E Diel, 1 Nëntor 2026

USAID, Arvizu: Mbështesim vendorët, Berisha: Do ndajmë të ardhurat me to

TIRANE- Prezantohet projekti i USAID për qeverisjen lokale. I pranishëm në këtë aktivitet, ambasadori Aleksandër Arvizu deklaroi se SHBA mbështet qeverisjen lokale, ndërsa bëri apel për bashkëpunim mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore.

“Shqipëria ka hyrë në rrugëtimin e saj të tretë drejt një qeverisje të decentralizuar dhe demokratike. Teksa nisim këtë projekt u bëj thirrje për bashkëpunim. Të ecurit përpara kërkon që qeveritë të përmbushin detyrimet, kërkon dialog të hapur mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore, besim, kërkon që transferimi i burimeve të jetë i drejtë dhe transparent. Kërkon që rritja urbane të jetë më e mirëmenaxhuar", tha ai.

Arvizu shprehu më tej besimin se, Shqipëria dhe qeveria vendore do mund t’i tejkalojë sfidat që ka përpara.

“Kam besim se do t’i pranoni këto sfida dhe do bashkëpunoni, ne premtojmë mbështetjen tonë. Më e rëndësishme se mbështetja është udhëheqja politike”, tha Arvizu më tej. 

BERISHA: DIXHITALIZIM FISKAL, PËR SHQIPËRI TRANPARENTE
Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në prezantimin e projektit të USAID, “Planing and local governance project” se bashkëpunimi me USAID është një nga historitë më të shkëlqyera të suksesit me projektet në vend, pasi ka ndihmuar në rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit. 

Kryeministri Berisha theksoi se në projektin më të ri të USAID do të ridimensionohet decentralizimi fiskal, për një transparencë më të madhe karshi qytetarëve. Berisha u bëri thirrje vendorëve që të mbledhin taksën e pasurisë, si taksë kryesore të qytetarëve, ndërkohë bëri me dije se qeveria është e gatshme të ndajë me qeverisjen vendore të ardhurat, nëpërmjet një baze ligjore transparente.

“Njëra anë është se nuk ka ecur për motive politike decentralizmi fiskal, marrëveshja e arritur me shoqatat nuk u miratua në parlament. Kjo është e shkuara. Në këtë projekt do të ridimensionohet decentralizimi fiskal si kusht për decentralizimin në përgjithësi. Qeveria është e gatshme të ndajë me ju të ardhurat fiskale mbi bazë ligjesh transparente. Nuk duhet të kemi pengesa në dixhitalizimin fiskal, por ju e dini se cila është përqindja e taksës së pasurisë që është kryesore për ju”,- deklaroi Berisha. 

BASHA: GATI TË PËRBALLOJMË ÇDO SFIDË
Kryebashkiaku Basha pasi falënderoi qeverinë e SHBA dhe misionin e USAID për financimin e projektit që mbështet Bashkinë e Tiranës, u shpreh se para tij ka shumë sfida, të cilat do mund të zgjidhen vetëm me bashkëpunim mes qeverisjeve.

“USAID do mbështesë projektet e Bashkisë së Tiranës. Ne vetë nuk mund të kishim përkufizuar më mirë sfidat, pasi përballemi me sfida të përditshme, kemi zgjidhur disa prej tyre, por ende mbetet për tu bërë. Ne jemi qeveria më pranë qytetarëve dhe duam të japim më shumë zgjidhje për qytetarët”, tha ai.

Kryebashkiaku theksoi se moto e bashkisë që ai drejton është shërbimi i shpejtë dhe i mirë, ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
“Brenda këtij viti lejet dhe licencat do mund të realizohen on line. Plani i ri i Bulevardit që do prezantohet sot rreth mesditës, do diskutohet me qytetarët është një garanci suksesi, pasi shmang çdo praktikë korruptive”, u shpreh Basha. 

NIKO PELESHI: TË NDAJMË EKSPERIENCAT
Kryebashkiaku i Korcës Niko Peleshi deklaroi se përfshirja e Bashkisë Korcë në projektet e USAID tashmë është reduktuar informaliteti dhe është rritur transparenca.
(ma.ar/e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›