E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrave, simptomat e sëmundjes që shfaqen tek të prekurit

ISHP: Masa më të forta për higjienën dhe kontrollet sanitare. Ministria e Shëndetësisë mbledhje urgjente për gripin e derrave

Emanuela Sako

Alarmi për gripin e derrave ka vënë në lëvizje strukturat shëndetësore në të gjithë botën, duke përfshirë dhe vendin tonë. Specialistët kanë bërë të ditur se si duhet të evidentojmë rastet se kur një person është i prekur nga gripi i derrit. Specialistët sqarojnë se përhapja e sëmundjes ndodh nëpërmjet ajrit, kontakteve të drejtpërdrejta me kafshët dhe nëpërmjet konsumimit të mishit të derrit. Ndërkohë, që simptomat janë të njëjta me ato të gripit të njeriut dhe të gripit të pulës. Ministria e Shëndetësisë sqaroi se në vendin tonë nuk ka asnjë të prekur nga gripi i derrit dhe njëkohësisht vendi ynë nuk është importues i mishit të këtyre kafshëve nga Meksika që është dhe vendi i vatrës së virusit.
Simptomat
Gripi i derrave shoqërohet me një problem frymëmarrjeje tipike që shfaqet tek derrat dhe që shkaktohet nga një virus i veçantë gripit të tipit A. Mundësia për t’u infektuar është më e madhe tek njerëzit që janë në kontakt direkt me këto kafshë, por pas të prekurit të parë kjo sëmundje fillon të përhapet me shpejtësi nga një person tek tjetri. Simptomat e këtij gripi tek njerëzit janë të ngjashme me simptomat e një gripi normal, temperaturë, kollë, dhembje koke, marrje mendsh dhe këputje. Shumë nga personat e prekur nga sëmundja kanë pasur edhe diarre dhe të vjella të vazhdueshme. Mënyrat e transmetimit të këtij gripi janë dy: ose përmes kontaktit me kafshët që bartin virusin ose përmes kontaktit me personat e sëmurë. Personat e prekur nga sëmundja konsiderohen të infektuar përgjatë gjithë kohës që janë me këtë grip dhe deri në 7 ditë pas shërimi total nga simptomat. Ndërkaq fëmijët mund të qëndrojnë të prekur nga ky virus edhe për një kohë më të gjatë.
Masat
Vendet e Bashkimit Europian janë venë në alarm për një përhapje të mundshme të grupit të derrave. Ndërsa në Shqipëri Instituti i Shëndetit Publik bën thirrje për rritjen e masave të higjienës me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit H1N1 edhe në vendin tonë. Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino bën me dije se sëmundja është një kombinim i gripit të derrit, shpendëve dhe njeriut, ndërsa shton se nuk ka vaksinë për parandalimin e tij. “Virusi i cili e shkakton atë përmban komponentë të virusit të gripit të derrit, gripit të shpendëve dhe gripit të njerëzve. Pavarësisht se quhet gripi i derrit kemi të bëjmë me një virus të ri, i cili nuk është identifikuar më parë. Kur themi se kemi të bëjmë me grip kemi të bëjmë me përhapje të rrugëve respiratore dhe nëpërmjet kontaktit. Simptomat janë të ngjashme me ato të gripit të zakonshëm” – u shpreh Bino.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›