E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva masive përfshin Greqinë, incidente në Athinë dhe Selanik



Blerina Olldashi

Një protestë masive është zhvilluar në Greqi kundër masave të ashpra që ka ndërmarrë qeveria në përpjekjet e saj për të ulur borxhin buxhetor. Nëpunësit civilë të federatës “ADEDY” me në krye presidentin Spiros Papaspyros ishin në krye të protestës së paralajmëruar 24 orëshe, në sheshin Klathmonos në Athinë. Papaspyros u bëri thirrje punëtorëve për të formuar një front të gjerë shoqëror për rezistencë, duke theksuar se mbështetja e kërkuar nga FMN-ja do të shoqërohet me një të ardhme të mjerueshme. Ai bëri thirrje për dhënien fund mohimit të të drejtave të punëtorëve, duke nënvizuar se të gjitha të drejtat e duhet të rifitohen. Në të njëjtën kohë ai u zotua se do të vazhdojë me mobilizimin për t’iu kundërvënë qeverisë. Udhëheqësit sindikalistë “ADEDY” kanë ftuar të bashkohen me ta edhe punonjësit e sektorit privat “GSEE” për veprim të koordinuar dhe bëri thirrje për një grevë të përgjithshme akoma më masive. Protesta të dhunshme janë zhvilluar në Selanik, ku ka pasur përleshje me policinë pasi nje grup njerëzish tentuan të hynin në Bashkinë e qytetit. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe një person pësoi dëmtime të lehta. Sindikatat thonë se si kusht për ndihmë Greqia duhet të rrisë moshën e pensionit dhe të shkurtojë atë që analistët e quajnë, një administratë tejet të fryrë. Grevistët protestojnë sidomos kundër uljes së mëtejshme të pagave në sektorin publik dhe kundër ligjit të ri për sigurimet shoqërore, që pritet të paraqitet së shpejti në parlament dhe parashikon jo vetëm rritjen e moshës së daljes në pension, por edhe uljen e vlerës së pensioneve.
Bisedimet për ndihmën
Në kohën kur në Greqi zhvillohet protesta masive, në Athinë ndohet grupi i ekspertëve ndërkombëtarë, që po diskuton me palën greke modalitetet e mekanizmit të ndihmës. Sipas burimeve greke, konsultimet kanë të bëjnë me modalitetet e aktivizimit të mekanizmit të ndihmës, atëherë kur Greqia do ta kërkojë këtë gjë.
Sipas kryeministrit Papandreu, Athina ende nuk e konsideron të nevojshme ndihmën, të paktën për ditët e ardhshme. Por objekti kryesor i punës së ekspertëve ka të bëjë me masat që Greqia do të duhet të marrë vitin e ardhshëm, të cilat do të sanksionohen në një dokument që do të firmoset si nga pala greke, ashtu dhe nga Trojka, pra Komisioni Europian, Banka qendrore europiane dhe FMN.
Qeveria e vendosur
Pavarësisht se grevat janë zhvilluar si protesta ndaj masave të ashpra të qeverisë, kjo e fundit paraqitet e vendosur që mos të bëjë asnjë tërheqje, përndryshe nuk ka asnjë hapësirë për të devijuar nga vija e ashpër. Kryeministri Jorgos Papandreu theksoi përsëri vendosmërinë e qeverisë, duke thënë se është detyrim historik që qeveria të marrë çdo vendim që i shërben mënjanimit të më të keqes. Përballë deficitit të tmerrshëm, Greqia nuk kishte asnjë rrugë dalje, përveç të shpallte falimentimin e t’i drejtohej FMN-së, është shprehur dy ditë më parë Papandreu, duke argumentuar marrjen e masave të ashpra, që sipas tij duhej të ishin marrë 20 vjet më parë. Por nga ana tjetër, qeveria e përllogarit edhe koston politike, dhe vazhdon të rezistojë ndaj rekomandimit për shkurtime drastike në administratën publike.
Eurostat: Borxhi shumë i lartë
Kriza e borxhit të Greqisë është më e rëndë se sa ai që është bërë publike deri tani. Vitin e kaluar deficiti buxhetor i prodhimit ekonomik ishte 13,6 për qind dhe kjo shifër është më e lartë se ajo, që ishte njoftuar deri tani 12,7 për qind, bën të ditur zyra e statistikave europiane, Eurostat në Luksemburg. Por kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë, sepse nuk dihen ende të dhënat nga sigurimet sociale, vlera e të cilave mund ta rrisë deficitin edhe me 0,5 për qind, njofton zyra e statistikave. Shifrat e fundit flasin që Greqia ka manovruar në prag të falimentimit të shtetit. Në 2009 borxhi i vendit të eurozonës arriti në 273 miliardë euro.

23 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›