E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva, mjekët: FSSHK-ja e kishte kurdisur me qeverinë

Prishtinë-Ndërprerja e grevës nga ana e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), në marrëveshje me Qeverinë e Kosovës, ka frustruar punëtorët shëndetësorë të të gjitha niveleve, ndërsa në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kanë vendosur të krijojnë sindikatë të re.

Edhe të mërkurën janë shprehur pakënaqësi te punëtorët shëndetësorë për ndërprerjen e grevës pa ndonjë rezultat konkret. Madje, “kompromisin” me qeverinë, ata e quajnë tradhti. Sipas tyre, FSSHK-ja dhe qeveria janë marrë vesh që të mbahet një grevë disa ditëshe, në mënyrë që të dyja palët t’i arsyetojnë dështimet e tyre.

“Paramendoni mbi 7 mijë punëtorë japin nga 2 € për FSSHK-në në muaj, që do të thotë mblidhen mbi 14 mijë €, për të njëjtit Ministria e Shëndetësisë (MSH) paguan qiranë 600 € në muaj, ndërkaq paratë e mbledhura nuk dihet ku mbesin”, deklaroi një mjek, në kushte anonimiteti.

Ndërkaq, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë, Mehmet Maxhuni, tha se më herët kanë kërkuar nga FSSHK-ja që mos t’i detyrojnë të hyjnë në grevë dhe më pas mos të ketë rezultate, mirëpo ata prapë kanë vazhduar me një gjë të tillë.
Me këtë sindikatë, sipas tij, nuk është i kënaqur asnjë punëtor shëndetësorë i QKUK-së, andaj është duke u bërë riorganizimi për të themeluar një sindikatë të re.

“Çka është më e keqja, ne kemi kërkuar që mos të ndalen nga 2 € që i merr kjo sindikatë, mirëpo kërkesa jonë nuk është përfillur andaj ne do t’i padisim në gjykatë që mos të ndalen këto para për persona që nuk përfaqësojnë interesat e punëtorëve shëndetësorë”, tha ai.

Për doktorin Ilir Ukymeraj, Sindikata ekzistuese është ‘për faqe të zezë’, andaj nga përfundimi i grevës nuk e njohin atë dhe janë duke bërë riorganizim për një Sindikatë të re.
Mirëpo nënkryetari i FSSHK-së, Jahir Mulolli thotë se për Sindikatë merr vendim vetëm FSSHK-ja që është legjitime dhe e regjistruar në Qeverinë e Kosovës dhe sindikatat tjera nuk mund të jenë legjitime.

Ai bëri të ditur se ka dhënë dorëheqje nga kryetari i Kryesisë së Sindikatës së QKUK-së, ku si ushtrues detyre menjëherë është zgjedhur Murat Abazi, mirëpo Mulolli nuk ka dhënë dorëheqje edhe nga posti i nënkryetarit të FSSHK-së.

Ndryshe, në të gjitha dyert e Klinikave dhe të Qendrës Emergjente është vendosur një kërkesë nga ana e punëtorëve, që çdo klinikë dhe institucion shëndetësorë të dërgojë të enjten në orën 09.00 nga dy përfaqësues në sallën e Kirurgjisë, në mënyrë që të krijohet sindikata e re.

Greva ndërkaq është ndërprerë në të gjitha institucionet publike shëndetësore të Kosovës, njoftojnë zyrtarë të QKUK-së, sipas të cilëve, njoftimi menjëherë u është shpërndarë të gjithë drejtorëve të klinikave, të cilët janë të obliguar që të njoftojnë stafin e tyre se puna nga dita e sotme duhet të vazhdojë normalisht.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›