E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, këtë javë pritet të shpallet data e zgjedhjeve

ATHINE - Deri të mërkurën e kësaj jave do të komunikohet data e saktë e zgjedhjeve parlamentare në Greqi, ndërkaq shtabet e partive politike po intensifikojnë aktivitetin e tyre paraelektoral. 

Sondazhet e fundit tregojnë se parlamenti që do të dalë nga zgjedhjet e ardhshme, do të ketë të paktën 9 parti, ndërkohë që opinioni ka konsoliduar bindjen se qeverisja me koalicion është më e dobishme për vendin nga sa një qeveri njëpartiake. 

Sondazhi i botuar në të përjavshmen “Proto Thema”, rezulton se Demokracia e Re mund të marrë 24% të votave, e ndjekur nga PASOK-u, me 16%.
Pastaj vijojnë Partia Komuniste (KKE), 8,6%, Koalicioni i të Majtës Radikale (SYRIZA) 8,5%, E Majta Demokratike (DIMAR) 8%, Grekët e Pavarur 7,5%, Hrysi Avgi 3,5%, LAOS 3,3%, Ekologët e Gjelbër 3%. Këto janë edhe partitë që sipas sondazheve kapin cakun e 3% dhe hyjnë në parlament. 

Megjithë shifrat që nuk premtojnë mbështetjen e shumicës, lideri i Demokracisë së Re, Antonis Samaras ka përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes duke theksuar se “bashkëqeverisjen e duan tre lloj interesash: së pari vetë PASOK-u, e dyta ata që nuk duan të ndryshojë asgjë në Greqi dhe së treti ata që duan një qeveri të dobët që ta mbajnë nën kontroll”. Samaras theksoi objektivin e tij për zgjedhjet. “Ne kërkojmë mandat të pastër nga populli grek, që të ndryshojmë gjithçka”, deklaroi ai. 

Kryetari i PASOK-ut, Evangjelos Venizelos, kritikoi dje kryetarin e Demokracisë së Re. "Shpresoja se tani që kemi hyrë në fazën përfundimtare të zgjedhjeve, z. Samaras do të kuptonte situatën. Por fjalimet e tij politike vijnë nga e kaluara e thellë partiake. Pa gjurmë autokritike, arrogante, me premtime me gjysëmfjalë dhe jo me një plan gjithëpërfshirës dhe përgjegjës për rindërtimin e vendit". 

Me këto përqindje mbështetje, të cilat megjithatë pritet të rriten deri ditën e zgjedhjeve, asnjë nga partitë nuk formon dot qeveri e vetme dhe një koalicion do të ishte i domosdoshëm për vazhdimësinë. Por deri tani Samaras e përjashton krejtësisht mundësinë e koalicionit me PASOK-un e Venizelos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›