E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia rrezikon të bëhet si Turqia

Situata e tensionuar po vazhdon në Greqi, ku punonjësit grekë kanë filluar grevën 24 orëshe në shenjë solidariteti kundër mbylljes së përkohshme të televizionit dhe radios publike, ERT.

Vetë kryeministri grek Antonis Samaras, e ka cilësuar televizionin shtetërore si "simbol të errësirës” dhe këto deklarata kanë shkaktuar reagime të zemëruara.

Samaras akuzoi punonjësit se kishin privilegje dhe rroga të larta e megjithatë bënin greva për ngjarje të rëndësishme e optimiste në Greqi, duke mos i pasqyruar ato për publikun. "Ne nuk kemi asgjë me punonjësit, madje të gjithë do të kompensohen në mënyrën më bujare", siguroi ai.

"Qeveria do t'i japë vendit një televizion të vërtetë publik, më të mirë dhe me më pak personel", deklaroi kryeministri.

Vendimi për mbylljen e Radiotelevizionit shtetëror grek, ERT, ka krijuar një hendek të gjerë tek partnerët e koalicionit qeverisës. Liderët e PASOK –ut dhe DIMAR-it në koalicionin qeverisës kanë cilësuar të papranueshme mbylljen e ERT-së.

Edhe në këtë pikë Samaras është shprehur i vendosur se “nëse duan ta rrëzojnë qeverinë, le ta bëjnë”.

Pas bisedave telefonike që patën sot kryeministri Samaras me dy aleatët e tij, u vendos që një takim tre palësh mbi këtë çështje, të zhvillohet të hënën. Takimi i liderëve politikë do të zhvillohet për të thyer bllokimin politik dhe për të mos çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, që do të ishin shkatërruese për vendin.

Mbyllja e televizionit është bërë për të ndihmuar Greqinë për të përmbushur detyrimet e borxhit për shpëtimin e saj.

Në grevën 24 orëshe janë përfshirë punonjësit e spitaleve, shkollave, bankave si dhe kontrollorët e trafikut ajror nga ora 15-17 si dhe shumë sektorë të tjerë. Sindikatat greke e kanë quajtur këtë vendim të qeverisë si një lloj “grusht-shteti” dhe një sulm drejt lirisë së shtypit. ERT-ja , është mbyllur të martën, duke lënë më shumë se 2,700 punëtorë pa punë.

Duke folur për punonjësit e ET3 në Selanik kreu i opozitës SYRIZA, Aleksis Tsipras siguroi se nuk do të ketë pushime nga puna në televizionin publik, duke shtuar se për të tjerët ky është "numërimi i orëve." “Unë shoh se zhvillimet politike të nisura tashmë, do të jenë të shpejta", tha Tsipras. "Angazhimi ynë është që ERT të bëhet simbol në luftën e popullit tonë për të rifituar dinjitetin dhe demokracinë", përfundoi kreu i SYRIZA.

Mbrëmë deri vonë dhe sot para ndërtesave të ERT në Athinë dhe Selanik qëndrojnë punonjësit e televizionit dhe shumë qytetarë që janë kundër vendimit për mbylljen. “Le të bëhet Greqia Taksim”, dëgjohet në bisedat mes tyre. Ndërkohë TV vazhdon të transmetojë online dhe iu bën thirrje qytetarëve për protesta të reja./Indeksonline./

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›