E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plehrat e Fierit në flakë, rrezikohet treni i pasagjerëve

Një zjarr i rënë në fushën ku grumbullohen mbetjet urbane të Fierit ka shkaktuar re të mëdha tymi dhe ndotje masive në qytet dhe më gjerë. Flakët që janë diktuar nga punonjësit që shërbejnë e punojnë në këtë vendgrumbullimi mbetjesh kanë rrezikuar përveç një pike gazi të lëngshëm, linjën hekurudhor Lushnjë -Fier si dhe banesa të shumta që janë të ngritura përgjatë kësaj fushe. Flakët kanë nisur të intensifikohen sidomos pas një ere të fortë që nisi në orët e pasdites. Re të mëdha tymi kanë bllokuar edhe trenin e linjës Rrogozhinë-Vlorë. Ky i fundit, i mbushur me udhëtarë që kishin zgjedhur këtë linjë për të shkuar në qytetin bregdetar, ka ndaluar në hyrje të zonës së fushës së plehrave, rreth 3 km larg stacionit të trenit të qytetit. Për më shumë se gjysmë ore mashinistët janë përpjekur të qetësojnë pasagjerët dhe të ruajnë trenin nga zjarri. Njëri prej mashnistëve është shprehur se janë detyruar të ndalin trenin për shkak të reve të tymit flakëve dhe mungesës së pamjes. “Nuk mund të vijonim udhëtimin tonë në kushtet kur flakët kanë dalë sipër linjës hekurudhore dhe po kështu edhe retë e tymit na pengojnë fushëpamjen tonë. Pas marrjes së masave dhe ardhjes së zjarrfikësve dhe forcave të policisë, po nisemi drejt destinacionit. Udhëtarëve u bëmë me dije shkakun e kësaj ndalese të detyruar”, - tha ai.

Ndërkohë që flakët dhe tymi kanë detyruar banorë të zonës të largohen nga shtëpitë e tyre. Njëri prej banorëve tha se kjo situatë është e përhershme sa herë që digjen mbetjet urbane. Nuk mund të imagjinoni, - pohoi ai,- se çfarë ndodh këtu. “Tymi dhe ndotja na kanë shkatërruar jetën Fëmijët na janë sëmurur nga tymi dhe helmet që çlirohen në ajër prej zjarreve. Prej disa orësh kemi larguar nga shtëpitë familjet tona dhe i kemi dërguar pranë të afërmeve Kjo sepse retë e tymit dhe era e rëndë nuk mund të na lënë të jetojmë këtu.”

Në vendngjarje kanë mbërritur forca zjarrfikëse që kanë hedhur tonelata me ujë për shuarjen e vatrave të shumta të zjarrit. Ato janë ndihmuar dhe nga mjetet e ndërmarrjes së pastrim gjelbërimit. Ndërsa vijojnë të digjen mbetje urbane, ende nuk dihet se cili është shkaku i rënies së zjarrit. Paraprakisht mendohet se ai mund të ketë ardhur nga periferia e fushës së mbetjeve nga djegia e disa shkurreve në kanalet kullues prej fermerëve të zonës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›