Greva e transportit detar, goditje për turizmin në Greqi

Sindikata e tranportit detar në Greqi ka nisur sot një grevë 48 orëshe, për të kundërshtuar masat e kursimit të ndërmarra nga qeveria. Vendimi u morr pas një takimi të pafrytshëm me qeverinë, e cila deklaroi se është e vendosur të mbrojë interesin publik për lëvizjen e udhëtarëve dhe transportin e mallrave.
Gjithsesi, shpallja e grevës ka krijuar probleme të mëdha, teksa shumë qytetarë kanë anulluar prenotimet që kishin bërë në hotelet e ishujve të ndryshëm të vendit për të kaluar festën e Pashkëve.
Sipërmarrësit e turizmit e cilësojnë grevën si "goditje vendimtare" që i jepet biznesit të tyre, duke theksuar se efekti nuk shtrohet vetëm në tregun vendas, por arrin deri në tregjet jetëdhënëse për turizmin grek (Gjermani - Angli).
Presidentja e shoqatës së hoteleve të Zakinthos, Kristina Tetaradi ka deklaruar për Amna se ka pasur rënie të prenotimeve me më shumë se 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
E njëjta situatë vërehet edhe në ishullin e Korfuzit, ku 5.000 dhoma mbeten të padisponuara, ulje me më shumë se 50% në raport me vitin e kaluar.