përfshihet nga protestat

Kryeqyteti helen është përfshirë nga protesta të fuqishme mëngjesin e kësaj të diele. Turma të irrituara vërshuan rrugëve të qytetit, pasi një polic qëlloi për vdekje një adoleshent në Athinë, protesta që kanë shkaktuar trazira të paprecedentë civile që nuk mbahen mend prej shumë vitesh. Protestat filluan të shtunën në mbrëmje në Athinë, pas të shtënave në zonën qendrore të kryeqytetit, Eksarkia, ku të rinjtë hodhën bomba molotov ndaj policisë, dogjën dhjetëra makina dhe thyen xhamat e shumë dyqaneve. Shumë shpejt protesta filloi në Selanik dhe në qytete të tjera veriore të Greqisë. Edhe ishujt turistikë të Korfuzit dhe Kretës u përfshinë nga protestat, çka detyroi ministrin e Brendshëm, Prokopis Pavllopulos të paraqiste dorëheqjen, edhe pse kryeministri grek, Kostas Karlamanlis nuk e pranoi atë. Dy oficerë policie u arrestuan për ngjarjen dhe po merren në pyetje për incidentin. Oficerët thanë se makina e tyre u sulmua nga 30 të rinj dhe gjatë kohës kur ata po përpiqeshin të arrestonin adoleshentët, ata u sulmuan përsëri. Pas pak çastesh, njëri nga oficerët hapi zjarr duke vrarë një prej adoleshentëve.''Kjo është hera e parë që nga viti 1985 që policia vret një adoleshent'', tha një zëdhënës i policisë. Një zyrtar i shëndetësisë tha se djali ishte 15 vjeç. ''Vrasës me uniformë!'' ishte parulla e qindra të rinjve përballë selisë qendrore të policisë në Athinë.