E Shtunë, 31 Tetor 2026

NDËRGJEGJJA POETIKE SI MISION

Fatos Arapi: “Një zemër falet për mua”

Ali ALIU
Gjatë ditëve të Panairit të librit (nëntor 2008) në Tiranë, Fatos Arapi ( pas ngulmimeve të mia për të thyer heshtjen disavjeçare të tij), më dha një dorëshkrim, një vëllim poezish të pabotuara, kryesisht krijime të viteve të fundit. Vendimi i Fatosit për të abstenuar nga të qenit i pranishëm në përditshmërinë kulturore – krijuese shqiptare, pikërisht në këtë fazë të moshës dhe pikërisht në këtë fragment historik shqiptar, mund të shihet edhe si rrjedhim dëshpërimesh e zhgënjimesh të mëdha të periudhave, kur zërat e fuqishëm publikë të personaliteteve përmasash të ngjashme, kryesisht jehojnë si klithje në heshtje, kur tingëllojnë si zëri në shkretëtirë… Në hapësirat e ngjashme me tonën aktualisht, ku nuk ekziston ndjeshmëria për ta dëgjuar zërin publik, ka edhe më pak hapësirë për ta dëgjuar atë në heshtje. Vetëm në hapësirat ku ka veshë për ta dëgjuar zërin e personaliteteve nga fusha e vlerave shpirtërore, siç është rasti me veprën e Fatos Arapit, vetëm atje mund të dëgjohet edhe heshtja - si refuzim, si revoltë. Hapësira jonë, ndërkaq, është e pushtuar kryesisht me zëra, që krijojnë kakofoni të shthurur, që përpëlitet për t’u normalizuar e nuk mundet dot…
* * *
ǒpo ndodh në fakt me poetin Fatos Arapi, vepra e të cilit, veçmas ajo e njëzet viteve të fundit, ka pushtuar majat më të larta letrare të shqipes? ǒpo ndodh me këtë zë që, brenda këtij harku kohor krijues sidomos, ishte shqiptimi më i fuqishëm poetik në artikulimin e ndjeshmërisë shqiptare dhe njerëzore, në artikulimin e shqetësimit dramatik të kohës, të konfuzionit dhe krizës së vlerave, të degradimit të njeriut dhe njerëzores, degradimit që aq brutalisht galopon drejt pushtimit të hapësirës? Janë shtatë-tetë vëllimet poetike të Fatos Arapit (më të fundit) që sjellin zërin krijues më të fuqishëm shqiptar – të këtij fragmenti historik të botës shqiptare dhe të kësaj krize.
Ngulmimi im gjatë takimit të përmendur, por edhe gjatë takimeve të tjera brenda dy-tre viteve të fundit për ta kthyer poezinë e vet në tregun letrar, veprën që, siç e theksova edhe më sipër, të ngarkuar dhe të artikuluar me shqetësimin e ankthshëm shqiptar, poezinë e shqetësimit më dramatik për fatin dhe ecjen e kohës shqiptare, natyrisht që ishte pa rezultat.
Argumenti im se hapësira dhe shoqëria shqiptare aktualisht është fare e pandjeshme ndaj një gjestit të tillë intelektual, pasi në ditët e sotme, kryesisht, gjeni të fortifikuar në ekrane ditë e natë politikanë, trafikantë e injorantë, ishte i pamjaftueshëm…
Mungon edhe komuniteti kulturor në mjedisin tonë, komunitet që do ta ndjente tërheqjen e një zëri krijues nga më të fuqishmit për më shumë se gjysmëshekulli, lexues që, i mësuar me praninë e veprës së tij, të shqetësohet kur ai hesht jo natyrshëm. Fatkeqësisht, duhet pritur kushedi sa për një ambient të tillë kulturor edhe tek ne. Vendimi i Fatos Arapit ndërkaq, për të ikur anash, në heshtje të plotë, duket i prerë. Ajo që munda të mbërrij me këmbënguljen time ishte: merri këto vargje që i kam sistemuar si dy vëllime dhe bëj ç’të duash me to atje në Shkup…
* * *
Poezitë brenda ciklit “ Tragjikisht mirë” dhe ato “Një zemër falet për mua”, ia ofrova botuesit “Vatra” në Shkup, si një vëllim të vetëm. Derisa në vëllimet e mëparshme shqetësimi krijues, sado i hidhur, nuk vjen përfundimisht e i pashpresë. Sfidimi i botës së pandreqshme, sado i largët dhe diskret, nuk mungonte. Në vargjet më të reja, ndërkaq, ngasësi para se gjithash vjen si dëshmi në kohë, dëshmi e sfidë universale. Pajtimi poetik për ndonjë ndreqje të shpejtë (apo pandreqshmërinë), heqja dorë nga shpresa poetike, të paktën për një çast, është lëvizja kryesore në poetikën e dorëshkrimit më të ri të Fatos Arapit. Kështu, shikimi nga distanca apo nga lart, i krijon hapësirë të re frymëzimit, imagjinatës krijuese për gjetje kreative, estetike. Bota e shtrirë në kornizën e frymëzimit, në çaste vjen si det shpirtrash pa shpirt, vjen si hapësirë të cilën vetëtimthi e përshkon një buzëqeshje edhe pikëlluese, edhe ironike, e pashpresë se mund të ndryshojë gjë në këtë ambient. Vjen nga lart ai pikëllim si paralajmërim lamtumirës, që përfton shigjetshëm kakofoninë e përditshmërisë – kush e pa e pa shkrepjen e saj nga lart, dhe kaq... E shtrin shqetësimin edhe përgjatë rrugës së ecur personale që vjen me përfytyrim të fuqishëm – si lundra të vogla prej druri – si kongjij të zinj të një kohe të shkuar… Nga lartësitë poetike, zëri lirik i Fatos Arapit, i ndërgjegjshëm për përjetësinë e artit të vet, e ka të qartë shtegun drejt pakthyeshmërisë, edhe përpos ndonjë zëri të vetmuar për ta joshur kthimin e tij… Gjithë në këtë frymë, poeti në ecje vëren, ndjen shumë trishtim në rrugë, baltë-shpirtrash të fyer dhe i thotë vetes – Mbyll sytë me dorë dhe kalo, vazhdo ëndrrës që vetë e shpike… Pegasët e vegjël janë gati për udhëtim. Natyrisht lartësive qiellore. Është talismani i nënës, parashikimi më i sigurt i fatit të prerë, - trishtimi dhe Pegasi hyjnor i sigurt: në vetmi, në dritë-errësirë, në harrim të vetvetes, do ta ndjekin të vërteta të kalbura, hije të mykura, hartues shtetarë-diktatorësh, thika (poetësh) pas shpine… Po Ti do kalosh mes fantazmash e ndotje kainësh:
...Të gjithë do të spërkatin
E asgjë s’ka për ta përlyer shpirtin tënd.
Kur ti u linde
Në kraharor nëna të vari talisman
Trishtimin e brymtë, hyjnor …
Dhe tërë kjo, për poetin tingëllon tragjikisht mirë, meqë : “Dje gjeta kokën time hedhur në kosh të plehrave dhe Kainin që pyeste: ǒthanë shqiptarët për mua, - asgjë, s’e kanë mendjen tek ti, mundohen Abelin ta kryqëzojn녔 Kainët janë ata që e kanë mbërthyer hapësirën shqiptare dhe u bëjnë gjyqin abelëve. Fatos Arapi është i veçantë në të qenit i ndërgjegjshëm për veten si poet. Kjo vetëdije e përshkon mbarë krijimtarinë e tij, veçmas vargjet më të fundit. Përcaktimi i tillë i prerë i fatit shfaqet në variacione të shpeshta dhe merr përsipër misionin e njëlloj kredoje poetike, përkatësisht si frymë pastrimi shpirtëror, parashikuar në talismanin prindëror: “ S’ka gjë në dita është e grisur dhe qielli krisur, ngjesh gjurmën tënde që gjethon, se arti yt jetës nuk iu tremb, dhe fatit verbër borxh s’i mbet…”. Përkundrazi, tërë jetën e vet, poezia e Fatos Arapit sfidoi të lakuriqësuar ligësinë (f 38)
* * *
Një tjetër variant sfide nga kjo perspektivë, vjen si tablo – pamje bukurie magjepsëse, brenda së cilës zëri lirik shfaqet prani-ecje e ndrojtur përmes hapësirës eterike, “… rrezja e diellit krisi qiellnajën, - cijatin trumcakët ( e shpirtit) përmes bulëzash diellore, shndritin e shuhen mbi mua – në mua...” Por mes kësaj ngrice shkurti mimozat çelin dhe ja sfida e poezisë: “Është loti i brendshëm, trishtimi dhe sfida bashkë, loti i papërlyer”. Ja si e përmbyll Fatosi bisedën me poetin Petro Marko:
Vetmia – vjen bashkë me zhgënjimin, ose pas zhgënjimit. Shtytjet, spërkatjet vijnë drejtimesh e ngasjesh të ndryshme. Është përllogaritur, ndërkaq, në fatprerje edhe zhgënjimi dhe vetmia. Vjen prandaj si komunikim qiellor poezia “Një zemër (që diku) falet për mua”. Vjen engjëlli dhe ndez një qiri për shkretanin pa fat - ruaje perëndi, - se ai, për liri e dashuri, ngricat qiellore zbathur i shkel, - ruaje perëndi… Tani pa miq e atdhe, - pa veten je… Kështu, vargjet tingëllojnë si pikëllim i pangushëllueshëm, vetmia pason humnerike. Vetëm se poezia e madhe e Fatos Arapit e le jehonë të përjetshme mallkimin ndaj kainëve . Dhe shfaqet vetmia rishtazi, e papërsëritshme si përsosje estetike, përmes tetorit që lëshon pika-gjethe lot dhe shtegton tutje muaji tinëzar. Ndërkaq zëri grishës nga qielli nuk pran së joshuri. Edhe atje, në lartësi, ky intrigant i purpurt , “çfarë kurthesh të reja zemrës m’i ngre?!”. Vijnë ato, kurthet, si ushta të ngulura brinjëve me plagët që s’kanë shërim, “arnuese (e plagëve) e pamësuar dora ime” dhe jepet poeti, - vonë është për çdo gjë dhe se “ dielli im dy copësh u thye, - njëra natë tjetra po shuhet”.
Këtyre labirinteve bredh e shtegton muza poetike në vargjet e vëllimit më të ri të Fatos Arapit, të ngarkuar mbase me shqetësimin poetik më të hidhur në poezinë shqipe.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›