E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i shpendëve dhe simptomat e shfaqjes së tij



Gripi i shpendëve ka qenë tepër problematik dhe shumë vendet morën masa emergjente për parandalimin e tij. Gripi i shpendëve është vdekjeprurës dhe ka simptoma të ngjashme me gripin e derrave dhe të njeriut. Mendohet se njihen deri ne 15 nën-lloje të virusit të gripit, të cilët prekin shpendët duke ofruar në këtë mënyrë një rezervuar të madh të viruseve të gripit që potencialisht qarkullojnë në popullatat e shpendëve. Deri më sot të gjitha shpërthimet e formës shumë patogjenike janë shkaktuar nga viruset e gripit A të nën-llojeve H5 dhe H7. Shpendët migruese ujore, më shpesh patat e egra, janë rezervuari natyror i viruseve të gripit të shpendëve dhe këta shpendë janë gjithashtu më rezistent ndaj infeksionit. Shpendët shtëpiake si pulat janë të ndjeshme ndaj epidemive të gripit vdekjeprurës. Infeksioni shkakton një spektër të gjerë simptomash tek shpendët që shkojnë nga një sëmundje e lehtë deri në një sëmundje shumë ngjitëse dhe fatale duke çuar në epidemi të rënda. Kjo e fundit njihet si “gripi i shpendëve shumë patogjenik”. Kjo formë karakterizohet nga një fillim i papritur, sëmundje e rëndë dhe ngordhje e shpejtë, me një ngordhshmëri që mund t’i afrohet 100%. Shpendët e sëmura kanë temperaturë, vështirësi në frymëmarrje dhe heqje barku. Pas një periudhe disa-ditore inkubacioni (që është koha nga futja e virusit deri në shfaqjen e shenjave klinike të sëmundjes) të gjitha pulat në një pulari infektohen. Ato nuk bëjnë me vezë dhe ngordhin brenda një kohe të shkurtër.
Kontakti i drejtpërdrejtë ose i tërthorte i shpendëve shtëpiake me shpendët migrues ujore konsiderohet si shkaku i shpeshtë i epidemive. Tregjet e shpendëve të gjalla gjithashtu kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e epidemive. Kërkimet e kohëve të fundit kanë treguar se viruset me patogjenicitet të ulet, pra me aftësi të ulët për të shkaktuar sëmundje, mbas një qarkullimi në një popullatë pulash, ngandonjëherë edhe për një kohë të shkurtër, mund të shndërrohen në viruse tepër patogjene.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›