Greva kundër liberalizimit të vizave
Gjithçka e pritshme. Liberalizimi i vizave po sekuestrohet me grevën e apatridit Edi Kristaq Rama. Dhe fryrja e shifrave 200 mijë të mitingut socialist ishte një skenar i parapërgatitur, një tjetër pykë për të sugjestionuar nëpërmjet kamerave qytetarët, që dirigjoheshin në mënyrë joprofesionale për të fshehur realitetin e kësaj proteste, dhe numrin real të individëve në protestë. Sido që ta rregullojë arkitekti parapolitik Edi Kristaq Rama, dukej qartë së pjesëmarrja ishte më e ulët krahasuar me atë të nëntorit. Më 20 nëntor na bombarduan daullet e veshit me “plot 100 mijë”, kurse tani që kishte më pak thonë “plot 200 mijë”. Apoteozë e copëzave maksimaliste për të frenuar vendimin e liberalizmit të vizave.
Gjithsesi nuk është numri i militantëve që e legjitimon kauzën, por është e vërteta e ideve dhe e kauzave që e përligjin gjithaçka diskutohet në debatin publik. Sepse të protestosh është një e drejtë elementare e demokracisë. Të protestosh për sajesat kutiste-edviniane, të bësh grevë për kutitë e Rruzhdies është e tepërt. Prandaj pritshmëria për këtë protestë ka qenë e një intensiteti të dobët, pasi pritej një protestë më e madhe sesa e 20 nëntorit 2009. Por më kot! As që u afruan me protestën dyditore e gjysmë. Edi Rama përsëri trilloi kalibrin e realitetit me sajesën e një tregtari anonim nga qyteti i Elbasanit, që i paskësh thënë se nuk e votoj më PD, sepse më ka ngritur taksat. Përpos retorikës të mbushur plot bashtingëllore që trafikonte demagogjinë e një artisti profesionist gënjeshtrash me këmbë të gjata. Një matrapaz tymi që rikrijon dialogë sikur të ishin monologë.
Sidoqoftë entuziazmi as që shikohej në rrudhat e atyre pensionistëve, ish-sigurimsave, militantëve, dhe administratës së bashkive socialiste. Gjithashtu përpos retorikës së flamujve të kuq a rozë, opozita mbeti e mykur dhe shuk tek kutitë zgjedhore, aty ku është edhe zanafilla e një filozofi mëngjërashe, që devijon nga konturet e një realiteti politik e ekonomik që ka nevojë për paqe sociale, për një stabilitet politik dhe një bashkëpunim sa më të gjerë në parlament. Mjerisht kemi të bëjmë me një filozofi transformiste demagoge, që kërkon ta kthejë lojën politike në një telenovelë hispanofobe, që zgjat aq sa zgjat personazhi kryesor. Ka tashmë disa javë që Edi Rama po përpiqet të krijojë një klimë tensioni, me artificialitete nga më të ndryshmet. Duke pritur aleancën e kutive me krizën ekonomike botërore, Edi Rama ngjall horoskopin me valencë politike.
Sido që të jetë, maratona përfundoi me një grevë të paralajmëruar në qarqe të ngushta brenda PS, çka jep për t’u kuptuar se mitingu nuk kishte vetëm një qëllim, midis të tjerave, të bëjë në mënyrë maniakale bombardimin me overdozë urrejtjeje të paparashikueshme ndaj çdo pune të Qeverisë për liberalizimin e vizave. Ky gjest i paprecedentë i PS afër marrjes së vendimit të vizave na bën të kuptojmë se vetiu urrejtja patologjike shikon prapa dhe tenton të na mbajë në të kaluarën. Sigurisht është e shpjeguar nga shkenca e sociologjisë, sesi urrejtja, ashtu edhe dashuria, mund të prodhohen kolektivisht. Dhe me autoparlantët. Por më shumë urrejtja gjallon në politikë. Sidomos në luftërat politike a religjioze, agresiviteti ynë ushqehet dhe orientohet nga grupi. është e kuptueshme se edhe i dehuri i hap rrugë budallait. Kështu po bëjnë edhe servilët e Edvinit në partinë e tij private.
Dhe afërmendsh kuptohet se e vetmja gjë ndryshe në këtë protestë ishin kryetarët minorë të partive me bashkësi 10 persona, që qëndronin si pretorianë pranë Edi Ramës, e ku bashkë me legjionarët dhe mercenarët e rekrutuar, anembanë Shqipërisë, i binin daulles së shpuar. Si i thonë, kur u ndamë, këto na ranë. Ky është fati i atyre që rrinë gjithë ditën papunë, tek Dogana apo tek Ushtari i Panjohur – pra, me pak fjalë, doli edhe risku i tyre. është bërë modë nga opozita subvencionimi i mitingashëve, jo vetëm me lekë, por edhe në natyrë, si në Pezë përshembull. Kryetari i PS-së - i paracaktuar nga fati si një i dështuar - mendohej se mund të kishte mendime e veprime origjinale, por me tezat e djeshme, ai ka treguar se ka vjedhur pa teklif autorësinë e anti-politikanit.