Grindet me të afërmin, vetëvaret 13-vjeçari

FUSHË-KRUJË/ Endri Selimi është vetëvarur në një shtyllë pas shtëpisë së tij sapo është kthyer nga shkolla
Shokët dhe mësuesit kanë deklaruar se gjatë ditës së hënë adoleshenti është paraqitur i mërzitur
FUSHË-KRUJË - Një nxënës 13-vjeçar i shkollës 9-vjeçare të qytetit të Fushë-Krujës ka varur veten ditën e djeshme, ndërsa shkak për këtë dyshohet të ketë qenë një grindje mes tij dhe familjarëve një natë më parë.
Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur sapo ai është kthyer nga shkolla. Vonesa e tij pasi ka lënë çantën e librave në shtëpi është larguar ka bërë që familjarët të alarmohen e të nisin ta kërkojnë, teksa e kanë gjetur të vetëvarur në një shtyllë elektrike në pjesën e pasme të banesës së vet. Sipas policisë, vetëvarja është bërë me një litar të improvizuar prej fëmijës, i cili për këtë kishte përdorur një rrip sigurimi automjetesh.
Ngjarja
Sipas burimeve zyrtare të policisë, 13-vjeçari Selimi është kthyer ditën e djeshme nga shkolla, ka lënë çantën në shtëpi dhe më pas është larguar pa treguar se ku ishte.
Pasi kanë kaluar disa orë, të afërmit kanë nisur ta kërkojnë të shqetësuar, aq me tepër që një natë më parë kishin debatuar edhe për faktin se koha që ai kalonte jashtë ishte shumë e madhe përkundrejt kohës që duhet të kalonte duke mësuar për të ecur mirë me shkollën.
Kështu ata kanë nisur edhe kërkimet për djalin duke pyetur edhe shokët e tij. Por pas një kontrolli në bahçen e tyre, që ndodhej pas banesës, kanë parë të miturin të varur në shtyllën e dritave, në të cilën mësohet të jetë ngjitur me shkallë.
Hetimi
Menjëherë është lajmëruar policia e qytetit të Fushë-Krujës, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur edhe hetimet që çuan në aktin e kryer nga djaloshi 13-vjeçar.
Pas marrjes në pyetje të familjarëve por edhe shokëve të klasës si një ndër shkaqet për kryerjen e vetëvrasjes nga adoleshenti dyshohet të ketë qenë një qortim në mbrëmje, ku të riut i është kërkuar të shkonte më herët në shtëpi në mënyrë që të ishte më mirë me mësime.
Ndërkohë, mësohet se gjatë marrjes në pyetje shokët e 13-vjeçarit dhe mësuesit kanë deklaruar se Endri Selimi ishte një tip në përgjithësi i mbyllur. Ata janë shprehur se gjatë së hënës ai ka qenë i mërzitur në shkollë, por gjithsesi nuk ka pranuar që të flasë lidhur me atë që ka ndodhur.
Gjithsesi vijojnë hetimet për të zbardhur motivin e plotë të kryerjes së vetëvrasjes nga ana e 13-vjeçarit. Grindjet me familjarët kanë qenë herë pas here shkak për kryerje aktesh vetëflijuese nga të rinjtë dhe jo rrallë këto motive kanë qenë banale.