E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva e urisë, Garda refuzon Moisiun

Bëhet gjithnjë e më alarmante situata shëndetësore e deputetëve që janë ngujuar prej të hënës në grevën e urisë në sallën e Kuvendit, ndërkohë që dy aktorët më të mëdhenj të politikës shqiptare nuk kanë lëvizur asnjë "gur" për të stabilizuar gjendjen. Lajmet brenda sallës së Kuvendit mbërrijnë gjithmonë e më shumë dramatike. Parlamentarët grevistë po rëndohen gjithnjë e më shumë, ndërkohë që dje, në kushte krejt të pazakonta, ku rrallëherë mund të ketë ndodhur në ndonjë parlament tjetër, është zhvilluar seanca parlamentare. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të mbahet mend si drejtuesja e vetme që ka menaxhuar me qetësi një seancë plenare të ndarë në dy pjesë. Nga njëri krah kanë qëndruar deputetët grevistë, të cilët prej katër ditësh janë ngujuar brenda sallës së Kuvendit, që dje kanë deklaruar edhe njëherë se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga qëndrimi i tyre për të mbrojtur votën e lirë edhe sikur të vdesin, ndërkohë që përballë tyre kanë qenë të ulur 84 deputetët e mazhorancës dhe të opozitës, të cilët me qetësi "olimpike" kanë diskutuar dhe miratuar një sërë projektligjesh të ndryshme, duke lënë të kuptohet se gjithçka po shkonte vaj dhe ishte brenda kuadrit normal ku mund të zhvillohet një seancë parlamentare.

Gjendja shëndetësore

Të lodhur, të pafuqishëm, por jo të mposhtur moralisht, kjo ka qenë pamja që shikohej dje te dhjetë deputetët grevistë. Megjithëse janë munduar të mos e japin veten, greva e urisë prej katër ditësh kishte lënë gjurmët e veta te secili prej tyre. Por kishte dhe deputetë të cilët e demonstronin këtë lodhje më shumë. Deputeti Frrok Gjini, para se të niste seanca parlamentare, nuk është ndjerë mirë dhe ekipit mjekësor, i cili ka qenë i vendosur pranë Kuvendit, i është dashur të ndërhyjë për t‘i vënë serum. Po kështu, në kushte jo të mira ka qenë dje edhe deputeti tjetër, Spartak Braho dhe Petro Koçi. Gjendja shëndetësore e tyre ka filluar të përkeqësohet në orët e pasdites, ku deputetët kanë ndjerë këputje, marrje mendsh dhe gjendje të fikëti. Kjo gjendje, sipas mjekëve, është e pritshme, pasi tashmë greva ka hyrë në ditën e pestë të saj.

Seanca

Ndryshe nga sa pritej dhe ishte deklaruar një ditë më parë, seanca e djeshme parlamentare është zhvilluar mjaft e qetë, duke mos shënuar asnjë incident, qoftë edhe në distancë, mes deputetëve në sallën e Kuvendit. Deputetët grevistë të urisë kanë qenë të ulur përballë sallës së Kuvendit dhe mbi kokat e tyre ishte vendosur një parullë, në të cilën me germa të mëdha thuhej: "Vota është e shenjtë". Mesazhi i deputetëve grevistë është përcjellë në sallën e Kuvendit nga deputetët Dritan Prifti, Frrok Gjini dhe Jak Ndokaj, ndërkohë që deputetët e tjerë kanë preferuar të heshtin, duke pritur me qetësi reagimet e kolegëve të tyre. Reagime, të cilat kanë qenë të munguara, duke përjashtuar këtu deputetët Ngjela, Lesi, Memushi dhe Gjoni. Nga mazhoranca nuk ka folur asnjë deputet, ndërsa nga opozita gjithçka është mjaftuar me një deklaratë të shkurtër të nënkryetarit të grupit, Erjon Braçe, i cili ka theksuar se e drejta e protestës është e lirë dhe gjithsecili mund të bëjë zgjedhjen që dëshiron. Seanca e djeshme është monitoruar nga ndërkombëtarët, si dhe nga një numër i madh mediash vizive dhe të shkruara, në përpjekje për të pasqyruar çdo zhvillim, pasi një ditë më parë u tha se do të kishte konfliktualitet mes palëve. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe duket se për qetësimin e situatës ka shërbyer pozitivisht edhe vizita e bërë te grevistët mesnatën e së mërkurës nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Mungesa

Kryeministri nuk merr pjesë në seancë

Kryeministri Berisha dhe një pjesë e ministrave të kabinetit qeverisës kanë munguar dje në sallën e Kuvendit, ndërkohë që numri i deputetëve prezentë si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita, ka qenë 84, që me votat e tyre kanë miratuar një sërë projektligjesh. Ndër projektligjet e miratuara ka qenë ai "Për ratifikimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komandës Supreme të Forcave të Aleancës në Evropë e Shtabit të Komandës së Lartë aleate për transformimin e (HOSACT), për masat mbështetëse të shtetit pritës, për kryerjen e operacioneve të NATO-s", projektvendimi "Për miratimin e strukturës dhe organikës të punonjësve të Zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2008-2009". Gjithashtu, deputetët votuan në tërësi dhe dy p/ligjet e miratuara vetëm në parim në seancën e së hënës: "Për përcaktimin e poligoneve për asgjësimin e municioneve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë" dhe p/ligji "Për avokaturën e shtetit".

Qëndrimi

Xhufi dhe Koçi: Të zhgënjyer nga sjellja e kolegëve në sallë

Edhe pse kanë pritur një qëndrim politik të deputetëve të dy partive të mëdha, parlamentarët grevistë janë ndjerë të zhgënjyer ndaj kolegëve, të cilët kanë miqësi prej kohësh, ndërkohë që dje kanë bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë... Nuk u kanë dhënë as dorën, por kanë kaluar "pengesat" për t‘u ulur në karriget e tyre. Dy nga deputetët grevistë, përkatësisht Pëllumb Xhufi dhe Petro Koçi, nuk e kanë fshehur zhgënjimin ndaj kolegëve, kryesisht atyre të krahut të majtë, të cilët as nuk kanë marrë mundimin t‘i shikonin në sy. Edhe pse ata nuk pritnin ndonjë solidaritet politik, mendonin që një salutim njerëzor, pjesë e dinjitetit dhe traditës së shqiptarit, do të mbërrinte nga anëtarët e Kuvendit të krahut të djathtë, por edhe të majtë. Padyshim ajo që prisnin më shumë ishte nga grupi socialist, i cili ka mbledhur dikur të gjithë të majtët. Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Profesor Xhufi dhe deputeti Petro Koçi e komentuan shkurt: Çështje dinjiteti...

Të hënën pritet miratimi i tij në Kuvend. Xhafa: Ne e mbyllëm misionin tonë

Komisioni i Reformës përfundon Kodin Zgjedhor, duke injoruar grevën

Komisioni për Reformën Zgjedhore ka përfunduar dje hartimin e draftit themeltar për Kodin e ri Zgjedhor, i cili tashmë do t‘i kalojë për miratim seancës parlamentare të radhës. Mbledhja e djeshme i ka dhënë fund maratonës dyvjeçare të Komisionit të Reformës, mandati i të cilit është shtyrë disa herë. Tashmë Kuvendi ka në dorë draftin përfundimtar për Kodin Zgjedhor, i cili pas miratimit të tij në seancë do të vihet në zbatim në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës. Ky kod pritet të shkaktojë mjaft debate, ndoshta edhe konflikte në sallën e Kuvendit, pasi disa nga partitë e vogla, si LSI-ja, PS-91 dhe PDK-ja, e kanë kundërshtuar hartimin e tij, duke shkuar deri në skajin më ekstrem të protestës, ngujimin në grevë urie në sallën e Parlamentit. Partitë e vogla të futura në grevë urie pretendojnë se dy partitë e mëdha nuk do të miratojnë një kod, i cili cenon votën e shqiptarëve, por ky pretendim nuk ka gjetur mbështetje te Komisioni i Reformës, i cili dje ka miratuar sipas variantit të propozuar nga PD-ja dhe PS-ja të gjithë Kodin Zgjedhor. Por, se ç‘do të ndodhë në seancën parlamentare, nëse do të ketë ndonjë ndryshim atje apo jo, kjo mbetet për t‘u parë. Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafa, nuk ka dashur të bëjë asnjë koment konkret lidhur me këtë shqetësim të mediave. Ai është mjaftuar thjesht me informimin lidhur me punën që ka bërë komisioni dje. Sipas tij, "risia kryesore është ndryshimi i sistemit nga mazhoritar në proporcional rajonal. Po ashtu kemi ndryshuar edhe numërimin, procesin e ankimimit, si dhe elementë si financimi dhe mediat". Ai ka theksuar se "Komisioni i Reformës ka pasur për detyrë të përgatisë projektin që do të paraqitet në Kuvend. Komisioni e konsideron të përfunduar detyrën e tij". Nevoja për ndryshimin e Kodit Zgjedhor erdhi si domosdoshmëri e ndryshimit të sistemit zgjedhor, por edhe si pasojë për të shmangur disa fenomene negative të zgjedhjeve të shkuara.

Garda ndalon Moisiun të takojë grevistët

Ish-kreu i shtetit për "Shqip": Fola në telefon me Metën

Ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, nuk është lejuar të takohet me deputetët grevistë në sallën e Kuvendit, duke e ndaluar të kryejë një gjest human. Garda, e cila është kontaktuar institucionalisht nga ish-kreu i shtetit, nuk ka lejuar ish-kreun e shtetit të vizitojë personalisht dhjetë deputetët grevistë, të cilët janë ngujuar në sallën e parlamentit prej pesë ditësh. Rreth orës 21:30 minuta, ish-Presidenti ka kërkuar t‘u bëjë një vizitë grevistëve, por kjo ka qenë e pamundur, pasi oficerët e Gardës dhe forcat e shumta të policisë, të cilët mbajnë të rrethuar godinën e Parlamentit, nuk e kanë lejuar një veprim të tillë. Ky refuzim i këtij takimi është konfirmuar për gazetën "Shqip", nga vetë ish-Presidenti Moisiu. Ish-kreu i shtetit ka theksuar se unë pata dëshirën e mirë për të t‘i vizituar deputetët, por procedurat e Gardës ishin shumë të ndërlikuara që ma bënë të pamundur një veprim të tillë. Sipas ish-presidentit të Republikës, për t‘u bërë një vizitë dhjetë grevistëve, punonjësit e Gardës i kishin thënë se duhet të merrte një leje nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila, me sa duket, ka urdhëruar që të mos lejohet askush të futet në sallën e parlamentit. Meqë procedurat ishin paksa të ndërlikuara, është shprehur ish-presidenti Moisiu, u tërhoqa, por ai ka kontaktuar në telefon me deputetët grevistë dhe konkretisht me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. "Gjatë kësaj bisede", tha ish-kreu i shtetit, "u interesova për shëndetin e tyre, i cili, me sa duket, ka filluar të japë shenjat e para shqetësuese, pasi greva po hyn në ditën e pestë". Ish-presidenti Moisiu nuk është i pari personalitet i lartë, i cili deklarohet në mbështetej të grevës së dhjetë deputetëve të Kuvendit, pasi dy ditë më parë të njëjtën gjë ka bërë edhe patriarku i së majtës shqiptare, Dritëro Agolli, i cili nëpërmjet një bisede telefonike, ka inkurajuar deputetët grevistë dhe ka vlerësuar qëllimin e tyre, si një e drejtë demokratike. Gjithashtu, deputetët kanë marrë mbështetje për nismën e tyre edhe nga deputeti i PD-së, Besnik Mustafaj dhe deputetë të tjerë të mazhorancës, një pjesë e të cilëve nuk kanë dalë publikisht. Personalitete të njohur të Kosovës: si kreu i opozitës kosovare, Ramush Haradinaj dhe personaliteti i shquar, Veton Surroi, e kanë vlerësuar grevën e dhjetë deputetëve shqiptarë, të cilët po përpiqen të mbrojnë votën e lirë. Gjithashtu, kryetari i LSI-së dhe deputetët e tjerë, pjesëtarë të grevës, kanë bërë të ditur se mesazhe solidarizimi kanë marrë edhe nga ndërkombëtarët. Prej pesë ditësh, dhjetë deputetë të Kuvendit janë ngujuar në grevë urie, duke protestuar ndaj marrëveshjes së bërë nga dy partitë e mëdha, PD-ja dhe PS-ja, për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Por, pavarësisht protestës së tyre, dy partitë e mëdha ende nuk kanë bërë asnjë lëvizje politike për të lënë të kuptohet se do të tërhiqen nga qëndrimi i tyre. Por po kaq të vendosur duken edhe deputetët grevistë për të mos e ndërprerë grevën deri në vetëflijim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›