E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia, shqetësim në FMN, BE, G8 dhe në shtypin botëror

ATHINE - Parlamenti grek i dalë nga zgjedhjet e 6 majit, zgjodhi me 170 vota kryetarin, Viron Polidoras, përpara se të shpërndahet pas disa orësh për të thirrur zgjedhjet e reja, duke u bërë kështu parlamenti më jetëshkurtër në historinë e pasluftës.  

Ndërkaq FMN ka njoftuar se anulon kontaktet me Greqinë, deri në formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 17 qershorit. “Presim të fillojmë kontaktet me qeverinë e ardhshme greke menjëherë pas formimit të saj” deklaroi përfaqësuesi i FMN-së, David Choouli, duke lënë të kuptohet se FMN nuk do të bisedojë më qeverinë e përkohshme. "Misioni ynë do të shkojë në Athinë pas zgjedhjeve, por nuk kam asnjë datë specifike", shtoi z. Choouli. Në lidhje me një largim të mundshëm të Greqisë nga euro, ai tha: "Duhet të jemi të përgatitur teknikisht për cdo rast”, ndërsa pyetjes për mundësinë e dhënies së një kësti të jashtëzakonshëm në rast se fondet publike të vendit përballen me problem urgjent, tha se “Greqia u financua kohët e fundit në kuadër të programit të dytë të ndihmës”. 

Komisioneri Evropian Karel de Choucht tha sot në një intervistë se “Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane duhet të përgatisin një plan emergjence, për të adresuar skenarin e daljes së Greqisë nga euro”. Kjo deklaratë duket të jetë konfirmimi i parë nga një zyrtar i lartë i BE-së, që pohon se janë planet për të përballuar daljen e mundshme të Greqisë nga monedha e përbashkët. 

Ndërkohë presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Athinë, deklaroi për një radio gjermane se “dalja e Greqisë nga eurozona nuk do të jetë një fund i keq, por fillimi i një të keqe edhe më të madhe". "Unë nuk them se ky opsion nuk ekziston, por e konsideroj atë shumë të rrezikshëm", theksoi Schulz, i cili ka në axhendën e takimeve presidentin Papulias ashtu si dhe kreun e SYRIZA, Aleksis Cipras. "Mendoj se askush nuk do të mund të ndryshonte mendimin e Cipras", i cili kategorikisht refuzon politikën e ashpër të zbatuar në Greqi nga viti 2010, pranoi kryetari i Parlamentit Evropian.

Kriza greke dhe situata e përgjithshme në zonën e euros pritet të jetë në fokus të diskutimeve të Samitit të G8, i cili do të mbahet sot dhe nesër, para samitit të NATO-s. Në takimin e G8 do të diskutohen edhe politikat e balancimit të masave të kursimit dhe rritjes ekonomike, për të shmangur ngjarjet që mund të rrezikojnë kohezionin e Eurozonës.

Situata në Greqi është edhe në qendër të shtypit botëror. Revista britanike The Economist, e parashikon të zymtë të ardhmen e Greqisë jashtë euros, por edhe të eurozonës, pa Greqinë. “Nuk është ide e mirë për Greqinë të largohet nga euro, por erdhi momenti që ajo të përgatitet për largimin e saj” shkruan revista.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›