Mbi krijimtarinë poetike të Pr. Dr. Zyhdi Dervishit
Fatmir TERZIU
Transformimi i poezisë në lajmëtare iluzionesh kërkon mjeshtëri. Prej kohësh e ka patur dhe e ka kryer poezia një funksion të tillë. Që në lindje fuqia e saj u vu nga mjeshtër të poezisë në një funksion të dyfishtë. Duke lartësuar fjalën dhe duke fokusuar iluzionet e njerëzve. Në një kohë kur poezia ka pësuar një transformim rrënjësor tensioni midis tradicionales dhe avant-gardes, lufta midis modernizmit dhe postmodernizmit, edhe në poezi ka marë disa forma. Poetë të mirëfilltë kanë përshkuar këtë rrugë me vlera të reja e kanë krijuar një linjë të re poetike që, përpos arsyes, vjen edhe nga njohuritë që ata zotërojnë. Në krijimtarinë shqiptare ka disa emra të tillë. Janë autorë që krijojnë në heshtje, zgjedhin rrugën akademike të pasqyrimit e të paraqitjes së gjërave dhe mënyrën ‘intelektuale’ të modestisë. Por shpesh ‘tradhtohen’ nga krijimtaria e tyre. Librat e tyre në fusha të shumta nganjëherë i bëjnë të ‘skuqen’ në sytë e lexuesit, që i mirëpret për mirë dhe i kërkon për t’i lexuar, kështu modestia e tyre mbetet thjesht një ‘tradhti’ personale. Modestia nuk është vetëm një ornament, por edhe një roje e vyrtytit, thotë Zhozef Adisoni, eseist e poet i njohur britanik. Kështu më duket se është edhe me krijimtarinë e Zyhdi Dervishit, mbajtës i titujve akademikë, Profesor e Doktor. Krahas studimeve të tij, që sikur vulosen me librin tepër voluminoz “Lente të ndërveprimit simbolik”, ai është edhe një poet me pasuri të rëndësishme poetike. Një pasuri që vjen si shtrat i garantuar në dualitetin teorik të modernes e postmodernes.
* * *Modernizmi është një koncept i zhdërvjellët në duart e teoricinëve të sotëm. Ata përdorin dy rrugë në këtë kapje teorike për të shpjeguar kulturat dhe ecjen kulturore në fusha të ndryshme. Nëpërmjet teorive të tyre, synojnë për të përshkruar arritjet e derisotme, por gjithashtu edhe për të arritur përsëri në një mendim që është vendosur në kulturën perëndimore që nga koha e teoria e filozofit francez Descartes. Modernizmi në këtë përshkrim zëvendësohet nga postmodernizmi, duke tentuar thjesht që ta paraqesin këtë rrugëtim si një ecje historike ose drejt çrrënjosjes me mobilizimin teorik të asaj që vjen nga baza e modernizmit. Postmodernizmi kësisoj kryen një përfundim logjik të modernitetit, mbi bazën e së cilës kuptojmë 'insistimin e vet epistemologjikal të lidhjes historike pauzë dhe risi, ose edhe nga ana tjetër, zbulon praktikisht të jetë vetë një zhvillim projekti në nevojën e përfundimit’, pra në kërkim e në kërkim të një të ardhmeje tjetër. Megjithatë, parë në këtë teori, poezia e Dervishit e ofron këtë nëpërmjet një pleqërimi filozofik të ndërgjegjes, e cila shpreh veten në imazhet e konfuzionit kulturor të shoqërisë shqiptare në tërë zhvillimet e saj, "nëpër labirinthet e rrugëve / mua mistere dritë-hije të Sienës / njerëzit gazmendin superioritet kuajve dhe këngëve / në supe / flamujt e kontratave dhe pëllumbat ." Në këtë pikë shohim këtë lidhje të modernizmit e postmodernizmit, si një detaj që buron nga leximi i krijimtarisë poetike të Zydi Dervishit. Poezia e lartpërmendur e tij, si shembull, konvergon mbi një vulgare të nxitur nga koha, si një arsye e pashkëmbyer e anti-semitizmit për të përdorur figurën e nivelimit midis dy hapësirave dhe vendeve nga vlera e kapitalit. Kjo figurë në gjuhën e poetit është një fluskim shpirtëror imazhezh. Kështu, ajo plotëson transformimin e poezisë së Dervishit në lajmëtare iluzionesh, nëpërmjet aspektit të konfigurimit filozofik të mesazhit. Në poezinë “Muzg” autori gjen një konfigurim te ‘retinat e gjithësisë’ dhe kështu plotëson aspektin e plotësuesit të asaj, që ndërlidhet me tërë strukturën poetike. Ai e lidh këtë me aspektet njerëzore, duke metaforizuar në mënyrë perfekte një simbolikë paralele. Lexojmë vargjet “sytë e yjeve/ fiken një e nga një/ shpirtrat e njerëzve errësohen/ në akullnajë kome”, dhe gjejmë imazhin e plotë në poezinë e tij. Kështu imazhi në poezinë e këtij autori është një arsye më shumë për të kuptuar rolin e këtij mjeti në poezi.
* * *
Le të nisim me poezinë “Prag”. Poeti shkruan: “ortekë shtrëngatash shqyejnë/ gojëkrateret e vullkaneve/ n’errupsion./ Vena-variçet e errësirës shfryjnë/ në shatërvanet e llumit e/ stërpikin pafundësinë/ e dritshme të syve”. Në tërë këtë mori fjalësh, vijnë në mendjen tonë një grumbull imazhesh që renditen dhe zënë vend përpos një rregulli, që kërkon së pari sqarimin teorik të imazhit. Se çfarë është një imazh, kjo ka qenë dhe është një çështje e hershme preokupimi. Një çështje që ka preokupuar mjaft filozofë e poetë. Ata kanë kërkuar mes krijimtarisë së tyre dhe vetes për mijra vjet dhe ende nuk kanë përgjigje përfundimtare për imazhin në poezi. Më gjerësisht përdoret përkufizimi i një imazhi siaps teorisë së Ezra Paund:"... në këto ditë, kuptimi i imazhit është një kompleks intelektual dhe emocional që zbulohet në një çast të kohës." Por ka një histori për këtë përkufizim. Para se të përshkruante Paund përkufizimin e tij, imazhi në poezi është parë shumë ndryshe nga shumica e njerëzve. Prandaj, me pyetjen "çfarë është një imazh?" menjëherë prishet ndjesia themelore për të në tri pjesë. Ne gjetëm një pikëlidhje me këto tri pyetje që ndihmojnë për të sqaruar më tej ndryshimin teorik, i cili rrethon këtë koncept në poezi. Këto tre pyetje ndihmëse janë: Si mund të vijë kuptimi poetik nga imazhet? Sapo është krijuar një imazh në mendje pas leximit të një poezie, çfarë është ajo që kuptojmë? Si mund të funksionojë një figurë në një poezi?
Para se t’u japim një përgjigje këtyre pyetjeve, po ndalojmë te disa terma që e parapërgatitin imazhin në mënyrë të atillë, që ai të mund të kuptohet nga të gjithë lexuesit e poezisë, pa u ndikuar tek ato, pra nocionet teorike që gjenden në përgjigjet tona. Janë terma që shihen në lidhje me kuptimin e tyre për imazhin në poezi: shëmbëlltyrat, imagjinatat, ndijimet etj. Shëmbëlltyrën e hasim në kuptimin logjik të përshkruar nga John Ciardi, në definicionin e tij të ‘imazheve’ tek Libri i Fjalorit Botëror. Kjo shpjegohet më së miri sipas teorisë së tij tek të gjitha figurat, duke i dhënë ato në forma të ndryshme dhe në forma të tilla, që të duken sikur imazhet e poetruara të jenë të gjalla. "Skulptura është më së miri e definuar si total ndijor, sipas sugjerimit që vjen në mendjen e lexuesit me poezi" (John Ciardi). Kështu, shëmbëlltyrat që formohen në poezi nga ngjasimet skulpturore, apo edhe të ngjashme me to, formojnë imagjinatën.
Duke nënkuptuar fjalën “imagjinatë” të lidhur me funksionin e saj në poezi, natyrshëm kuptojmë atë që mjaft teoricienë e quajnë një laborator mendor për krijimin e imazheve dhe ideve të reja. Në këtë kuptim teorik e shohim thuajse njësoj, siç Ambrose Bierce e thotë: “një magazinë e fakteve, që vijnë nga pronësia e përbashkët ‘poet e gënjeshtar’. Por për John Ciardi-n fjala imagjinatë "nuk është thjesht imagjinatë, apo thjesht një fjalë si etimologji e saj që bën me dije aspektin e formimit të imazheve dhe realitetit; ajo është mjaft e njohur si një formë fakultative e interpretimit të imazheve, të cilat shkojnë përtej realitetit, duke i thurur këngë realitetit." Nëpërmjet këtij zinxhiri teorik, ne krijojmë arsyen e ndijimit, si një hollësi që vjen si një tërheqje nga prania e pesë senseve. Kjo shpesh ndjehet edhe si një hollësi konkrete. Por një hollësi konkrete vjen në poezi nga imazhet që, sipas Gaston Bachelard, besohet se e ka origjinën e imazhit në të vërtetën që buron nga thellësia e ndërgjegjes njerëzore, nga shumë arsye që lidhen me aspektin e të qenit.
Ku shihet kjo lidhje teorike në poezinë e Dervishit? I tërë nënkapitulli “sozi dhe pikëllime” i vëllimit të tij “Qiej të përthyer”, na vjen në ndihmë. Janë dhe një sërë poezish të tjera, si “Amfiteatrot e Ballkanit”, “Qiej të përthyer”, “Rrënjët”, “Diell i përgjysmuar”, “Ndërrim stinësh”, “Boshi i çkohëzimit” etj., që plotësojnë tërë arsyen praktike për të kuptuar rolin e imazhit në poezi.
* * *
Në këtë pikë natyrshëm del parësore të sqarohet edhe një fakt, që lidhet me figurat artistike në poezi. Në poezitë e Dervishit më së shumti shihet një kursim figurativ, por një arsye e qartë që e bën poezinë e tij të padëmtuar nga përdorimi i dendur i figurave, që në disa krijimtari poetike duken hapur si dëmtuese të poezisë. Sipas kësaj, duket qartë se figura e ka vendin e saj në poezi vetëm nëse përfshihet brenda tërësisë stilistikore, kuptimore dhe estetike të saj. Krahasimi është i radhëpërdorur nga autori, por në disa poezi ai si një figurë elementare, ose si forma e parë njohëse, na e jep materialen e piketuar nga vargu i poetit duke e krahasuar me diçka tjetër, ose më saktë me një dukuri tjetër: “Ti ike rrëmbimthi si valët/ rebele të Drinit. Nga të ftohtit/ paretet qelq kristali/ të qenies sime u thyen…”. Në poezinë e Dervishit figurat kanë qëllim të qartë: për të ‘vizatuar’ aspekte të rëndësishme. Te “Muranat e padukshme” metafora, kjo mbretëreshë e figurave, nuk del vetëm si një përçuese e qartë e qëllimit, por edhe si një figurë që nëpërmjet fjalës që humbet kuptimin e saj të parë realizon kuptimin filozofik: “Motorët e raskapitur të makinave/ gulçojnë udhëkryqeve./ Molekulat e gazit helmues degëzohen/ në kapilarët e mushkërive/ të kalimtarëve me sy të kuqëluar/ nga semaforët-diej të mekur/ në mërzinë e pezullt/ të perëndimit”.
* * *
Në tërësinë e saj, poezia e Zyhdi Dervishi është një ripozuese komplekse e fuqisë së fjalës, që vjen nga mjeshtria e transformimit të vargut në një sinjalizues iluzionesh dhe imazhesh në tërë dialektikën e tyre mesazhdhënëse. Që të shprehet kjo me një kuptim më të thjeshtë, në poezinë e këtij autori shihet plotësia e mjaft llojeve të ligjërimit, ku fjalët përdoren sipas mjaft rregullsive të caktuara nga vetë autori.
Kuptimi sintaksor i shmangur i autorit gjendet i përputhur me tërë dinamikën letrare të poezisë, që vjen si një parësore nga shkaku i kërkesave shprehëse. Në poezinë e tij shihen mjaft fjalë të munguara midis fjalëve të përdorura, të cilat janë të zakonshme për ndërtimin sintaksor normal. Por në krijimtarinë e Dervishit kemi të bëjmë me një varg tipik poezie, që endet në shtratin midis modernes dhe postmodernes në tërë fuqinë e tij të shprehjes. Pikërisht kjo e bën poezinë e tij të jetë rrëqethëse, e plotë, dinamike, plot ritëm e kuptim, ndërkohë që ai krijon në arsyen e lexuesit mjaft përfytyrime që vijnë si rezultat i pasazheve derivuese.
28 Prill 2009