PS: Duam hetim parlamentar, duke lënë rezultatin në fuqi

Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, reagon pas deklaratës së Patozit
TIRANË - Nuk ka vendim gjykate që ndalon hapjen e kutive të votimit. Ky është qëndrimi që përsëriti dje deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, pas deklaratës së kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, se hapjen e kutive e pengon vendimi i Kolegjit Zgjedhor dhe Kushtetuta.
"Nuk ka asnjë vendim gjykate që të ndalojë hapjen e kutive, ose hetimin e materialeve zgjedhore dhe dokumenteve zgjedhore, që ndodhet në kutitë e votimit nga ana e parlamentit.
Kjo është një e drejtë kushtetuese e padiskutueshme. Një hetim parlamentar ka të drejtë të dijë kontrollin se si është zbatuar ligji nga administrata shtetërore, pra nga administrata zgjedhore dhe në themel të kësaj është këqyrja, administrimi, hetimi i këtij dokumentacioni për të parë çfarë nuk ka shkuar mirë me zgjedhjet e së kaluarës, çfarë mund të bëjmë më mirë për të ardhmen", - tha dje Gjiknuri.
Ai theksoi se ka vetëm tre vendime gjykatash, për tre zona të caktuara, dhe bëhet fjalë për Tiranën, Fierin dhe Shkodrën, të cilat kanë të bëjnë me rezultatin zgjedhor.
"Gjykata hodhi poshtë pretendimin e PS-së, pra atë të drejtë të padiskutueshme që ne mendonim se dy anëtarë kishin të drejtë të bënin rinumërimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për efekt të rezultatit dhe këtë duhet ta keni të qartë. Partia Socialiste e ka pranuar përfundimisht rezultatin, pavarësisht gjenezës së këtij rezultati, pavarësisht problemeve që ka administrimi zgjedhor, pra kemi hequr dorë nga përmbysja e rezultatit", - tha Gjiknuri.
Ai shtoi se nuk është kompetencë e Kuvendit për t'u marrë me vendimin e gjykatës, apo për të diskutuar rezultatin. "Ajo ç'ka kërkojmë tani është të bëjmë hetimin parlamentar, duke lënë këtë rezultat në fuqi, duke lënë këto vendime gjykatash në fuqi, sepse nuk e kemi këtë kompetencë", - tha ai.