Gripi i derrit, kontroll mjekësor në kufi për të gjithë udhëtarët
Çdo person që hyn në Shqipëri, do të duhet të raportojë nëse vjen nga një vend i prekur nga gripi i derrit dhe të kontrollohet menjëherë nga ekipet mjekësore që ndodhen në kufij. Frika nga përhapja e gripit të derrit ka detyruar institucionet shqiptare që të ashpërsojnë masat e tyre në kufijtë e vendit. Të gjitha pikat e hyrjes kufitare, qofshin aeroporte, porte apo pika tokësore janë pajisur prej ditës së djeshme me ekipe mjekësore që do të monitorojnë situatën e personave që hyjnë në Shqipëri. Personat që kanë udhëtuar në një prej vendeve të prekura nga gripi i derrit, do të duhet të japin sqarime te ekipi mjekësor, i cili më pas vlerëson gjendjen shëndetësore të udhëtarit, duke marrë edhe masat përkatëse.
Ndërkaq, nën rrezikun e përhapjes së një pandemie të gripit të derrave që është paralajmëruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë ka ngritur komisionin e ekspertëve të pandemisë, që do të jetë i gatshëm të ndërhyjë në çdo rast që mund të shihet si i domosdoshëm.
"Duke u mbështetur në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo nëntip i ri i virusit të influencës dhe grupime të sëmundjeve të pazakonta dhe të panjohura, duhet patjetër të raportohen pranë OBSH-së", - bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë, duke shtuar: "Në zbatim të Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit (RNSH, 2005) dhe ligjit të luftës kundër sëmundjeve infektive, rekomandohet që të gjithë udhëtarët të pyeten, nëse kanë qenë në zonat e prekura nga gripi i derrit, sipas listës bashkangjitur, e cila do të përditësohet". Ndërkohë, çdo drejtori e shëndetit publik duhet të marrë masa të sigurojë inspektimin sanitar në kufi.
Ministria ka rekomanduar të gjitha ekipet mjekësore, por edhe punonjësit e pikave kufitare që të jenë vigjilentë ndaj rasteve që mund të ketë dyshime. “Çdo inspektor sanitar apo punonjës shëndetësor në kufi duhet të jetë i pranishëm afër pikës së kontrollit gjatë mbërritjeve të udhëtarëve dhe të vlerësoje gjendjen e udhëtarit të referuar nga policia e kufirit, sipas përkufizimit të rastit, bashkëngjitur këtij udhëzimi dhe listës së vendeve të prekura”, - njoftoi ministria.
Menjëherë pas dhënies së urdhrit në fjalë nga ministria, ka nisur zbatimi në pikat e kalimit të kufijve. Duke folur për mediat, drejtuesit e aeroportit “Nënë Tereza”, Portit të Durrësit, Portit të Vlorës dhe pikat tokësore të kalimit kanë bërë të ditur se ka nisur pyetja e personave që hyjnë në kufijtë tanë, sidomos nga vende që tashmë janë prekur ose që dyshohet se janë prekur nga gripi i derrit.
Drejtuesit e këtyre institucioneve kanë pohuar se kanë nisur kontrollet, porse baza materiale nuk është ende e plotë për shkak të shpejtësisë së marrjes së masave dhe se presin që gjithçka të normalizohet brenda ditës së sotshme.
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë vendosur në dispozicion të qytetarëve tre numra telefoni për të raportuar raste të dyshuara. Ata janë: (04) 2374756 ose në 0682414332 si edhe 0693087781. Ministria e Shëndetësisë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kanë simptoma të ngjashme me gripin e derrit që të paraqiten vetiu në spitale për t`u mjekuar.
Epidemitë e mëparshme
Në Evropë, që nga viti 1958 janë raportuar 17 raste të personave të prekur nga gripi i derrit, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një shpërthim epidemik nga gripi i derrit tek njerëzit u vu re tek rekrutët në një kamp të ushtrisë në Fort Dix, New Jersey, në vitin 1976. Një lidhje me derrat u supozua në këtë kohë, por nuk u zbulua asnjëherë. Por ajo që u pa, ishte transmetimi i lartë nga njeriu tek njeriu me rreth mbi 200 raste të infeksionit, ku 12 u shtruan në spital në gjendje të rëndë dhe me një vdekje.
Simptomat
Simptomat e gripit të derrit tek njerëzit janë të ngjashme me ato të gripit sezonal të zakonshëm të njerëzve, si fillimi i menjëhershëm i temperaturës, dobësia, dhimbja e fytit, kolla, por vihet re dhe diarre. Ndaj, në rast të konstatimit të këtyre shenjave, të gjithë personat që kanë udhëtuar në zonat e prekura, duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku.
Transmetimi
Në shumicën e rasteve, virusi transmetohet nëpërmjet kontaktit të ngushtë me derrat, ndërsa rastet e transmetimit nga njeriu tek njeriu, më parë kanë qenë të rralla. Ky virus nuk transmetohet nga ngrënia e mishit të derrit apo produkteve të tij. Në rastet e transmetimit nga njeriu tek njeriu më parë, transmetimi ndodh nëpërmjet kontaktit të ngushtë dhe rrugëve ajrore.
Meksikë e SHBA, në karantinë
Situata e krijuar nga gripi i derrit ka vendosur në karantinë Meksikën dhe Shtetet e Bashkuara. Akoma edhe ndeshjet e futbollit në stadiumet e New Mexico-s në SHBA këtë javë janë zhvilluar me dyer të mbyllura. Kjo masë është marrë pasi qendra të tilla publike, sipas autoriteteve vendase, mund të jenë pikat kyçe të përhapjes së këtij virusi. Autoritetet vendase kanë shkuar edhe më tej, duke mbyllur të gjitha ndërtesat që kanë funksione fetare.