Grevistët, peticion ambasadave
Aristir Lumezi
Komiteti i grevës së urisë iu drejtua dje me një letër të hapur komunitetit ndërkombëtar dhe medias. Në dokumentin e firmosur nga të gjithë pjesëmarrësit në grevë, ritheksohet edhe njëherë kërkesa e opozitës për hetimin e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe vendosmëria për të çuar deri në fund kauzën për transparencën e zgjedhjeve. Deputeti Fatmir Xhafaj njoftoi vendimin e mbi 200 grevistëve, mes tyre 22 deputetë të opozitës për një grevë urie pa afat, deri në transparencën e plotë të zgjedhjeve. Duke akuzuar Qeverinë për mos reagim ndaj kërkesave të tyre, Xhafaj informon për përshkallëzimin e grevës së urisë, si dhe të protestave, të cilat do të zhvillohen në çdo qytet e fshat. “Kërkesa jonë është e thjeshtë dhe demokratike, hetim parlamentar i plotë dhe i detajuar i zgjedhjeve të 28 qershorit, që përfshin hapjen e kutive të votimit dhe të materialeve zgjedhore që gjenden brenda kutive. Kërkesa jonë nuk ka për synim marrjen e pushtetit në tavolinë, por synimin e pastër që zgjedhjet e ardhshme të jenë të garantuara dhe manipulimet, si ato të zgjedhjeve të fundit, të mos përsëriten më. Për plot 9 muaj jemi përpjekur të ushtrojmë të drejtën tonë për transparencë, por ka ndeshur në murin e arrogancës dhe kokëfortësisë të një Qeverie, veprimet e të cilës nuk njohin më kornizat e vendosura nga Kushtetuta. Kjo Qeveri nuk pati kurajon për të reaguar për kauzën tonë. Kryeministri Berisha flet për një vendim gjykate që pengon transparencën, por përgjatë gjithë muajve të fundit, ai nuk ka arritur kurrë ta bëjë publik këtë vendim për arsyen e thjeshtë se ky vendim nuk ekziston. Ne jemi gjithashtu të shqetësuar se kjo gënjeshtër e Sali Berishës, e ndërtuar në formën e një alibie për të penguar transparencën e zgjedhjeve, fatkeqësisht është besuar dhe nga një pjesë e miqve dhe partnerëve të Shqipërisë. Përballë këtij mohimi të jashtëligjshëm dhe antikushtetues të së drejtës sonë për transparencë, të vetëdijshëm për rëndësinë e kauzës sonë për fatin e demokracisë dhe zgjedhjeve të ardhshme në vend, ne kemi vendosur ta përshkallëzojmë protestën tonë, duke hyrë në një grevë urie pa afat, që do të shoqërohet nga protesta në mbrojtje të kësaj kauze në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë. S’duam asgjë më shumë e asgjë më pak se në vendet tuaja”, theksohet në letër. Kjo letër dërgohet vetëm një ditë pas deklaratave të përfaqësuesve të lartë të Brukselit, që i kërkonin palëve në Shqipëri të gjejnë zgjidhje. “Greva e urisë së opozitës po përkeqëson situatën në Shqipëri”. Kështu u shpreh dy ditë më parë nga Brukseli, komisioneri evropian për zgjerimin, Stefan Fule. Ai tha se i ka bërë të qartë kreut socialist, se do të mbajë përgjegjësi personale për shëndetin e njerëzve të ngujuar në grevë urie. Stefan Fule ka bërë thirrje për zgjidhje dhe funksionimin normal të Parlamentit. “Kam qenë në kontakt sot me Kryeministrin dhe eksponentë të Partisë Socialiste dhe u bëra edhe njëherë thirrje atyre për të gjetur një zgjidhje, për të pasur sërish një Parlament funksional e kështu të lejojnë komisionin të jetë më pozitiv për sa i përket vlerësimit për Shqipërinë. Greva e urisë po përkeqëson situatën, ia kam bërë të qartë z. Rama se ai do të mbajë përgjegjësi personale nëse shëndeti dhe mirëqenia e njerëzve përkeqësohet”, deklaroi Fule.
Kurt Kola solidarizohet me grevën
Disa ish të përndjekur politikë, mes tyre dhe kreu i shoqatës, Kurt Kola, janë solidarizuar me grevistët e urisë, duke i vizituar në çadrën e ngritur përballë Kryeministrisë. “Kemi ardhur të përshëndesim grevistët e urisë, në emër të 10 të pushkatuarve, të 600 vjetëve internim, dhe të 24 viteve burg, të familjes Kola, për fjalën e lirë, për votën e lirë, për demokraci. Kam ardhur të përshëndes e të solidarizohem me grevistët e urisë, në emër të burgosurve politikë që kanë vuajtur pikërisht për votën e lirë, për demokraci, për fjalën e lirë. Ne përfaqësojmë atë shoqatë që është krijuar në 1991 dhe që ka 20 vjet që lufton dhe punon për t’u restauruar demokracia në Shqipëri, që mesa duket akoma mungon”, u shpreh Kola.
Letra e grevistëve të urisë
Tiranë, 5 Maj, 2010
Komiteti i Grevës së Urisë
Letër drejtuar përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar dhe medias
Të dashur miq,
Ne, 22 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë sëbashku me 200 bashkëqytetarë, të shqetësuar për fatin e demokracisë në vendin tonë, kemi vendosur të angazhohemi në formën më ekstreme të protestës demokratike, duke hyrë në grevë urie në emër të themelit të çdo demokracie: zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Kërkesa jonë është një kërkesë e thjeshtë dhe demokratike: hetim parlamentar i plotë dhe i detajuar mbi zgjedhjet e 28 qershorit, që përfshin hapjen e kutive të votimit dhe të materialeve zgjedhore që gjenden brenda kutive. Kjo kërkesë e jona nuk ka për synim marrjen e pushtetit në tavolinë, por ka qëllimin e pastër që zgjedhjet e ardhshme të jenë të garantuara dhe manipulime si ato të zgjedhjeve të fundit të mos përsëriten më.
Për plot nëntë muaj, ne jemi përpjekur të ushtrojmë të drejtën tonë kushtetuese për transparencë, por përpjekjet tona kanë ndeshur murin e arrogancës dhe kokëfortësisë të një qeverie, veprimet e të cilës nuk njohin më kornizat e vendosura nga Kushtetuta e Republikës. është pikërisht kjo qeveri që nuk pati kurajë për të reaguar ndaj mbështetjes të jashtëzakonshme të qytetarëve shqiptarë për kauzën tonë. Plot 200 mijë shqiptarë protestuan në Tiranë në emër të transparencës së votës së tyre, por sërish, Qeveria nuk pati vesh për të dëgjuar kërkesat e tyre demokratike.
Kryeministri Berisha flet për një vendim gjykate që pengon transparencën, por përgjatë dhjetë muajve të fundit ai nuk ka arritur kurrë ta bëjë publik këtë vendim, për arsyen e thjeshtë se ky vendim nuk ekziston. Ne jemi gjithashtu të shqetësuar se kjo gënjeshtër e Sali Berishës, e ndërtuar në formën e një alibije për të penguar transparencën e zgjedhjeve, fatkeqësisht është besuar edhe nga një pjesë e miqve dhe partnerëve të Shqipërisë.
Përballë këtij mohimi të jashtëligjshëm dhe antikushtetues të së drejtës tonë për transparencë, të vetëdijshëm për rëndësinë e kauzës tonë, për fatin e demokracisë dhe zgjedhjeve të ardhshme në vend, ne kemi vendosur ta përshkallëzojmë protestën tonë duke hyrë në një grevë urie pa afat, që do të shoqërohet nga protesta në mbrojtje të kësaj kauze në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë.
Ky vendim nuk ishte i lehtë për t’u marrë dhe në të njëjtën kohë ne jemi të vetëdijshëm për pasojat që ky vendim mbart. Por, sikundër secili prej jush në vendin tuaj, ne nuk mund të sakrifikojmë më demokracinë dhe zgjedhjet e lira e të ndershme në vendin tonë.
Ajo çka ne kërkojmë është një standard që në vendet tuaja konsiderohet normal: zgjedhje të lira dhe të ndershme. Asgjë më shumë. Asgjë më pak.
Nënshkruar nga pjesëmarrësit e grevës së urisë