E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rivlerësimi, rezultatet e Letërsisë për 400 maturantë, të hënën në shkolla

Kreu i AVA-s sqaron se çfarë faze është procesi për rivlerësimin e provimeve me detyrim

Jonida Tashi

Rezultatet e dyta për provimin e Letërsisë do të dalin në fillim të javës që vjen. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht për gazetën nga drejtori i Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Alfons Harizaj. Ky i fundit, sqaron se rezultatet e rivlerësimit të testeve për dy provimet me detyrim të Maturës, Letërsi dhe Matematikë, do të nxirren para se të publikohen notat e provimeve me zgjedhje. Fillimisht maturantët do të njihen me notën e provimit të Letërsisë, dhe pas pak ditësh me atë të Matematikës. “Notat e Letërsisë, për 400 maturantët, që kanë kërkuar rivlerësimin e provimit do të publikohen në fillim të javës që vjen. Ndërsa rivlerësimi i provimeve të Matematikës, do të nis po në ditët e para të javës tjetër dhe do të përfundojë nga fundi saj. Aktualisht jemi drejt përfundimit të procesit për rishikimin e testeve të Letërsisë, dhe po nxirren të dhënat për Matematikën”,- shprehet kreu i AVA-s.
Ankesat
Pothuajse gjysma e maturantëve të pakënaqur me notën e Letërsisë janë mjaftuar vetëm me rishikimin e testit të provimit. Ndërsa pjesa tjetër, pas rishikimit së testit ka kërkuar që provimi i tyre të rivlerësohej. Menjëherë pas përfundimit të këtij provimi, plot 900 maturantë në shkallë vendi depozituan në shkollat përkatëse kërkesën për rishikimin e testit të Letërsisë. Ndërkohë që rreth 500 maturantë duket se janë bindur me vlerësimin që në këtë hap për provimin e tyre, për këtë arsye ata kanë vendosur që të mos vijojnë më tej. Deri tani, nuk dihet ende se sa është numri i maturantëve që kanë paraqitur kërkesë për rishikimin e testit për provimin e Matematikës. Aktualisht, drejtuesit e AVA-s po nxjerrin të dhënat për Matematikën për të vazhduar më pas me fotokopjimin e testeve të maturantëve. Përsa i përket kësaj procedure, drejtori i AVA-s sqaron se pasi të kemi përfunduar listën e këtyre nxënësve, do të nisim punën për të bërë fotokopjimin e provimeve të tyre. Sipas Harizaj, kjo është një procedurë që kërkon kohë, pasi testi çdo maturanti duhet të kërkohet në arkivin e AVA-s. Gjithashtu, Alfons Harizaj sqaron se menjëherë pas përfundimit të fotokopjimit të testeve, do të nis shpërndarja e tyre në shkollat përkatëse, prej ku do të mbërrijnë edhe në duart e maturantëve. Sipas kreut të AVA-s, kjo është pika kyçe në procesin e rishikimit të testit, sepse çdo maturant, pasi ka parë provimin e vetë duhet të konfirmoj drejtuesin e shkollës nëse do të kërkojë rivlerësim apo donte thjesht të shihte se si i ishte përgjigjur pyetjeve.
Kostoja
Vetëm për të kërkuar fotokopjen e testit të provimit, maturantët duhet të paguajnë 400 lekë, ndërsa nëse vërejnë gabime në korrigjim dhe kërkojnë rivlerësim, duhet të paguajnë dhe 1200 lekë të tjera. Sipas një përllogaritje të thjeshtë, për të kërkuar rivlerësimin e njërit prej katër provimeve të Maturës, maturantët duhet të nxjerrin nga xhepi 1600 lekë. Edhe më e madhe bëhet kostoja e rivlerësimit të testeve për ata maturantë, të cilët do kërkojnë që kjo procedurë të kryhet për katër provimet. Në këtë rast, kostoja financiare që duhet të paguajnë maturantët është plot 6400 lekë. Në rastin më të mirë, kur maturantët pas rivlerësimit të testit do të marrin një notë më të lartë se e para, shpenzimi i lekëve për këtë proces do të ishte i vlefshëm. Por, nuk përjashtohet mundësia që të ndodh edhe e kundërta, që maturantët edhe pas rivlerësimit të marrin po atë notë që kanë pasur në fillim. Pas marrjes së ankesave të maturantëve, AVA ngre grupet e vlerësimit të testeve, me vlerësues të trajnuar. Rivlerësimi do të bëhet me të njëjtat rregulla e procedura si vlerësimi i testeve, duke vazhduar të jenë të sekretuara me bar-kode testet që rivlerësohen.

Procedura për shpalljen e rezultateve të rivlerësimit
Rezultatet e rivlerësimit të provimit dërgohen nga AVA zyrtarisht pranë KMSH-së së DAR/ZA-së me një afat nga 15 deri 30 ditë nga data e shpalljes së rezultateve të provimit dhe konsiderohen rezultate përfundimtare të nxënësve. KMSH-të, nëpërmjet KSHMSH-së njofton për rezultatin e rivlerësimit çdo nxënës që ka kërkuar rivlerësim testi. Sipas rregullores së sivjetshme të Maturës, çdo kandidat pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore, pas shpalljes së rezultateve të provimit, në bazë të njohjes me skemat e publikuara të vlerësimit, ka të drejtë të kërkojë nga AVA rivlerësim të testit të tij. Për këtë, brenda katër ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit, ai paraqet pranë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH) një kërkesë dhe mandat-arkëtimin e pagesës së tarifës së përcaktuar. KSHMSH, pasi grumbullon të gjitha kërkesat, i përcjell ato së bashku me mandat-arkëtimet në Komisionin e Maturës Shtetërore (KMSH), pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale/Zyrës Arsimore (DAR/ZA), brenda pesë ditëve nga shpallja e rezultateve të provimit. KMSH-ja pranë DAR/ZA-së shqyrton kërkesat e paraqitura nga KSHMSH-të dhe i përcjell ato zyrtarisht tek AVA, shoqëruar me mandat-arkëtimet përkatëse, brenda shtatë ditëve nga shpallja e rezultateve.

Ngelësit në provimet me detyrim

Ata që marrin notë kaluese pas rivlerësimit, do t’u llogariten pikët për në universitet

Maturantët që rezultuan ngelës në provimet me detyrim të Maturës, nëse marrin notë kaluese pas rivlerësimit të provimit, do t’u llogariten pikët për në universitet. Për rrjedhojë, këtë vit këta maturantë, që në total janë rreth 4 mijë për të dy provimet, ndryshe nga Matura e kaluar, patën të drejtën e plotësimit të formularit A2 për pranimet në universitete. Kjo e drejtë u është dhënë maturantëve të sivjetshëm, në mënyrë që ata të mos e humbasin një vit të drejtën për të konkurruar për studimet e larta. Konkretisht, lidhur me të drejtën e maturantëve mbetës për të qenë pjesë e provimeve me zgjedhje në udhëzimin për plotësimin e formularit A2 shkruhet: “Për maturantët që kanë ngelur në provimet D1 dhe D2, janë prodhuar formularë A2, por që këto të dhëna të jenë të vlefshme për më tej, do të merret për bazë vlerësimi i rishikimit të rezultatit, nëse maturanti ka bërë ankimim”. Tashmë pritet që ekspertët e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), të publikojnë para datës 24 korrik rezultatet e reja për maturantët që kanë paraqitur kërkesë për rivlerësimin e tyre. Kështu, kush prej maturantëve, që krahas kërkesës për rishikimin e rezultatit të provimit ka studiuar edhe për provimet me zgjedhje, mundësitë për të grumbulluar pikë për në universitet janë të pranishme. Ndërkohë që një vit më parë, maturantët që rezultuan jo kalues qoftë edhe në njërin nga dy provimet me detyrim të Maturës, e humbën automatikisht të drejtën për të konkurruar për në universitet, për një arsye thelbësore, që kishte të bënte me mohimin e të drejtës për rishikimin e testeve të provimit.

Maturantët para 2009-s, formula llogaritjes së pikëve

Maturantët që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2009 dhe kanë hyrë në garën e pranimeve në universiteteve me notat që kanë marrë më parë në provimet me zgjedhje, do t’u përllogariten pikët me rregulla të tjera. Specialistët e Arsimit shpjegojnë se për kandidatët që kanë kërkuar që t’u ruhet rezultati i mëparshëm, në përllogaritjen e pikëve për sistemin Meritë-Preferencë, për këtë lëndë, do të merret koeficienti që lënda ka pasur në vitin që është dhënë. Ndërsa në rast se nxënësi e ka dhënë më shumë se njëherë një lëndë të caktuar në provimet me zgjedhje dhe kërkon t’i njihet rezultati i saj, do t’i njihet rezultati i arritur në vitin e fundit kur e ka dhënë lëndën. Sipas rregullores së sivjetshme të Maturës, të gjithë nxënësit që në vitet shkollore 2005-2006; 2006-2007; 2007-2008 dhanë provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore dhe nuk janë regjistruar në asnjë nga degët e universiteteve publike, rezultatet e arritura nga nxënësi në provimet me zgjedhje në një vit shkollor ruhen (konsiderohen të vlefshme) edhe në vitet në vazhdim, edhe në rastin kur nxënësi ka marrë vlerësim kalues vetëm njërin nga provimet me zgjedhje (përveç rasteve kur nxënësi kërkon ta rijapë lëndën). Sakaq, kushti kryesor që maturantëve të vjetër t’u njihet e drejta për ruajtjen e rezultateve të provimeve është se ata duhet t’i kenë specifikuar ato me kujdes në formularin A1-Z për njërën, ose të dy lëndët, për të rikonkurruar për shkollat e larta, por pa u përfshirë në provimet me zgjedhje të këtij viti për studimet e larta të 2009–2010.

17 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›