E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi para Parlamentit, hetimi, në automjet u vendos eksploziv

Policia: Atentatorët kanë vënë eksploziv në gomën e parme të automjetit që shpërtheu

TIRANE- “Në automjet u vendos eksploziv”. Ky ka qenë konkluzioni i ekspertëve kriminalistë pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe shqyrtimit të provave materiale të gjetur aty pas shpërthimit. Janë pikërisht specialistët ata që kanë konfirmuar zyrtarisht se në automjetin që shpërtheu përballë godinës së parlamentit, në rrugën Xhorxh W. Bush ishte vendosur eksploziv.
Njoftimi
Në një njoftim për shtyp të shpërndarë në media dje në mesditë, thuhet se “në automjetin me targë Tr. 3838 M është vendosur një sasi lënde eksplozivi dhe pas shpërthimit automjeti është përfshirë nga zjarri”. Automjeti, sipas policisë, ishte në pronësi të firmës “Galaxi Motors Palace”, Sh.p.k dhe në përdorim të shtetasit Benard Kin Ujkaj, 48 vjeç. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe falë ndërhyrjes së forcave të shërbimit zjarrfikës dhe policisë, është bërë e mundur fikja e menjëhershme e flakëve të zjarrit. Një grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorëve të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë këqyrë vendin e ngjarjes dhe kanë administruar provat materiale.
Hetimi
“Nga verifikimet paraprake, ka rezultuar se automjeti tip ‘Cuv Hover’, me targa Tr. 3883 M, ka qenë i parkuar në krahun e djathtë të rrugës ‘Xhorxh W. Bush’, në afërsi të godinës së Shoqatës së ish të Përndjekurve Politik, ku persona të paidentifikuar, kanë vendosur një sasi lende eksplozivi mbi gomën e parë të krahut të djathtë të automjetit”, -thuhet në njoftimin për shtyp të policisë së Tiranës. Nga ky shpërthim nuk ka të plagosur, por vetëm disa dëme materiale. Automjeti ka pësuar dëmtime të rënda, po kështu dëmtime të jashtme ka pësuar edhe lokal “Toto Bar”, i ndodhur aty pranë. Policia thotë se janë përgatitur vendimet e ekspertimit për të përcaktuar sasinë dhe llojin e lëndës eksplozive si dhe mekanizmin e shpërthimit të saj. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka përcaktuar dhe po ndjek disa versione hetimi dhe është fokusuar në konflikte të mundshme të personit të dëmtuar. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv“ parashikuar nga neni 162 i Kodit Penal.

Përgjaket superstrada Milot-Rrëshen, 4 të plagosur rëndë

Milot– Katër persona janë plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti rrugor që ndodhi para pak minutash në superstradën Milot-Rrëshen. Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur Milot, kur janë përplasur makina e markës “Rover”, një veturë me targë të huaj, YKB9620, me drejtues 34-vjeçarin Festim Gjoka, vjeç 34, banues në Kukës, me mjetin e markës “Audi” me targë të huaj AP 742 ZY, me drejtues 50-vjeçarin nga Mirdita, Viktor Arapi.
Si pasojë e kësaj përplasje janë aksidentuar Festim Gjoka, Lazime Vehat Gjoka, 30 vjeçe, Hëna Liman Gjoka, 64 vjeçe, që të tre me banim në Kukës, që udhëtonin në mjetin “Rover”. Po ashtu dëmtime ka marrë dhe 50-vjeçari Viktor Arapi. Që të katër të plagosurit, u dërguan në spitalin e Laçit, ku momentalisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes ka vajtur një grup i policisë Rrugore dhe ekspertë të saj. Të cilët po kryejnë të gjitha veprimet hetimore për të përcaktuar dhe shkakun e aksidentit.

Helmohet duke ngrënë fruta, 19-vjeçarja lufton me vdekjen

Laç – Një vajzë 19-vjeçare po lufton me vdekjen në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi konsumoi disa fruta që dyshohet se ishin të helmuara, për arsye që ende mbeten mister. Policia informon se viktima është Mimoza Hyseni, 19 vjeçe, banuese në Fushë Milot të komunës Milot të rrethit Kurbin. “Ne u informuam nga Komisariati i Policisë nr 3 të Tiranës, se në Spitalin Ushtarak është paraqitur e vetëhelmuar në mënyrë aksidentale nga konsumimi i frutave”, - deklaroi policia e Lezhës. Momentalisht, policia po heton si ndodhi helmimi i vajzës së re dhe ka shkuar në banesën e saj për të mbledhur provat e duhura.

Një grua rrëmben regjistrin e pronave në Hipotekën e Lezhës, ia dorëzoi paqësisht policisë

Lezhë – Regjistri i pronave të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Lezhës, (ZRPP), është rrëmbyer nga një grua e cila më pas u kap dhe tani ndiqet në gjendje të lirë, pasi pranoi ta dorëzojë vullnetarisht librin zyrtar. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së Enjtes dhe u denoncua nga punonjësi i ZRPP të Lezhës, Ylli Perndreca, 31 vjeç, lindur në Kashnjet dhe banues në Lezhë. Ai i deklaroi policisë se 58-vjeçarja Valetina Nikaj, lindur në Korçë dhe banuese në Lezhë, i ka rrëmbyer atij regjistrin e këtij institucioni. Menjëherë shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të saj dhe pas disa kohësh Valentina Nikaj e ka dorëzuar me dëshirën e saj regjistrin të padëmtuar. Në lidhje me këtë ngjarje policia ka sekuestruar regjistrin dhe akuzon të dyshuarën Valentina Nikaj, për veprën penale të “Kundërshtim i punonjësve që kryejnë një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, duke e hetuar atë në gjendje të lirë.

Asgjësohet një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike në kryeqytet

Tiranë - Asgjësohet në Tiranë, në prani të ekspertëve, një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike. Burime zyrtare të policisë në Kryeqytet, bënë të ditur të enjten për gazetën “Albania”, se me vendim të Prokurorisë , u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës për asgjësimin me djegie të një sasie prej 887 gr. lëndë narkotike kokainë, 18 kg, e 23.9 gr. lënde narkotike heroinë si dhe 317 kg. e 180 gr. lëndë narkotike Cannabis sattiva. Procesi i asgjësimit të lëndës narkotike, i drejtuar nga një komision me përfaqësues të Prokurorisë së Tiranës, Qendrës së Kontrollit të Barnave si dhe specialistë të Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në policinë e kryeqytetit, u krye në Sharrë të Tiranës.

Vetëplagoset me pistoletë një 83-vjeçar në qytetin e Laçit

Laç – Mister për policinë e Laçit dhe familjarët, vetëplagosja e një burri në moshë të thyer, i cili duke u qëlluar me armë zjarri, duket se ka pasur qëllim largimin nga kjo botë. Burime policore informuan se ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së enjtes në lagjen nr. 2 të qytetit të Laçit ku është gjetur i plagosur me arme zjarri, pistoletë, brenda ne banesën e tij, 83-vjeçari Preng Frisku. Në gjendje alarmi, familjarët e tij e kanë gjetur pasi dëgjuan zhurmën që bëri qitja me pistoletë dhe e dërguan në Spitalin e Laçit, ku mjekët thanë se gjendja e tij është kritike. Policia e sinjalizuar për vetëplagosjen, ka shkuar në vendngjarje, ku është sekuestruar arma e krimit.

Pranga autorit të dyshuar, plagosi me armë një të ri në Laprakë

TIRANË - Një i ri ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë për jetën si pasojë e shkrehjes së pistoletës nga shoku i tij. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur para disa minutash në zonën e Laprakës në Tiranë, në një dyqan me pjesë këmbimi për makina. Nga të dhënat e para të policisë bëhet e ditur se plagosja ka ndodhur për shkak të pakujdesisë, ndërsa i plagosuri dhe autori ishin shokë. Policia ka bërë shoqërimin e autorit, Donald Buzaj 22 vjeç, i cili zotëronte armën pa lejen përkatëse. I plagosuri, 22-vjeçari Edvin Koço është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku bluzat e bardha pohojnë se i riu ndodhet në gjendje të rëndë në sallën e reanimacionit, pasi plumbi e ka kapur në kokë.

Ekstradohen nga Italia dy të kërkuar për vrasje

Tiranë- Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpolin në Romë bënë të mundur ekstradimin e 2 shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim për "vrasje". Mësohet se personat e ekstraduar janë 38- vjeçari nga Vlora, Edmond Hysaj, i arrestuar në Breshia të Italisë në tetor 2008, i cili akuzohet se në mars të vitit 1999, ka vrarë me thikë shtetasin Et’hem Çaushi dhe shtetasi Taip Katica nga Shkodra. Burimet sqarojnë se 54-vjeçari Katica akuzohet se në prill të vitit 2000 aksidentalisht ka vrarë me armë zjarri në Shkodër shtetasin Jetmir Dhampiri.

17 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›