E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, nis shembja e 20 ndërtimeve pa leje

03/09/2009  Banorët kundërshtojnë me forcë

BERAT- Në kuadër të investimeve të bashkisë në infrastrukturën rrugore të lagjeve në qytetin e Beratit, Drejtoria e Policisë Ndërtimore në bashkëpunim me Policinë Bashkiake kanë nisur aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje. Pikërisht në këtë aksion përfshihet prishja e rreth 20 ndërtimeve pa leje, kryesisht shtesa të objekteve private. Aksioni ka nisur në rrugën “Sotir Kolea” në lagjen “30 Vjetori” ku po bëhet dhe rikonstruksion i këtij segmenti rrugor me investime të bashkisë. Gjatë aksionit banorët kanë kundërshtuar prishjen e ndërtimeve, të cilat sipas tyre nuk sjellin pengesë në rrugën e re. Sipas tyre, ata kanë bërë shtesë për të shtuar një pjesë shtëpie për të strehuar fëmijët e tyre. Duke qenë se shumë familje janë me dy djem të martuar që jetojnë në të njëjtën banesë, banorët kanë bërë shtesë që sipas tyre nuk cenon aspak projektin e rrugës. Po sipas banorëve rruga e lagjes nuk duhet të jetë aq shumë e gjerë pasi do të prek shumë familje, të cilat strehohen në shtesat e bëra, dhe pas prishjes së tyre listës së Bashkisë do ti shtohet numri i të pastrehëve. Gjatë aksionit policia ka hasur vështirësi në nisjen e aksionit në rrugën Sotir Kolea dhe për pasojë është larguar duke ndërruar destinacion për prishjen e ndërtimeve të paligjshme afër stadium “Tomorit”. Për shkak të shtesave disavjeçare banorët thonë se kanë investuar me mund dhe djersë për të shtuar qoftë disa metra. Ndërsa nuk kanë marrë asnjë lajmërim për prishjen e pjesëve të shtëpisë së tyre, siç i quajnë ata tashmë këto shtesa. Gjatë ndërtime që janë bërë vihet re se pjesa më e madhe e ndërtimeve pa leje janë kryer për shtim dhome. Ndërsa nga 20 ndërtime të tilla vetëm një banesë figuron me dokumente të rregullta, e cila është parashikuar që dhe ajo të përfshihet në aksionin e prishjes me fadromë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›