Thikë pas shpine ish të fejuarës
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
E ndan e fejuara, hakmerret duke e qëlluar me thikë pas shpine në mes të qytetit të Shkodrës. Pas 8 muajsh nga shkëputja e lidhjes së tyre, 26-vjeçari Edmir Mehja ka ndërmarrë aktin ekstrem, duke i rrezikuar jetën vajzës 22-vjeçare. Silvana Lami nga fshati Bërdicë, 5 km larg Shkodrës është e lënduara e kësaj ngjarjeje, e cila ndodhet e shtruar në spital, por fatmirësisht jashtë rreziku për jetën. Plagosja e saj ndodhi paraditen e djeshme, në sheshin “Isa Boletini”. Sipas burimeve të policisë, vajza ishte nisur nga fshati për disa punë të saj dhe në momentin e krimit po ecte e vetme në këmbë. Ky moment është shfrytëzuar nga i riu Mehja dhe ai nga Bërdica, i cili nga veprimet e kryera rezulton ta ketë ndjekur ish të fejuarën në lëvizjet e saj. Ai udhëtonte me një motor kur i është afruar papritur vajzës së re. Rreth orës 11:00, Mehaj i ka shkuar pranë Silvanës e papritur e ka goditur me thikë pas shpine. Një goditje e fortë në shpatull e ka rrëzuar përtokë të gjakosur 22-vjeçaren. Ajo ka përfunduar në rrugë, në mes të shiut që binte në ato momente në qytet, ndërsa autori u largua menjëherë nga vendngjarja, duke braktisur dhe motorin pranë trupit të së plagosurës. Në qytet ai ka gjetur një shok me makinë, të cilit i kërkoi që ta dërgonte në fshatin Bërdicë, aty ku u arrestua 3 orë më vonë, ndërsa tentonte që të fshihej. E plagosura është transportuar në spitalin e qytetit dhe sipas mjekëve, gjendja e saj është jashtë rreziku për jetën, pasi dhe plaga nuk ka qenë shumë e thellë. Megjithatë, ajo vazhdon të qëndrojë nën terapi intensive. Nga ana e saj Drejtoria e Policisë së Shkodrës nisi hetimet e menjëhershme për të gjetur autorin. Disa orë pas ngjarjes nisur edhe nga përshkrimet e dëshmitarëve okularë të pranishëm në vendngjarje është bërë e mundur që të identifikohet dhe më pas të arrestohet autori i plagosjes me thikë, Edmir Mehaj. Sipas hetimeve të deritanishme mendohet se shkak për këtë ngjarje ka qenë fakti se djali nuk ka dashur të ndahet nga e fejuara e tij. Gjatë 8 muajve ishin bërë përpjekje që ata të bashkoheshin, por në pamundësi të kësaj i riu vendosi të hakmerrej, duke e qëlluar me thikë pas shpine.