E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, agoni pa fund. "Në ajër" takimi i liderëve politikë

ATHINE - Takimi i kryeministrit Lukas Papadimos me liderët politikë, për mbylljen e marrëveshjes për reduktimin e borxhit dhe kredinë e re, mbetet sërish pezull, pasi kreu i LAOS ka kërkuar kohë të studiojë memorandumin e hartuar nga Trojka, një dokument prej 16 faqesh me masat e reja që janë sugjeruar. 

Karaxhaferis i ka telefonuar kryeministrit dhe i kërkoi kohë për të përkthyer dhe studiuar planin e Trojkës. “Kërkohet studim i thellë” – ka thënë Karaxhaferis, sipas të cilit “djalli fshihet në detaje”.

Kryeministri pati gjatë orëve të fundit takime të vecanta me përfaqësuesit e Institutit Financiar Ndërkombëtar Josef Ackerman, Çarls Dalaras dhe Jean Lemier për procesin e shkëmbimit të bonove (PSI), dhe pastaj me përfaqësuesit e Trojkës në prani të ministrit Venizelos, për të finalizuar masat e kursimit, nga të cilat do të marrë rrugë miratimi i programit të ri të ndihmës për Greqinë.

Ndërkohë mbledhja e Eurogroup për Greqinë e cila ishte planifikuar fillimisht për sot, do të shtyhet edhe një ditë për t’i dhënë kohë të mjaftueshme Athinës, të përfundojë negociatat me Trojkën dhe me kreditorët private, por kjo situatë e re e krijuar mund t’i ndryshojë sërish gjërat.

Cfarë kërkohet nga Trojka dhe cfarë është arritur? 

Miratimi i masave që do të sigurojnë kursime në vlerën 3,2 miliardë euro, (1,5% të PPB), përbën kusht për për kredinë e re të ndihmës prej 130 miliardë Euro dhe reduktimin e borxhit grek. 

Sipas shtypit, deri të mërkurë në mëngjes, ishte arritur marrëveshja për masa me vlerë 2,5 miliardë euro, por kërkohen masa të tjera, me vlerë 700 milionë euro. 

Ndërmjet masave që janë mbyllur, përfshihen kursime me vlerë 1,1 miliardë euro në sektorin e shëndetësisë, 400 milionë euro reduktime në shpenzimet buxhetore, 400 milionë nga reduktimi i programit të ivenstimeve publike, si dhe 120 milionë euro nga uljet në kompensimet. 

Sa i përket regjimit të punës, Trojka insiston në uljen me 22% të pagës minimale, 25% të pensioneve suplementare, si dhe në elasticitetin e mëtejshëm të marrëdhënieve në punë, ndërkohë që bëhet e ditur se shpëton paga e 13 dhe e 14. 

Deklaratat 

“Unë do t’i votoj masat e reja, në qoftë se ato janë të ligjshme", ka thënë presidenti i LAOS Jorgos Karaxhaferis në një deklaratë.

Lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras, e ka cilësuar si "një mbikqyrje indirekte" propozimin e kancelares gjermane Merkel dhe presidentit francez, Sarkozy, për krijimin e një llogarie të veçantë që do të angazhojë ndihmën ndaj Greqisë për pagesën e interesave ndaj kreditorëve.

Lidhje te tjera Brukseli, gjithë vëmendjen tek Greqia

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›