E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e invalidëve në ditën e 9-të, ende asnjë përgjigje për kërkesat

TIRANE- Greva e para dhe tetraplegjikëve ka rënë në vesh të shurdhët. Megjithëse kanë hyrë në ditën e nëntë të 'ngujimit' asnjë institucion shtetëror nuk ka denjuar t'u kthejë përgjigje për kërkesat e tyre. Ndërkohë që gjendja shëndetësore e 21 personave me aftësi të kufizuara të futur në këtë grevë urie përkeqësohet çdo ditë.

Kjo situatë alarmante nuk ka kaluar pa rënë në sy të Këshillit Britanik dhe ambasadën angleze në vendin tonë, të cilët të shqetësuar u kanë kërkuar institucioneve të takohen urgjentisht me grevistët dhe të gjejnë rrugët e zgjidhjes. Sidomos sa i përket Këshillit Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara, të cilët kanë punuar me OSBE dhe Këshillin Britanik për të krijuar një cilësi më të mirë të jetës për personat e kësaj kategorie. Megjithëse dje kanë mbyllur ditën e tetë të grevës së urisë, askush nga institucionet përgjegjëse duket se nuk e ka 'vënë ujin në zjarr' për kërkesat e tyre. Gjendja e tyre shëndetësore rëndohet çdo ditë, por për kërkesat ekonomike të përsonave para dhe tetraplegjikë nuk ka ende një përgjigje zyrtare.

Ndërkohë që mëngjesin e djeshëm 51-vjeçari, Adem Demushi, i cili vuante nga veshkat është dërguar në spital pasi gjendja e tij shëndetësore u rëndua së tepërmi. Duke iu referuar kësaj situate britanikët janë shprehur tejet të shqetësuar dhe me anë të një komunikate për shtyp, kanë kërkuar që të ndërhyhet urgjentisht për të zgjidhur situatën. "Ambasada Britanike dhe Këshilli Britanik në Shqipëri dëshirojnë të shprehin shqetësimin e tyre për grevën e urisë nga përfaqësuesit e komunitetit të personave me aftësi të kufizuara. Ne nxisim palët e përfshira që të angazhohen në dialog konstruktiv për të zgjidhur shqetësimet e tyre. Si hap i parë, ne inkurajojmë Këshillin Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara të takohen urgjentisht për të diskutuar çështjen. Mbretëria e Bashkuar beson se një shoqëri gjithëpërfshirëse, është një shoqëri dinamike. Këshilli Britanik ka punuar me OSBE-në për të forcuar Këshillin Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara, i cili synon të krijojë një cilësi më të mirë të jetës për njerëzit me aftësi të kufizuara.
(s.g/Balkanweb) Lidhje te tjera FOTO: Greva e invalidëve në ditën e 9-të, ende asnjë përgjigje për kërkesat

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›