Rama: Më 9 maj, protestë si në 30 prill
Aristir Lumezi
Edi Rama paralajmëroi dje organizimin më 9 maj të një tjetër proteste të madhe në Tiranë. Gjatë fjalës së tij para protestuesve dhe grevistëve të urisë, Rama tha se më 9 maj opozita do tregojë se e do Evropën. “Të dielën më 9 maj, në orën 10:00, të gjithë qytetarët janë të ftuar të vijnë këtu për të dëshmuar se ne jemi këtu për Evropën”, tha Rama. Duke theksuar vendosmërinë për të vazhduar aksionin politik, deri në zgjidhjen përfundimtare të kauzës së tyre, kreu i opozitës ftoi qytetarët t’i bashkohen manifestimit të tyre paqësor, paraditen e 9 majit, ditën e triumfit mbi fashizmin. “Jemi këtu për liri e të drejta që janë në themelin e Bashkimit Evropian dhe për të cilat Evropa ka luftuar me të gjitha format me shekuj e dekada. Më 9 maj duhet të jemi këtu edhe për ditën e madhe evropiane dhe botërore të triumfit mbi fashizmin, mbi të keqen e madhe që kapitulloi në vitin 1945”, vazhdoi më tej Rama. Në ditën e gjashtë të protestës së opozitës, për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ritheksoi bindjen e opozitës se asnjë vendim gjykate nuk pengon transparencën dhe hapjen e kutive, sikundër pretendon maxhoranca. “Nuk ka vendim gjykate që pengon transparencën, nuk ka Kushtetutë që pengon transparencën e kutive. Transparencën e kutive e pengon vetëm pushteti, që mban në kuti armën që vrau zgjedhjet e shkuara dhe kërkon të vrasë edhe zgjedhjet e ardhshme, për të mbajtur peng të ardhmen tonë”, u shpreh Rama. Kryesocialisti i ka bërë sërish apel Kryeministrit Berisha të lejojë hapjen e kutive të votimit, duke nënvizuar se opozita nuk kërkon marrjen e pushtetit në tavolinë, por kërkon t’i japë fund njëherë e përgjithmonë zgjedhjeve të manipuluara. “Hap kutitë Sali Berisha, nuk duam të dorëzosh në tavolinë pushtetin, por të dorëzosh armën me të cilën vrave zgjedhjet e 28 qershorit”, u shpreh kreu i opozitës. Ndërsa nuk fshehu emocionet pas fjalimeve të deputetëve grevistë, Rama konsideroi manifestime fashiste, protestat e organizuara nga maxhoranca. “Vetëm në regjimet pa demokraci, pa liri e të drejta, mund të merren individët e të kthehen në turma, të kthehen në lista ku firmosin para dhe pas. është e habitshme se si kjo mendësi fashiste apo komuniste është e pandalshme në mënyrën e funksionimit të saj edhe kur rrezikon të dalë kaq zbuluar, kaq paturpësisht zbuluar para syve të popullit që kërkon të gënjejë”, tha kryesocialisti. Kreu i PS ka vlerësuar grevistët, të cilët kanë hyrë në ditën e pestë të saj, duke ritheksuar edhe njëherë se ajo nuk do të ndalet pa u realizuar transparenca zgjedhore. “U përulem të gjithë atyre që janë në këtë çadër, sepse janë fuqia e madhe që udhëheq këtë protestë pa ndalim”, ka theksuar Rama, i cili ka paralajmëruar një tjetër protestë masive ditën e diel, për të rrëzuar, sipas tij, regjimin fashist të Berishës, në ditën e Evropës. Kreu socialist gjatë fjalës së tij nuk harroi dhe protestën e grave demokrate para Bashkisë së Tiranës. “Jam shumë i hidhëruar të flas në manifestimin e protestës së organizuar me lista kundër lirive dhe të drejtave dhe në injorim të drejtpërdrejtë të dinjitetit të atyre grave që sot janë në çadër. Ajo foli për liberalizimin e vizave dhe kërkoi që opozita, PS, unë, të mos pengojmë liberalizimin e vizave. Dua t’i them, nëse nuk më dëgjon apo nuk më sheh, fjalët e mia do t’i shkojnë në vesh, “jam i trishtuar Edi Luarasi, por nuk jam aspak hatërmbetur, sepse e respektoj mundimin dhe pritjen tënde, veçse dëshiroj ta dish drejtpërdrejt dhe shumë sinqerisht se ne jemi këtu jo për të penguar liberalizimin e vizave, por për të luftuar ata që i kanë hequr vizën lirisë, barazisë dhe vllazërimit. Edi Luarasi të uroj natën e mirë”, u shpreh Rama.
Eduard Shalsi
Deputeti Eduard Shalsi e nisi fjalën e tij duke akuzuar kryeparlamentaren Topalli për organizimin e protestës së grave para Bashkisë. Sipas tij, “Sot në 5 maj zonja që çalon përditë e më tepër mblodhi gra për të bërë antimitingun e radhës. Përditë detyrojnë gra të dalin në antimiting duke i kërcënuar me heqje nga puna.” Shalsi edhe dje kërkoi dhënien fund kësaj qeverie, për të cilën vuajnë në grevë urie më shumë se 200 veta. Deputeti socialist i bëri thirrje Sali Berishës të mos veprojë si 13 vjet më parë. “13 vjet më parë Berisha u detyrua të negocojë prej frikës, me kundërshtarin politik. I bëj thirrje: Mposhte frikën brenda teje sot, që të mos negociosh prej saj nesër!”
Erion Braçe
Deputeti Erion Braçe gjatë fjalës së tij akuzoi qeverinë Berisha, si më të korruptuarën në Evropë “Qytetarët e ndershëm të këtij vendi që udhëhiqen nga qeveria më e korruptuar në Evropë, qytetarë të majtë e të djathtë kanë identifikuar korrupsionin në majën e kësaj qeverie”, tha Braçe. Sipas Braces, ky nuk është pushteti që zgjodhën shqiptarët, por është pushteti i grabitur, prandaj nënvizoi se beteja duhet të vazhdojë. “Ky nuk është pushteti i shqiptarëve, ky është pushteti që grabit shqiptarët, ne nuk e duam këtë pushtet. Beteja jonë është parimore, në cdo minutë është funksionuese për të bërë demokracinë të dobishme”, tha Brace duke akuzuar dhe deputetë të PD për korrupsion.
Malaj dhe Balla rikthehen në grevën e urisë
Deputetët e Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Arben Malaj, menjëherë pas kthimit nga Brukseli, mëngjesin e djeshëm, i janë rikthyer grevës. Ata ndodheshin në Bruksel në takimin e Komunitetit ndërkombëtar të Stabilizim-Asociimit, ndërmjet BE dhe Shqipërisë, takim ky që nuk arriti në një marrëveshje. “është e pa kuptueshme sesi përfaqësues të maxhorancës refuzuan një deklaratë të përbashkët, ku një ndër angazhimet themelore, përveç angazhimeve për zgjidhjen e krizës, ishte angazhimi opozitë- maxhorancë, në shërbim të liberalizimit sa më shpejt të vizave”, tha Balla përsa i përket takimit. Ai, ndërsa është bashkuar me kolegët dhe qytetarët te çadrat ku po mbahet greva, ka garantuar se greva e urisë do ketë po aq sukses, sa pati greva e urisë e vitit 1991.