Gjonçaj: Hapat që do ndiqen për zgjedhjen e kryetarit
Intervista / Kreu i Komisionit Zgjedhor në PS, Genci Gjonçaj, i kthen përgjigje edhe zërave në PS për konflikt interesi me detyrën si kryetar i KZP-së, për shkak të punësimit në Bashkinë e Tiranës
TIRANË- Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në Partinë Socialiste, Genci Gjonçaj, shpjegon planin e veprimeve që është miratuar në këtë institucion për garantimin e një procesi zgjedhor brendapartiak të ndershëm dhe të pranuar nga të dy kandidatët.
Ai u kthen përgjigje dhe zërave që e kanë akuzuar atë kohët e fundit për konflikt interesi me detyrën e kryetarit të komisionit, si dhe për vendimmarrje jolegjitime.
Z. Gjonçaj, Komisioni i Zgjedhjeve në Parti (KZP) ka zhvilluar para dy ditësh mbledhjen e tij të parë për sa i përket procesit të ri zgjedhor për kryetarin e Partisë Socialiste. Mund të na thoni cila ka qenë vendimmarrja e kësaj mbledhjeje dhe masat që keni marrë për garantimin e një procesi zgjedhor normal?
Së pari, komisioni nuk u mblodh për herë të parë për këto zgjedhje, pasi ka zhvilluar dhe mbledhje të tjera lidhur me këtë proces, me qëllim që të përafrojë aktivitetin e tij në funksion të vendimit të Asamblesë Kombëtare.
Pra, ne patëm një vendim asambleje, në të cilën u kuptua fare mirë që kryetarit i ishte ndërprerë mandati dhe PS-ja duhet të shkonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në zgjedhjen e kryetarit të ri.
Për këtë arsye, pra për t'u paraprirë proceseve parazgjedhore, komisioni ka biseduar çështje, natyrisht nuk ka bërë vendimmarrje, por në funksion të këtyre zgjedhjeve mbledhja e fundit është e disata.
Si rezultat edhe i Kodit Zgjedhor të partisë, i cili vinte një afat imponues 3-ditor për paraqitjen e kërkesave të kandidatëve, të cilët parashtruan platformat e tyre në mbledhjen e kongresit, komisioni gjeti me vend që në përfundim të këtij afati të mblidhej dhe të shikonte se cilat prej kandidaturave kishte plotësuar këtë detyrim statutor.
Në fund, pasi shqyrtoi dokumentacionin përkatës, vendosi që të regjistronte si garues për zgjedhjen dhe kryetarin e PS-së, Maqo Lakrorin dhe Edi Ramën.
Në këtë kuadër u përgatit vendimmarrja përkatëse dhe besoj se kjo do të shoqërohet edhe me vendimmarrjet e mëvonshme, që kanë të bëjnë me fletët e votimit, me vendosjen e emrave në to, me formën, përmbajtjen dhe elementë të tjerë, të cilët duhet të përgatiten dhe miratohen nga komisioni.
Para disa kohësh keni nxjerrë një urdhër për organizimin e komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta, thithjen e emrave që do të ishin anëtarë, numrin e zgjedhësve, ndërkohë që komisioni nuk ishte mbledhur...
Do ta konsideroja një ngatërrim mediatik, pasi çështja nuk ishte e tillë siç edhe është trajtuar. Unë drejtoj komisionin që nga 2007-a dhe nuk është hera e parë që unë u drejtohem strukturave të partisë në mënyrë individuale, pa pasur nevojën e mbledhjes së komisionit.
Gjithsesi, ato shkresa që komentohen nuk kishin të bënin me ndonjë vendimmarrje të komisionit, por janë praktika rutinë dhe që kanë të bëjnë me komisionet e niveleve të dyta dhe me listat e zgjedhësve.
Afatet, që nganjëherë vendosen në mënyrë jokorrekte nga struktura të tilla siç është kongresi, duhet të paraprihen për t'iu përgjigjur vendimmarrjes në kohë dhe me cilësinë e duhur.
Dhe besoj se në kohë vere ku pushimet kanë ndikimin e tyre, ato shkresa që unë nisa, i shërbejnë më së miri përshpejtimit të procesit, sepse ne tashmë disponojmë më shumë se 98 për qind të emrave të komisionerëve.
Pra, kjo praktikë shërbeu në funksion vetëm dhe thjesht të kohës dhe nuk kishte të bënte me një vendimmarrje të komisionit që nuk dilte jashtë kompetencave të mia si kryetar.
Realisht, si u ngritën komisionet e niveleve të dyta, pra cila ishte praktika e ndjekur për propozimet dhe miratimin e emrave për anëtarë?
Deri më sot që flasim janë konstituuar më shumë se 35 komisione nga 37 të mundshme dhe dy komisionet që kanë mbetur pa u krijuar, kanë të bëjnë thjesht me fakte personale të personave që duhet t'i përgjigjeshin kërkesës së komisionit.
Ne u kërkuam strukturave të partisë emrat për këto komisione dhe pas këtij procesi, këto, brenda pesë ditëve do të konstituohen, pra do të marrin përgjegjësinë e zgjedhjes së kryetarit, nënkryetarit dhe sekretarit të komisionit dhe më pas, në mënyrë zinxhir, do të vazhdojë procesi për të krijuar komisionet e bashkive dhe komunave, të cilat do t'i zhvillojnë zgjedhjet sipas parimit "një anëtar një votë" për kryetarin e partisë.
Çka do të thotë, më shumë se 70 mijë zgjedhës, pra anëtarësh, refuzoj të jap një numër të saktë në cilësinë e kryetarit, për sa kohë unë të kem listat përfundimtare të zgjedhësve, do të shprehen me votë.
Prandaj, në këtë kuadër, veprimtaria e komisionit është aktive për t'i bërë të mundur çdo anëtari të PS-së në çdo komunë dhe bashki, që të mund të shprehet për kryetarin e ri të PS-së. Propozimet kanë ardhur nga Këshilli Socialist i Rrethit, i cili është edhe autoriteti që ka për detyrë të paraqesë propozimet.
Kur do ta keni në dispozicion numrin e zgjedhësve?
Besoj brenda datës 10 shtator do të kemi një numër të saktë të anëtarësisë së PS-së.
Çfarë mundësish kanë kandidatët për të bërë fushatë?
Hapësira është e pa limit dhe natyrisht nuk i nënshtrohen pengesave të natyrave të ndryshme. Pra, janë të lirë të bëjnë fushatë në çdo mënyrë dhe në çdo kohë.
A ka komisioni juaj një program pune për hapat që do të ndiqni deri në shpalljen e rezultatit?
Ne kemi një program pune, por që natyrisht afatet e përcaktuara në të pritet që në mbledhjen e ardhshme do t'i rishikojmë për të patur një koherencë ndërmjet zhvillimeve rutinë të zgjedhjeve, pasi jo të gjithë përgjigjen në kohë, jo të gjitha strukturat kanë të njëjtën performancë raportimi ndaj komisionit. Kështu që ne, duke parë dhe problematikën e këtyre ditëve, do të bëjmë një mbledhje tjetër për të marrë masat konkrete.
Në zgjedhjet qendrore që sapo lamë pas, problematika më e madhe u vërejt gjatë procesit të numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit. Në zgjedhjet në parti a keni ju një datë se kur do të shpallni fituesin e kësaj gare?
Zgjedhjet brenda familjes sonë politike nuk kanë të ngjarë me zgjedhjet e organizuara nga qeverisja e PD-së. Pra, në qoftë se në zgjedhjet parlamentare patëm përballë shtetin dhe rrugaçët, në zgjedhjet brenda familjes sonë politike këto janë emocione të tejkaluara.
Nuk do të ketë asnjë lloj problematike, do të ketë një vendimmarrje korrekte dhe do të duhet një kohë e shkurtër sa për të numëruar fletët e votimit. KZP-ja do të jetë në lartësinë e detyrës për t'ua dhënë votuesve rezultatin në kohën më të shpejtë të mundshme.
Për këtë lloj procedure duhet të marrim parasysh mundësinë që kanë komisionet për të përfunduar procesin e tyre. Megjithatë, besoj se çdo gjë do të mbyllet brenda dy apo tre ditëve nga dita e zgjedhjeve.
Ka patur akuza nga individë brenda PS-së se jeni në konflikt interesi me detyrën si kryetar i KZP-së, për shkak se punoni në Bashkinë e Tiranës....
Kam dëgjuar për këto deklarata, por unë punoj në bashki që prej vitit 2008, ndërkohë që detyra e kryetarit të KZP-së është që prej vitit 2007.
Me këtë dua të them se në vitin 2007 askush dhe, aq më pak unë, mendonim se do të vinim në një situatë të tillë në 2009-ën, të mos fitores së zgjedhjeve të përgjithshme, çka do të bënte të nevojshme garimin e kandidaturave të ndryshme për kryetar partie.
Natyrisht unë punoj në Bashkinë e Tiranës, por unë punoj për bashkinë dhe jo për Edi Ramën. Unë punoj pranë këtij institucioni dhe në sjelljen time si kryetar komisioni, nuk ka asgjë që vjen në kundërshtim me detyrën time.
Në një vend të lirë njerëzit punësohen sipas mundësive të tyre dhe kjo nuk do të thotë që, për shkak të punësimit, njerëzit të kenë probleme me ndërgjegjen dhe moralin e tyre.
Ajo që e bën qesharake këtë çështje është përpjekja e disa personave për të gjetur një grep fare të vogël për të mbajtur peng këtë proces, siç ishte marrëdhënia ime me bashkinë.
Natyrisht, këta persona që i mëshonin kësaj çështjeje, duhet të më tregonin pikën e kodit dhe statutit ku unë pengohem që të ushtroj një detyrë të tillë në këto kushte.