Gripi i derrave, Oketa komunikon me komandon tonë në Afganistan
TIRANË- Ushtari i prekur me gripin e derrave pjesë e komandos shqiptare në Afganistan është në gjendje të mirë shëndetësore. Këtë e konfirmon Ministria e Mbrojtjes e cila njofton se ministri Gazmend Oketa ka pasur sot një telefonatë me të.
"Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa ka zhvilluar një bisedë telefonike me komandot shqiptare në Afganistan. Ai është njohur me gjendjen shëndetësore të ushtarëve shqiptarë të cilët janë të prekur nga virusi i gripit të derrit AH1N1", thuhet në njoftim.
Pas telefonatës u mësua se njëri prej komandove i cili ishte shtruar në spital i infektuar nga virusi AH1N1 është shëruar plotësisht, ndërsa tre të tjerë të cilët ishin vendosur në karantinë në një çadër në bazën ushtarake në Farah të Afganistanit, si të dyshuar me virus, rezultojnë se nuk janë të prekur nga gripi i derrit.
Ministri Oketa ka komunikuar gjithashtu dhe me familjen e ushtarit, e cila banon në qytetin e Lushnjes. Gjithashtu ka mundësuar dhe komunikimin telefonik të tyre me djalin ushtar në Afganistan, ku familja ka marrë garancitë se ndihej mirë dhe ishte jashtë rrezikut. Megjithatë ushtari vazhdon të mbahet nën kontroll në spitalin e kontingjentit italian në Herat.
ora 08:00
Virusi i gripit A H1N1, i njohur si gripi i derrit prek dhe trupat komando shqiptare në Herat të Afganistanit, ku është konfirmuar infektimi i një paqeruajtësi.
Ushtaraku shqiptar që është me mision paqeruajtës në Afganistan është prekur para disa ditësh, ndërsa gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar dhe ai tani ndodhet në komandën e grupit paqeruajtës.
Lajmi për prekjen e ushtarit nga Shqipëria është konfirmuar nga burime të rezervuara nga Ministria e Mbrojtës, ku thuhet se vetëm një pjesëtar i grupit paqeruajtës është prekur nga një formë e lehtë e virusit A H1N1, ndërsa të gjithë komandot e tjerë të misionit ndodhen në gjendje të mirë.