E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greuther Furth e merr seriozisht:

Miqësorja e sotme me skuadrën e Bundesliga 2 gjermane, Greuther Furth, do të jetë edhe testi vendimtar për Kombëtaren e Shqipërisë para ndeshjes së të mërkurës kundër Suedisë në stadiumin e nordikëve, "Rasmunda". Në "Playmobil-Stadion", në orën 14:00, kuqezinjtë do të zbresin në fushë në një përballje miqësore, ku Kuzhe do të synojë t‘i japë dorën e fundit 11-shes titullare anti-Suedi dhe modulit të lojës që do të zgjedhë për ta përballuar kundërshtarin në këtë sfidë të rëndësishme. Me shumë mundësi moduli do të jetë ai i zakonshmi 4-2-3-1, i cili në katër ndeshjet e zhvilluara deri tani me kroatin në krye të përfaqësueses sonë ka rezultuar i suksesshëm. Ndërkohë që të pakta janë dilemat në lidhje me formacionin, pasi dyshimi i vetëm i momentit është balotazhi mes Hykës dhe Likës për krahun e majtë të mesfushës. Dje është shprehur në mediat gjermane edhe trajneri i Greuther Furthit, Beno Mëhlman, i cili duket se e ka marrë seriozisht këtë takim miqësor. Ai insiston se skuadra e tij duhet të ruajë ritmin e mirë, që ka shfaqur kohët e fundit, ndërkohë që i paralajmëron të tijtë se sot në fushë do të luhet një ndeshje e vërtetë, pasi Shqipëria sipas tij do të paraqitet me më të mirët e saj. "Shqipëria nuk ka më shanse për t‘u kualifikuar në Botëror, por para ndeshjes ndaj Suedisë, lojtarët e tyre duan të paraqiten mirë dhe të zhvillojnë një lojë të mirë", thekson trajneri Mëhlman.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›