E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lesi: Zgjedhjet, jo vetëm me vulën e PD-së dhe PS-së

Ndryshe nga deputetët e PD-së dhe të PS-së, greva e urisë së dhjetë deputetëve është vlerësuar si një veprim i lartë moral nga deputetët Ngjela, Lesi, Memushi e Prifti, dje në sallën e Kuvendit. Pak minuta pas fillimit të seancës parlamentare, e cila u zhvillua jo në kushte normale, pasi deputetët ishin të ulur në mes të sallës dhe mbi kokën e tyre ishte vendosur një parullë "Vota është e shenjtë", deputetët kanë mbështetur iniciativën e tyre dhe i kanë inkurajuar, duke theksuar para gjithë kolegëve dhe opinionit publik që të rezistojnë, pasi ata janë në rrugë të drejtë. Deputeti Spartak Ngjela, pasi i ka përgëzuar të dhjetë grevistët e urisë, të cilët po sakrifikojnë dhe po rezistojnë në mbrojtje të Kushtetutës, është shprehur se "tirania nuk lëshon pe pa forcë. Është turp që opozita bashkon votat me mazhorancën dhe nuk e kryen funksionin e saj kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Kushtetutës". Sipas tij, greva e deputetëve do t‘ia vlejë, ndërsa kërkoi edhe sensibilizimin e shoqërisë në mbrojtje të votës së lirë. "Jemi të diskretituar në sytë e gjithë botës për këto që po ngjasin në vendin tonë", është shprehur Ngjela në sallën e Kuvendit. Nuk e kuptoj, është shprehur ai, pse duhet të vendosin dy parti për leximin e votës së shqiptarëve, pse duhet të vendosë PD-ja dhe PS-ja se cilat janë parti të mëdha e të vogla kur zgjedhjet ende nuk kanë ardhur dhe shqiptarët nuk janë shprehur. Mjaft i ashpër ka qenë në fjalën e tij edhe deputeti Nikoll Lesi, i cili nuk i ka kursyer kritikat si ndaj kolegëve mazhoritarë, ashtu edhe ndaj atyre socialistë. Këta të fundit kanë qenë në qendër të sulmit të tij, ku ka theksuar se duhet t‘u vijë turp për qëndrimin e tyre. "Ky kod zgjedhor nuk duhet të miratohet kështu, ndaj unë do të votoj kundër", është shprehur Lesi. Ai ka kërkuar që administrimi i votave të mos bëhet vetëm nga dy parti politike, por nga të gjitha partitë parlamentare. Duke vlerësuar si të drejtë kërkesën e dhjetë deputetëve, Lesi ka theksuar se shumë shpejt do të mblidhemi sërish në këtë sallë për të miratuar ndryshimi e kodit kështu siç e kërkojnë këta kolegë, ndaj ai u ka bërë thirrje PD-së dhe PS-së që të ulen të diskutojnë për të gjetur gjuhën e përbashkët në hartimin e ndryshimeve në kod. Më pas ai ka kritikuar heshtjen e PS-së, duke i vlerësuar si të pazotë për të unifikuar qëndrimin e tyre dhe për të bërë një opozitë ashtu siç duhet. Në mbështetje të deputetëve grevistë është shprehur edhe deputeti i PS-së, Luan Memushi. Deputeti Dritan Prifti ka akuzuar Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun socialist, Edi Rama, se po kontrollojnë zgjedhjet në Shqipëri. "Rama dhe Berisha kanë urdhëruar përjashtimin e partive të tjera në kundërshtim me vullnetin e të gjithë atyre që nuk janë të kapur. Nuk është e drejtë që PS dhe PD, të cilat mbajnë përgjegjësi të madhe për shkatërrimin e të gjitha zgjedhjeve që kemi pasur sot, të kontrollojnë zgjedhjet e ardhshme, të cilat janë beteja e fundit", është shprehur Prifti. Ai ka bërë thirrje që deputetët t‘u heqin monopolin e zgjedhjeve dy partive dhe t‘ua japin atë forcave parlamentare. Prifti është shprehur se grevistët po mbrojnë parlamentarizimin nga kapja e krimit. Por kundër këtyre zërave në Kuvend është shprehur deputeti Erjon Braçe, i cili ka theksuar se PS-ja nuk ka bërë asnjë pazar apo aleancë me Kryeministrin Berisha. "Në 2009-ën ky kundërshtar i yni nuk do të jetë më, sepse do të jetë një pensionist si gjithë të tjerët. PS-ja ka synimet e saj dhe interesat e saj, mbi të cilat nuk vë interesat e kërkujt tjetër", tha Braçe. Sipas tij, PS-ja ndodhet në Parlament për të bërë detyrimin kushtetues. Ndërsa për deputetët grevistë, Braçe tha se ata kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe po shprehin kundërshtinë në këtë formë ekstreme kundër kodit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›