E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjve që duan të vdesin



Gwendolyn BROOKS
Të rinjve që duan të vdesin

Uluni. Merrni frymë. Nxirrni frymë.
Pushka pret. Liqeni pret.
Helmi mashtrues në shishen picigjate
Pret pret pret;
ka për të pritur një javë, ka për të pritur krejt Prillin.
Nuk keni pse vdisni pikërisht këtë ditë.
Vdekja do të përmbahet, do t’i llastojë vonesat tuaja.
Ju siguroj se vdekja pret. Vdekja
nuk është kurrë e zënë. Vdekja mund
të vijë te ju për drekë nesër. Ja pasnesër. Ja javën tjetër.
Vdekja banon aty ndanë rrugës; fqinja më fisnike;
mund t’ju takojë çdo çast; s’keni pse mbani radhë.

S’është nevoja të vdisni sot.
Rrini këtu – edhe pse me zor a me dhimbje a me inat.
Rrini këtu. Shihni njëherë ç’të reja do të kemi nesër.

Varrezat nuk pjellin jetë që të mund ta përdornit.
Mbajeni mend. Ju jeni Rinia. Ju jeni Pranvera.

Nëna

Abortet s’kanë me ju lanë me ra në harresë.
Fëmijët që zutë e nuk i bëtë kanë me ju mbetë në kujtesë,
Ata topa të vegjël mishi të lagur me pak ose aspak flokë,
Këngëtarët dhe punëtorët që kurrë s’e shijuan këtë botë.
Nuk do t’i përkëdhelni, as nuk do t’i rrihni asnjëherë
As nuk do t’ua ndalni vajin, as nuk do t’i gënjeni me sheqerka.
Kurrë nuk do t’u ikni, duke sunduar ofshamën hiremadhe,
Do të ktheheni sa për t’u dhënë me pi, për t’i kollofitur me sy nëne.

Në zërat e erës i kam dëgjuar zërat e fëmijëve të mi vrarë pa lindur.
I kam shtrënguar. I kam marrë me të mirë
Të shtrenjtit e mi të palindur rrasur te cicat që s’mund t’i thithin.

Unë kam thënë, TË ËMBLIT E MI, nëse mëkatova,
nëse ju ndava fatin dhe gjirin
Dhe jetën s’jua lashë ta prekni, ta merrni në dorë,
Nëse ju vodha lindjet dhe emrat,
Lotët e bukur dhe lodrat dhe zemrat,
Dashuritë tuaja të lymosura a qiellore, martesat tuaja,
dhimbjet dhe vdekjet tuaja,
nëse jua helmova fillimet e frymëmarrjeve në krua,
më besoni, edhe në dashjen time isha e paqëllimshme,
përndryshe, pse duhet të angullij,
të angullij se krimi s’qe imi, por i atij?

Sidoqoftë, ju keni vdekur.
A e thënë ndryshe pak më zatetur,
Përjetë pa u krijuar keni mbetur,
Por edhe kjo, më thotë frikë e heshtur,
Nuk është e drejtë: o, çka të them, si ta shploj të vërtetën e fshehur?
Ju u lindët, kishit shtat, ndërruat jetë.
Por kurrë nuk qatë, as nuk e vratë mendjen, as nuk qeshët.
Më besoni, ju desha të gjithëve fort. Më besoni,
ju njoha, anipse nëpër terr, dhe ju desha.
Ju desha të gjithëve pa zort.

Përktheu Ukzenel Buçpapa

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›