E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave po shfaqet më agresiv

03/09/2009  Vaksina do të bëhet vetëm një herë si te fëmijët, ashtu dhe te moshat e tjera

Ndonëse numri zyrtar i pacientëve të prekur nga virusi i gripit të derrave nuk ka pësuar ndryshime nga dy ditë më parë, mjekët infeksionistë pranë shërbimit infektiv pohojnë se janë shtuar me ritme të shpejta rastet e dyshuara si mbartëse të këtij virusi. Mjekët pohojnë se gjatë ditëve të fundit janë paraqitur me dhjetëra raste që manifestojnë komplikacione të ngjashme me ato të gripit të derrave, të cilat do të analizohen për praninë e këtij virusi. Ndërkohë që rastet e dyshuara kanë qenë të formave të mesme e të rënda, çka tregon se po shtohet agresiviteti i përhapjes së këtij virusi në popullatën tonë. Kjo e fundit konfirmohet edhe me faktin se tre prej pacientëve të prekur kanë dalë nga spitali vetëm pak ditë më parë, pasi u janë nënshtruar trajtimeve të rrepta për shkak të problemeve të rënda të paraqitura në shëndet. Megjithatë, frika e përhapjes mbetet tepër e lartë, pasi specialistët mendojnë se shumë prej pacientëve mund ta kenë kaluar këtë infeksion si grip normal. Hyrja e vjeshtës është konsideruar si koha më problematike për shpërthimin e ndonjë epidemie të mundshme të këtij gripi edhe në vendin tonë, për të cilën është parashikuar se do të preket më shumë se 30 për qind e popullatës së vendit. Aktualisht në vendin tonë rezultojnë të prekur zyrtarisht 30 raste A (H1N1), ndërsa priten përgjigjet e analizave edhe për 9 raste të dyshuara, rezultatet e të cilave do të mbërrijnë nga Laboratori i Referencës për Evropën Juglindore në Bukuresht (Rumani). Gjithashtu shtimi i të prekurve mund të shfaqet më i frikshëm pas çeljes zyrtare të shkollave kopshteve apo universiteteve. Për këto të fundit është kërkuar rritja e masave higjienosanitare për të garantuar shëndetin e nxënësve. Ndaj është kërkuar nga mjekët që të mos neglizhohen shfaqja e shenjave të para. Në këtë rast qytetari duhet t’i drejtohet menjëherë mjekut të familjes për diagnostikim. Ekspertet gjithashtu kanë pohuar se vendi ynë është i rrezikuar nga përhapja e këtij virusi deri në muajin mars dhe sipas statistikave gripi i derrave shkakton 10 të vdekur për 1 mijë persona.

Detajohet lista

Kategoritë që do marrin të parat vaksinën

Përcaktohen kategoritë që do të përfitojnë të parat marrjen e vaksinës kundër virusit të gripit të derrave. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, pas diskutimeve të zhvilluara në lidhje me ecurinë dhe frikën e përhapjes masive të këtij virusi te ne, kanë përcaktuar grupet e riskut që duhet të marrin të parat vaksinën sapo ajo të mbërrijë në vend. Faza e parë e vaksinimit kundër AH1N1-shit do të bëhet te këto kategori: gratë shtatzëna, të sëmurët nga mushkëritë, diabetiket si dhe anëtaret e qeverisë e të policisë. Këto kategori konsiderohen si më shqetësueset, sepse janë në kontakt të vazhdueshëm me vatrat që mund të sjellin një shpërthim epidemik të këtij virusi edhe në vendin tonë. Megjithatë, grupe risku janë cilësuar edhe grup-moshat 5 deri në 25 vjeç, të cilat qëndrojnë në ambiente të mbyllura për një kohë të gjatë, çka mund të shërbejë për përhapjen e shpejtë të këtij virusi. Përkundrejt këtij shqetësimi është menduar që vaksina të sigurohet edhe për këtë grup-moshë që në fazën e parë të shpërndarjes. Specialistët kanë shtuar se ky plan masash mund të pësojë ndryshime të tjera, të cilat do të evidentohen në bazë të ecurisë dhe agresivitetit me të cilin do të shfaqet kjo sëmundje në ditët e ardhshme.

Gjithashtu ekspertët e shëndetit publik kanë pohuar se vaksina do të bëhet me një dozë si për fëmijët, ashtu dhe për kategoritë e tjera. Pavarësisht këtyre këshillave ende nuk është zyrtarizuar nëse kjo vaksinë do të sillet në vendin tonë në kohën e duhur.

Vaksina

Mbyllen përllogaritjet për grupet që duhet të marrin të parat vaksinat kundër rrezikshmërisë së AH1N1-shit. Ekspertë të ISHP-së kanë pohuar se të parët që do të vaksinohen kundër virusit të rrezikshëm do të jenë mjekët, gratë shtatzëna, të sëmuret nga mushkëritë, diabetiket si dhe anëtarët e qeverisë e policisë. Ndërkohë që në grupin e parë të personave që do të vaksinohen përfshihen edhe grup-moshat nga 5 deri në 25 vjeç. Vaksina do të bëhet vetëm një herë si te fëmijët, ashtu dhe te grupet e tjera të popullatës së rriskuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›