E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrabanda, EULEX-i heton 16 policë rumunë



Misioni Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX ka filluar hetime të brendshme ndaj 16 policëve rumunë, të dyshuar për përfshirje në kontrabandë me alkool dhe duhan. Incidenti ndodhi të martën në vendkalimin kufitar ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës, ndërsa pjesëtarët rumunë që shërbejnë në policinë e EULEX-it po udhëtonin për pushime në vendlindje. Misioni europian thotë se po i shqyrton shumë seriozisht pohimet se policët rumunë kanë vepruar në mënyrë të paligjshme ose në kundërshtim me kodin e brendshëm disiplinor të EULEX-it. Zëvendës shefi i policisë së EULEX-ut, Lambert Lukas paralajmëroi masa ndaj 16 policëve të Rumanisë, po qe se vërtetohet përfshirja e tyre në kontrabandën me cigare dhe alkool. Mbi 340 kuti të mëdha cigaresh dhe mbi 130 litra pije alkoolike u gjetën nga doganierët e Maqedonisë në autobusin në të cilin udhëtonin policët rumunë. Shefi i EULEX-it, Iv de Kermabon tha se kishte njoftuar shefin e zyrës rumune në Prishtinë dhe eprorët e tij në Bruksel lidhur me incidentin.
Kjo është hera e parë që pjesëtarët e EULEX-it përfshihen në incidente të kësaj natyre.

Belgjikë
Qeveria e Letern jep dorëheqjen

Qeveria e Belgjikës, e drejtuar nga kryeministri Iv Leterm, ka vendosur të japë dorëheqjen pas përplasjeve të dy bashkësive gjuhësore në vend. Letern ia paraqiti dorëheqjen Mbretit Albert II, i cili duhet të dalë me një deklaratë lidhur me këtë çështje. Rënia e qeverisë e la në hije debatin e pritur parlamentar për ligjin mbi ndalimin e mbajtjes së ferexhesë në publik. Kriza e qeverisë vjen në një kohë të papërshtatshme, sepse në 1 korrik Belgjika duhet ta marrë drejtimin e Bashkimit Europian nga Spanja.

Kirgistan
Bakijev e konsideron veten ende president

Presidenti i Kirgistanit i rrëzuar nga posti nga një kryengritje popullore në fillim të prillit, Kurmanbek Bakijev, konsiderohet ende si kryetar legjitim i Republikës aziatiko-qendrore. Në kryeqytetin e Bjellorusisë Minsk, ku ai ndodhet në mërgim, Bakijev tha se ai është zgjedhur në mënyrë legjitime si president. Dorëheqjen e tij ai nuk e njeh. Javën e kaluar Bakijev kishte deklaruar me shkrim dorëheqjen e tij. Vëzhguesit llogarisin me këtë që fjalët e Bakijevit i japin vrull ithtarëve të tij dhe mund ta çojnë vendin në trazira të reja.

SHBA
Obama në Uoll Strit, fjalim për reformën financiare

Presidenti Barak Obama shkoi dje në Uoll Strit për t’i dhënë shtytje argumentimit të tij për nevojën e miratimit nga kongresi të një projektligji për reformën financiare. Ai parashtroi nevojën e reformës së re financiare dhe u bëri thirrje ligjvënësve të miratojnë legjislacionin që do të forcojë rregullat e administrimit të firmave financiare. Obama foli në të njëjtin kolegj si kandidat presidencial në mars të vitit 2008 dhe paralajmëroi se Uoll Strit shpesh ka shpërblyer manipulimet financiare mbi praktikat e qëndrueshme të biznesit.

23 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›