Pakti PD-LSI, Rama: Qeveri interesi për plaçkitjen e shqiptarëve
TIRANË- Kurorëzim të maskaradës që ka në themelin e saj krimin elektoral dhe ka për fytyrë pazarin e paralajmëruar prej socialistëve të Berishës me Metën, e ka quajtur kreu i PS-së, Edi Rama marrëveshjen e lidhur dje mes drejtuesit të PD-së dhe të LSI-së, për ndarjen e posteve të para ministrore të qeverisë së re.
Gjatë një konference për shtyp nga selia e PS-së, Rama ka bërë edhe njëherë apel se është koha e bashkimit të madh politik të të gjithë atyre që i besuan Metës, i cili sipas Ramës kreu veprën më shembullore të mashtrimit publik duke marrë 83 mijë vota në emër të çlirimit të shqiptarëve nga Berisha dhe duke i përdorur ato për t'u ulur në tryezën e Berishës.
"Unë sot dua të përsëris jo vetëm që nga ky pazar dhe mbi themelet e maskaradës zgjedhore nuk mund të lindë asgjë tjetër përveç një qeverie që do të thellojë krizën e demokracisë, drejtësisë dhe atë ekonomike, por dua të them që ky është momenti për t'u bashkuar që të gjithë dhe për ta ribërë apelin në adresë të gjithë atyre që sinqerisht besuan te Ilir Meta, në emër të asaj që ai premtoi, e të bëhen pjesë e familjes politike të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj"- tha Rama.
Sipas tij tani është koha për tu bërë të gjithë bashkë kundër kësaj krushqie të turpshme. Kjo, sepse sipas Ramës, dasma do tu kushtojë shumë shqiptarëve dhe ata nuk kanë mundësi dhe arsye që të paguajnë vijimësisht duke hyrë në borxhe edhe më të mëdha se këto ku kanë hyrë sot familjet shqiptare për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë. Rama ka shtuar më tej se me këtë qeveri do të thellohet kriza ndërkohë që do të rriten vetëm fitimet e një grushti njerëzish.
"Krimi elektoral e bën Kuvendin me legjitimitet të ngujuar, kurse mashtrimi publik i Metës që u kurorëzua me marrëveshjen e tij të hapur me berishën, thellon krizën e besimit të njerëzve te politika"- tha ai.