E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, Broshurat e MSH-së, ”Shmangni udhëtimet jashtë vendit”

Ministria takim me specialistët e OBSH-së për masat e reja

Emanuela Sako

Gripit i derrit duket se po vë në alarm institucionet shëndetësore në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë do të ndajë shqetësimet për virusin A H1N1, me specialistë të OBSH-së, për përcaktimin e një strategjie të re, duke qenë se jemi në një fazë kritike. Çështja e takimit është përhapja e virusit me ritme të shpejta në vendet e Bashkimit dhe masat që duhet të marrë vendi ynë për të shmangur përhapjen e mundshme të gripit. Aktualisht, situata është në gjendje alarmante, ndërsa specialistët theksojnë se virusi që është përhapur në vendet fqinje nuk është agresiv. Ndërkohë që ende nuk është konfirmuar rasti i parë, e vetmja mundësi e specialistëve është të sensibilizojnë qytetarët nëpërmjet shpërndarjes së broshurave dhe thirrjeve publike.
Vizitat
Specialistët e Poliklinikave bëjnë të ditur se kanë nisur vizitat e para për personat që dyshohen se janë me virus, por nga ekzaminimet laboratorike, asnjë rast nuk është konfirmuar. Ndërkohë që personeli është i pajisur me maskat përkatëse për të shmangur virusin. Të gjitha poliklinikat janë të pajisura me broshura për këshillat kundër prekjes nga virusi. Madje një pikë kryesore e vendosur nga specialistët e MSH-së është, “ Shmangi udhëtimet jashtë vendit. Rreziku i parë i përhapjes së virusit është importimi nga vendet e tjera. Gjatë sezonit veror lëvizjet e emigrantëve dhe lëvizjet turistike janë të shpeshta dhe kjo bën që mundësia e importimit të virusit mund të jetë shumë e lartë. Specialistët e ISHP-së kanë bërë të ditur se virusi në vend është prezent, pavarësisht se nuk është konfirmuar asnjë rast. Por, ata pretendojnë se personat e prekur mund ta kenë kaluar lehtë virusin, i cili mendohet të ketë kaluar pa shfaqur komplikacione.
Situata
Specialistët e shëndetësisë kanë përcaktuar kategoritë që janë më të rrezikuara nga virusi i gripit të derrit. Drejtori i ISHP-së pranë Ministrisë së Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, u shpreh pak ditë më parë, se kategoritë më të rrezikuara janë të rriturit dhe të gjithë personat që janë në marrëdhënie pune. Ky klasifikim vjen për shkak të udhëtimeve të shpeshta dhe kontakteve që kanë me shumë persona. Nga ana tjetër, gripi është i lidhur fort me personat me imunitet të dobët dhe që vuajnë nga sëmundje të ndryshme. Bejtja specifikon si më të rrezikuar personat që vuajnë nga sëmundje si zemra, astma, veshkat, mushkëritë etj. Virusi A H1N1 i gjen këta persona më të dobët fizikisht dhe e ka më të lehtë të krijojë terren të favorshëm në organizmin e tyre. Ai shprehet se këta persona duhet të kenë më tepër kujdes dhe në rast se vënë re simptomat e para, duhet të drejtohen menjëherë pranë spitaleve. Përveç këtyre kategorive, mjekët nuk përjashtojnë fëmijët dhe të moshuarit. Por kjo kategori mund të jetë disi më e privuar nëse nuk ekspozohet në ambiente publike. Specialistët vënë në dukje se nëse pjesëtarë të këtyre kategorive vuajnë nga ndonjë sëmundje, atëherë këta persona janë më të rrezikuar se të rriturit. Moshat e thyera kanë probleme me sëmundjet kronike dhe kjo përbën një përparësi për virusin te të moshuarit. Ministria e Shëndetësisë nuk përjashton rastet që ndonjë person të ketë kaluar komplikacionet e gripit të derrit, por në formë të lehtë. Megjithatë, asnjë rast nuk është konfirmuar ende nga specialistët e shëndetësisë.

Masat për kryerjen e vaksinimit të popullatës
Drejtuesit e Shëndetësisë theksojnë se e gjithë popullata duhet të vaksinohet ndaj gripit të zakonshëm, pasi më vonë mund të ketë një kombinim. ISHP-ja është furnizuar me një sasi të konsiderueshme Tamifluje, e cila do të shërbejë për kurimin e rreth 4500 pacientëve të parë nëse do të preken nga virusi AH1N1. Ndërsa pritet që të ketë blerje të reja, të cilat do të shpërndahen nëpër farmaci dhe mund të blihen nga vetë qytetarët. Vaksinimi i popullatës është e vetmja mundësi që mund të frenojë përhapjen e virusit. Ndërkohë që në fund të muajit në ISHP do të përfundojë plotësisht Laboratori i Virologjisë, ku do të kryhen të gjitha analizat. Ky është laboratori i parë i këtij lloji në vendin tonë dhe do të mundësojë kryerjen e analizave brenda vendit. Specialistët e shëndetësisë kërkojnë ndërgjegjësimin e popullatës për njohjen e simptomave dhe denoncimin e rasteve pranë strukturave shëndetësore. Shenjat e para të prekjes nga virusi janë temperaturë e lartë, kollë, të vjella dhe diarre. Këto simptoma janë të përafërta me gripin normal dhe për këtë arsye kërkohet kryerja e ekzaminimeve laboratorike, për të konfirmuar nëse rasti është një grip i zakonshëm ose jo

Pediatria, shkon në 230 numri i fëmijëve me probleme nga temperaturat
Temperaturat e larta kanë bërë që numri i fëmijëve në Pediatrinë e Tiranës të shkojë në 230 nga 200 që është konfirmuar më parë.
Temperaturat e larta nga 35-39 gradë celsius, kanë rritur numrin e qytetarëve që i drejtohen Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, me simptoma të stinës. Burime nga QSUT bënë të ditur se në Spitalin Pediatrik pranë QSUT-së, paraqiten rreth 230 pacientë në ditë me simptoma të stinës, të cilët largohen, pasi marrin ndihmën e duhur. Çdo ditë e më tepër po shtohet numri i personave që vuajnë nga probleme shëndetësore të stinës dhe temperaturave të larta. E njëjta situatë problematike është shfaqur në të gjitha pavijonet e QSUT-së, ku duket se nxehja e motit nuk kursen askënd. Në shërbimin e kardiologjisë paraqiten rreth 100-120 pacientë me simptoma, të shkaktuara nga temperaturat e larta. Ndërkohë, numri i pacientëve është rritur dhe në Spitalin Infektiv të QSUT-së, ku paraqiten rreth 100 pacientë në ditë. Nisur nga kjo, mjekët bëjnë apel që të tregohet kujdes me ushqimet që konsumohen, për të cilat blerësit duhet të sigurohen që janë të kontrolluara dhe të sigurta. Ata këshillojnë konsumimin e sa më shumë lëngjeve, deri 2 litrave ujë në ditë, fruta dhe zarzavate, ndërsa kujdes të veçantë duhet të tregohet për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna e të sëmurët kronikë.
Në këshillat e tyre, futet edhe evitimi i lëvizjeve dhe aktiviteteve fizike intensive nga ora 11.00 deri në orën 16.00. Njëkohësisht duhet të bëhet reduktimi i sforcove fizike në orët më të nxehta të ditës dhe mbajtja e kapelës apo çadrës, në raste të daljes në rrugë, mbajtja e rrobave të gjëra, të lehta, me ngjyra të çelura (mundësisht prej pambuku) janë të tjera këshilla që japin mjekët. Ata japin këshilla për marrjen e disa masave që duhen të merren për parandalimin e infeksioneve dhe virozave janë konsumimi i ujit të sigurt (të blerë ose të zier nga çezma, kur nuk jemi të sigurt për cilësinë e tij), larja e vazhdueshme e duarve, ruajta e ushqimeve në frigorifer apo në vende të freskëta, konsumim i freskët i ushqimeve sidomos atyre me përmbajtje bulmetrash, vezësh, mishit, etj.

17 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›