Halimi: Bamir Topi bllokoi anëtarët e rinj të KLD-së

Halimi, Beçaj dhe ambasadori Sekui, dje në konferencë
Ministri: Emërimet në Tiranë e Durrës, me njohje dhe influencë.
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, akuzoi dje Presidentin Bamir Topi se ka bllokuar për një kohë emërimet e anëtarëve të rinj në KLD. Deklarata u bë në një konferencë ku morën pjesë ambasadori i BE-së në Shqipëri, Etore Sekui, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi dhe kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Tryeza Për ndryshimin e ligjit “Për Konferencën Gjyqësore Kombëtare” ishte organizuar nga EURALIUS. Në diskutime merrnin pjesë edhe aktorë të tjerë të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, ku u trajtua rëndësia e madhe e miratimit të këtij projektligji. Në fjalën e tij, ambasadori Sekui deklaroi se që të kryhet reforma në sistemin gjyqësor, duhet “bashkëpunim mes forcave politike”. Që nga dhjetori 2008, kur Gjykata Kushtetuese shfuqizoi si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë ligjin nr. 9399, datë 12.05.2005 “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare” e aktualisht konferenca ka mbetur pa një ligj.
HALIMI
Duke shprehur rëndësinë e miratimit të projektligjit, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, u shpreh se misioni më i rëndësishëm i Konferencës Gjyqësore Kombëtare është përzgjedhja e anëtarëve të KLD-së. “Zgjedhja e anëtarëve të KLD-së nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare është procesi më i rëndësishëm për çdo njeri të sistemit të drejtësisë. Është absolutisht e papranueshme në një shtet të së drejtës, ku sundon ligji, që transferimet në gjykatat e karrierës dhe promovimet të bëhen duke përjashtuar konkurrimin dhe marrjen parasysh të vlerave e meritave. Nuk ka nevojë të jesh ministër të dish se transferimi në Tiranë e në Durrës është dëshirë e çdo gjyqtari e prokurori. Mirëpo, kur këto lëvizje bëhen pa asnjë kriter, pa konkurrim, pa vlerësim, por vetëm mbi baza njohjesh e influencash, absolutisht i kemi bërë sistemit të drejtësisë atentatin më të frikshëm”, u shpreh ministri Halimi. Duke përmendur miratimin në Komisionin e Ligjeve të projektligjit për Gjykatën Administrative pak ditë më parë, ministri Halimi shprehu bindje për bashkëpunimin e opozitës. “Unë jam i bindur se edhe opozita do të japë konsensusin e saj për miratimin në Kuvend”, tha Halimi.
BEÇAJ
Bashkëpunim mes forcave politike u kërkua dje edhe nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, njëkohësisht kryetare e Konferencës Gjyqësore Kombëtare, Shpresa Beçaj. “Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje forcave politike, në cilësinë time si kryetare e Konferencës Gjyqësore, që të angazhohen maksimalisht dhe në mënyrë konstruktive për të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur me qëllim për të bërë të mundur miratimin e këtij ligji të rëndësishëm për Gjyqësorin shqiptar”, u shpreh Beçaj. Me herët Beçaj sqaroi se mosmiratimi për një kohë të gjatë i këtij ligji themelor për funksionimin e Gjyqësorit, ka mohuar të drejtën e komunitetit të gjyqtarëve për të përçuar në opinionin publik apo institucionet zërin e tyre për sfidat dhe problemet që kalon Gjyqësori shqiptar.
ARMAND BAJRAMI