Rikonstruksioni i argjinaturave, 10 mln USD për parandalimin e përmbytjeve
Flet drejtori i bordit të kullimit në Shkodër, Rudolf Rasha, lidhur me investimet që po bëhen në zona të ndryshme
Shkodër Investimet në drejtim të rikonstruksionit të argjinaturave mbrojtëse janë në proces dhe ato garantojnë minimizim të dëmeve të përmbytjeve. Janë 10 milionë7 $ që po investohen në të gjitha zonat e rrezikuara nga përmbytjet. Kjo pohohet nga drejtori i bordit të kullimit në Shkodër, Rudolf Rasha. Sipas tij, është punuar e vazhdon të punohet në argjinaturat mbrojtëse të zonës së Dajçit që janë disa, në Velipojë etj. Këto argjinatura të dëmtuara nga përmbytjet e vitit 2010 po rikonstruktohen, ndërsa ato garantojnë minimizim të pasojave në rast se do ketë përsëri përmbytje. Rasha shprehet se përmbytjet në vetvete janë një sistem, por në çfarëdo lloj situate, edhe në rast se do të ketë përmbytje, dëmet, falë këtyre investimeve, do të jenë të minimizuara. “Këto janë punime në pjesën afatshkurtër, pra janë ndërhyrje postemergjence. Gjithë këto projekte që po zbatohen janë postemergjente dhe garantojnë që këto argjinatura të mos thyhen si më përpara, pra ato do të jenë më të qëndrueshme”, thotë Rasha. Dajçi është komuna që përballet me përmbytjet më të mëdha në zonën e Nënshkodrës. Këtu punohet në rikonstruksionin e argjinaturës se Shirqit, ndër më kryesoret: argjinatura në qendër Dajç, argjinatura e Samërishtit dhe ajo e Darragjatit. Afati për përfundimin e tyre është 5 muaj. Nisur nga fakti që puna ka filluar në korrik, ato duhet të jenë gati në nëntor. Sipas projekteve, përforcimi i argjinaturave të Dajçit përfshin lartësimin e tyre nga 7.5 deri në 8.5 metër mbi nivelin e detit dhe betonimi në trashësi 15 centimetër. Sipas nënkryetarit të komunës së Dajçit, Ernest Luka, deri në këto kuota besohet se nuk ka rrezik për përmbytje masive, por në rast se uji kalon këtë kuotë, ai del mbi argjinaturë. Argjinatura, e cila gjatë përmbytjeve të Janarit dhe të Dhjetorit 2010, si pasojë e nivelit të lartë të ujit, u nxor totalisht jashtë përdorimit, ajo e Shirqit dhe e Mushanit me një gjatësi prej 3.5 km. Zbatuesit e punimeve shprehen se ajo do jetë e përfunduar brenda këtij muaji. Argjinatura me një kuotë prej rreth 8.5 metra. Punohet dhe për argjinaturat e tjera të kësaj zone. Salvatore Costanzo, inxhinieri zbatues i punimeve në argjinaturën e Darragjatit, shprehet se punimet janë në përfundim dhe objekti do të dorëzohet para afatit. “Me këtë argjinaturë Darrgjati është i sigurt, pasi kjo shmang totalisht erozionin e tokës, i cili ka qenë problem serioz në këtë zonë.”Lartësia e argjinaturës së Darragjatit është bërë në kuotën e 7.5 metrave, me një gjatësi prej 150 metra, dhe është mbyllur me beton dhe gurë, në të cilën janë hedhur rreth 16 000 m3 beton dhe gurë”.