E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksa mbi pronësinë, ndryshon procedura

Procedura e kalimit të
pronësisë dhe mënyra e
aplikimit të taksës 10 për
qind do të ndryshojë, pasi janë
vërejtur një sërë mangësish gjatë
zbatimit të saj këtë vit. Udhëzimi i
miratuar në shkurt të 2008-ës, me
firmën e ministrave të Drejtësisë
dhe Financave, nuk sqaronte një
sërë çështjesh të ndryshme në
lidhje me kalimin e pronësisë, si
tokë, ndërtesë apo banesa. Fakti i
ndryshimit të procedurës është
konfirmuar për "Shqip" nga zv/
ministri i Financave dhe kreu i
Hipotekave. Lajmi i ndryshimit të
procedurës lidhet me aplikimin e
taksës 10 për qind, e cila do të qëndrojë
e njëjtë, edhe pse një pjesë e
komunitetit është shprehur
kundër kësaj. Ministria e Financave
i ka propozuar Ministrisë së
Drejtësisë heqjen e aplikimit të
kësaj takse në rastet kur prona është
e dhuruar ose në rastet kur ajo
do të shkëmbehet me një pronë
tjetër. Në momentin e shitjes së
kësaj prone, do të aplikohet një formulë
e re, e cila pritet të bëhet publike
së shpejti, pasi grupi i punës, i
përbërë nga të dyja ministritë, të
ketë rënë dakord për masën e saj.
Megjithatë, zv/ministri i Financave,
Mima, sqaron se barra fiskale
në të tilla raste do të jetë më e ulët.
Pra, një individ që kërkon të shesë
një pronë të dhuruar më parë, nuk
do të paguajë taksën 10 për qind, e
cila aplikohet mbi diferencën e krijuar
mes çmimit të blerjes dhe
çmimit të shitjes. Norma e taksës
do të jetë më e ulët, duke iu referuar
një çmimi që do të përcaktohet
nga zyrat rajonale të regjistrimit të
pronës. Paqartësi ka pasur edhe në
rastet kur prona shkëmbehet me
një pronë tjetër, ndërsa çmimet e
blerjes së tyre janë të ndryshme.
Drejtori i Përgjithshëm i
Regjistrimit të Pronave, Arben Qirjako,
thotë se taksa 10 për qind do
të mbetet e pandryshuar, por do të
aplikohen të tjera rregulla për rastet
ku udhëzimi aktual nuk i
parashikonte. "Ndryshimi i procedurave
për kalimin e pronësisë nuk
bëhet për efekt të taksës së sheshtë
10 për qind, pasi ajo është e vendosur
me ligj. Ai që po ndryshon
është udhëzimi i shkurtit 2008, në
të cilin nuk sqarohen shumë raste
të kalimit të pronësisë, si shkëmbim
prone apo shitje të saj kur nuk
dihet çmimi i blerjes, pasi mund të
jetë e dhuruar", sqaron Qirjako. Prej
kohësh Ministria e Financave kishte
marrë në konsideratë sugjerimet
e grupeve të interesit, por edhe të
zyrave të regjistrimit të pasurisë,
nga të cilët u mësua fakti se udhëzimi
nuk po zbatohet si duhet. Për
këtë qëllim, ministria ka përgatitur
një tjetër udhëzim, i cili pret dhe
konfirmimin e Ministrisë së
Drejtësisë, autoritet përgjegjës për
hipotekat. Mësohet gjithashtu që
drafti është miratuar në parim nga
grupi i punës dhe se pritet sqarimi
i disa detajeve të vogla. Zbatimi i
udhëzimit të ri mund të nisë në janar
2009, por ndoshta dhe më
shpejt, pasi situata me regjistrimin
e këtyre pronave është bërë shumë
e rëndë. Për sa i takon taksës 10 për
qind, ka pasur probleme në
pagimin e saj, për vetë faktin se
konsiderohet një normë tepër e
lartë për personat fizikë dhe juridikë.
Qirjako sqaron se probleme
janë hasur me zbatimin e udhëzimit
nga ana e noterëve, të cilat nuk
u bëjnë të ditur individëve se cila
është pala që paguan taksa, që sipas
tij është shitësi. Megjithatë,
ndërtuesit dhe individët shprehen
se problem mbetet shkalla e taksës
prej 10 për qind, e cila konsiderohet
e lartë.
Sipas udhëzimit aktual, kalimi
i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë
e paluajtshme, tokë dhe
ndërtesë, tatohet me 10 për qind
të fitimeve kapitale të realizuara.
Përjashtim nga ky rast bën shkëmbimi
i të drejtës së pronësisë
mbi tokën me të drejtën e pronësisë
mbi ndërtesën e ndërtuar
mbi tokë. Pasuria e paluajtshme
nuk regjistrohet, pa provuar
pagimin e detyrimit pranë Zyrave
Vendore të Regjistrimit të Pasurive
të Paluajtshme. Nisur nga shkalla
prej 10 për qind, kur më parë
ishte 3 për qind mbi vlerën totale,
ka krijuar një stepje nga ana e individëve
për të paguar detyrimin,
edhe pse drejtuesit e hipotekës
nuk e pranojnë një gjë të tillë.
Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme
përcaktohet në kontratën
e noterizuar të shitjes, e
cila është firmosur nga palët
(shitësi dhe blerësi). Kontrata duhet
të shprehë sipërfaqen në
metër katror të pasurisë, çmimin
për metër katror dhe vlerën e saj.
Kontrata duhet të jetë e shoqëruar
me hartën, planimetrinë dhe
dokumentet e tjera, që shërbejnë
për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme.
Në rastet kur individi kalon
pronësinë, për herë të dytë e
në vazhdim, për efekt të llogaritjes
së fitimit kapital të realizuar, do të
merret diferenca midis vlerës së
shitjes dhe vlerës së blerjes e përcaktuar
në kontratën paraardhëse.
Në rastet e objekteve të ndërtuara
para viteve ‘90, aplikohet çmimi
referencë për m² sipas zonave,
hartuar dhe miratuar nga Ministria
e Financave në 26 shkurt të
këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›