Legjislacioni kundër dhunës është perfekt, por vetëm në teori
Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në nenin 25, thuhet: Askush nuk mund t’i nënshtrohet torturës, dënimit apo trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.
Rastet e denoncuara së fundi nga Zyra e Avokatit të Popullit, dëshmojnë sesa shumë i ha meraku për ligjin, institucionet e këtij vendi. Pamjet e dhunës së policisë së Sarandës, janë skandaloze dhe të turpshme. Menaxhimi dhe kontrolli i kufijve nuk justifikon zbatimin e masave të dhunshme policore, në kufijtë e torturës ndaj personave që tentojnë të kryejnë këtë apo ndonjë vepër tjetër penale.
Rasti i Sarandës bëhet vërtet një precedent për të gjithë ata punonjës policie që abuzojnë me të drejtat e të ndaluarit apo të arrestuarit. Personat e arrestuar është mirë të dënohen që të bëhen mësim për të tjerët.
Vetë lesgjilacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar është perfekt në teori. Problemi qëndron në zbatimin e tij. Kjo e drejtë e mospësimit të torturës është e mbrojtur si me Kushtetutën e Repubikës së Shqipërisë, ashtu edhe me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut (Shqipëria e ka ratifikuar dhe miratuar këtë konventë).
Ka edhe shumë marrëveshje apo protokolle të tjera ndërkombëtare për mbrojtjen e qytetarit nga ushtrimi i dhunës nga autoritetet shtetërore. Kur thuhet që në Shqipëri akoma nuk funksionon shteti i së drejtës, kihen parasysh pikërisht raste të tilla. Do të ketë pasiguri dhe frikë në rast se këto raste të provuara nuk dënohen rreptë. Dhe nuk kemi nevojë në këtë vend për stres dhe pasiguri shtesë, sepse jemi deri aty ku nuk mban më.