Vasili: Rama të lejojë edhe mjekët tanë në çadër
Ministria e Shëndetësisë përcjell shqetësimin për rëndimin e kushteve shëndetësore të grevistëve. Kreu i saj, Petrit Vasili, dje pasdite me anë të një konference për shtyp ftoi kreun e Partisë Socialiste të lejojë mjekët të japin asistencë shëndetësore. Sipas tij, kreu i PS-së, Edi Rama, në respekt të ligjit duhet të ndryshojë qëndrimin e tij. “Ftoj z.Rama të lejojë ekipet e specializuara mjekësore të Ministrisë së Shëndetësisë, që të kryejnë detyrën e tyre ligjore për të ofruar shërbimin e tyre në mjediset e grevës dhe pranë grevistëve. Të bëhet i mundur bashkëpunimi dhe me mjekët simpatizantë të Partisë Socialiste, që deri më tani e kanë ofruar në mënyrë vullnetare shërbimin shëndetësor në mjediset e brendshme të grevës”, tha Vasili.